Vala Pupovci - Dietologe

Këshillat e Dietologes se si të ushqehen fëmijët në shkolla

Mënyra e shëndetshme e të ushqyerit dhe aktiviteti fizik janë shumë të rëndësishme për fëmijët e moshës 6 deri në 12 vjeç, sepse kjo periudhë konsiderohet si një ndër fazat më karakteristike të zhvillimit mendor dhe fizik, thotë për KALLXO.com dietologia Vala Pupovci.

“Në këtë moshë, është e domosdoshme që fëmijës t’i servohet ushqim i shëndetshëm, në mënyrë që të merren të gjitha vlerat ushqyese të nevojshme. Nga ana tjetër, meqë fëmija ka për model prindin, këto rregulla ushqimore duhet të aplikohen edhe nga vetë prindërit, në mënyrë që fëmija të krijojë shprehi të shëndetshme të të ushqyerit përgjatë tërë jetës”, këshillon ajo.

Sipas Pupovcit rëndësi e madhe duhet t’i kushtohet shujtës së mëngjesit, e cila, sipas studimeve të shumta, ju ndihmon atyre që të jenë të disponuar dhe të koncentruar mirë gjatë orëve të mësimit.

“Energjia e marrë prej ushqimit ndihmon në rritje të shpejtë dhe funksion të mirëfilltë të trurit. Detyrat dhe aktivitetet e shkollës kërkojnë energji, pra furnizim të rregullt të trurit me glukozë. Prandaj karbohidratet komplekse, të marra prej burimeve të shëndetshme, siç janë frutat, perimet dhe drithërat (buka e zezë, tërshëra, orizi integral) duhet të jenë një prej komponentëve kryesorë në pjatën e fëmijës, e kjo vlen edhe për shujtën e mëngjesit”, thotë ajo.

Dietologia më tutje thotë se është mirë kur bashkë me materiet tjera merret edhe një burim proteinik i cili ndihmon në rritje dhe zhvillim të fëmijës, por gjithashtu edhe në ngopje.

“Produktet e qumështit janë burim tejet i mirë i proteinave, por edhe i kalciumit, nutrient ky esencial për zhvillimin e masës kockore. Përveç produkteve të qumështit, burime të shëndetshme të proteinës janë mishi, peshku dhe vezët të cilat kanë edhe hekur, element ky i domosdoshëm gjatë kësaj moshe kur vëllimi i gjakut rritet në mënyrë të shpejtë”, thotë Pupovci.

Pupovci më tutje thotë se një vakt i mirë dhe e shëndetshme i mëngjesit mund të përmbajë kos me tërshërë dhe një frut sezonal, apo një vezë me gjizë, bukë të zezë dhe perime, apo si mëngjes shumë i shpejtë, një smoothie me fruta, qumësht dhe me përzierje farash.

“Është mirë të evitohen mëngjeset që përmbajnë sasi të shtuar të sheqerit dhe yndyrërave siç janë drithërat e përpunuara, llokumat (petullat) apo lëngjet me sheqer të shtuar. Ato japin energji momentale, mirëpo përmbajnë sasi të ulët të vitaminave dhe nutrientëve tjerë të rëndësishëm”, thotë ajo.

Pupovci thotë se në kioskat pranë shkollave zakonisht ofrohen ushqime jo të shëndetshme, si tost me sallamë, hamburger, patatina, kroasanë, si dhe lëngje të gazuara dhe me sheqer të shtuar të cilat kanë efekte negative në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

“Kjo mënyrë e ‘varfër’ e të ushqyerit, jo vetëm që kompromiton kualitetin e jetës së fëmijës, por dëmton edhe potencialin e tij për të performuar mirë në shkolla. Prandaj, në mënyrë që fëmija të mos orientohet kah blerja e këtyre produkteve, është mirë që t’i jepet ushqimi i përgatitur në shtëpi”, thotë ajo.

Pupovci thotë se fëmijës t’i ofrohen alternativa të shëndetshme, gjithmonë duke pasur parasysh se shujta e shëndetshme duhet të përmbajë patjetër një frut apo perim të freskët, produkt qumështi, një produkt mishi më pak yndyrë apo alternativë mishi siç është veza, si dhe një produkt me drithëra integrale si buka e zezë, petëza integrale etj.