WIKIPEDIA

Këshillat e Dietologes: A është i dëmshëm gluteni?

Gluteni, kohëve të fundit ka marrë vëmendjen e shumicës së popullatës, kryesisht për mendimin se konsumimi i tij jep efekte negative në shëndetin e njeriut.

Personat e vetëm që mund të përfitojnë nga eliminimi i glutenit, janë personat me sëmundjen e celiakisë (intolerancës ndaj glutenit) apo personat me ndjeshmëri ndaj glutenit, thotë dietologia Vala Pupovci.

“Gluteni është një proteinë e cila gjendet në grurë, thekër dhe elb. Meqenëse gjendet në tre drithërat më të përdorur, gjen përdorim edhe në ushqime tjera të zakonshme që përmbajnë këto drithëra si mielli, buka, pastat, drithërat e mëngjesit, supat dhe birra”, thotë ajo.

Pupovci thotë se sëmundja e celiakisë është një sëmundje autoimune, e cila përbën rreth 1 përqind  të popullatës. Te personat me sëmundjen e celiakisë konsumimi i produkteve me gluten shkakton reaksion imunologjik, i cili dëmton mukozën e zorrës së hollë, përgjegjëse për përthitjen e nutrientëve.

“Simptomat që pasojnë janë: dhimbje në pjesën abdominale, diarre, fryerje, humbje në peshë dhe kequshqyerje, si pasojë e mos – përthitjes së vlerave ushqyese që merren nga ushqimi. Diagnostikimi i sëmundjes së celiakisë bëhet me anë të testit të antitrupave përkatës në gjak. Personat me këtë sëmundje duhet të tregojnë kujdes të veçantë ndaj ushqimeve që konsumojnë, dhe të edukohen mirë se cilat ushqime përmbajnë gluten”, thotë ajo.

Sipas Pupovcit leximi i etiketave ushqimore është i domosdoshëm te këta persona, për shkak se edhe disa ushqime të përditshme, që nuk hyjnë në grupin e drithërave, në përbërje e kanë glutenin.

Këto mund të përfshijnë supat e gatshme, sosërat ose produktet e mishit të procesuar si virshlle, sallamë apo përshutë.

Pupovci thotë se term tjetër lidhur me intolerancën ndaj glutenit në mungesë të sëmundjes së celiaksë është edhe ‘ndjeshmëria ndaj glutenit’, e cila karakterizohet me simptoma si: fryerje në pjesën abdominale, diarre, etj.

“Përkundër sëmundjes së celiakisë, nuk ka një test të mirëfilltë diagnostikimi për ndjeshmërinë ndaj glutenit. Për personat që dyshojnë se kanë ndjeshmëri ndaj glutenit, dieta e eliminimit do të ishte një test shumë i mirë dhe që nuk kërkon shpenzim të lartë të parave. Te dieta e eliminimit, eliminohet konsumimi i glutenit për një periudhë të caktuar kohore (rreth 2 javë), dhe pastaj ri-kthehet në mënyrën e të ushqyerit për të parë se a përsëriten simptomat e njejta”, thotë ajo.

Vala Pupovci – Dietologe

Sipas dietologes studimet rreth ndjeshmërisë ndaj glutenit janë kontradiktore, ku te disa studime është gjetur se dieta pa gluten nuk jep benefite shëndetësore, e te disa tjera se i redukton problemet me fryerje, tretje, disponim dhe lodhje.

“Pra, eliminimi i glutenit nuk është i domosdoshëm për të qenë më të shëndetshëm, përveç nëse ekzistojnë problemet shëndetësore konkrete. Personat që detyrohen, apo preferojnë të ndjekin një dietë pa gluten, duhet të tregojnë kujdes të madh në konsumimin e ushqimeve tjera që kanë vlera ushqyese të përafërta me grurin, elbin dhe thekrën, në mënyrë që të parandalojnë mungesën e nutrientëve si fibrat, antioksidantët, vitaminat B, hekuri, magnezi apo seleni”, thotë ajo.

Më tutje, Pupovci thotë se gluteni nuk gjendet në fruta, perime, mish dhe produkte të qumështit, peshk, vezë, fara dhe fasule. Drithërat që nuk përmbajnë gluten janë: orizi, misri, tërshëra (e specifikuar si pa gluten), meli, kuinoa, amaranti dhe mielli hikërror.