Këshilla e mjekut, kur duhet të ndodhë shtatzënia (VIDEO)

Shtatzënia mendohet si një proces që ndodhë në momentin që çifti është gati, por mjekët tregojnë se duhet pasur parasysh disa faktorë që ndikojnë në mbetjen apo jo shtatzënë.

“Shtatzënia nënkupton bashkimin e qelizës vezë me qelizën mashkullore, qeliza vezë prodhohet në ditën e ovulacionit që është përafërsisht mesi i ciklit menstrual dhe jodomosdoshmërisht në tentimin e parë duhet të ndodhë patjetër shtatzënia. Duhet pasur parasysh që qeliza vezë mbijeton vetën 24 orë dhe nëse marrëdhëniet nuk ndodhin në dritaren e fertilitetit, kështu që në aspektin mjekësorë konsiderohet normale nëse kalojnë disa muaj dhe nuk ndodhë një shtatzëni”, thotë për KALLXO.com gjinekologu Memli Morina.

Doktori thotë se ka çifte te të cilët ndodhë shtatzënia pa plan por ka edhe çifte që pas disa muajve përpjekje nuk vijnë deri te shtatzënia.

“Në qoftë se një çift ka marrëdhënie të rregullta të pambrojtura dhe nëse kalojnë mbi dymbëdhjetë muaj atëherë duhet të trajtohet si problem në qoftë se kalojnë pesë, gjashtë, apo tetë muaj nuk duhet të konsiderohet aspak problem. Është e vërtetë që faktorët nutricional, qoftë stresi kanë ndikim, mirëpo edhe personat që nuk ushqehen shëndetshëm edhe personat që kanë një stres të vazhdueshëm edhe te ato çifte mund të ndodhë shtatzënia”, thotë Morina.

Sipas doktorit çiftet duhet t’i kushtojnë rëndësi vizitës te mjeku para tentativave për shtatzëni që së paku të marrin këshillat për arritjen e një shtatzënie të shëndetshme.

“Ideale është që të bëhet vizita prekoncepcionale, pra përpara se të planifikohet një shtatzëni të bëhet një konsultë me mjekun dhe të shteren të gjitha pyetjet që mund t’i ketë. Gjatë kësaj vizite jepen këshilla për mënyrën e shëndetshme të të jetuarit, gjithashtu rekomandohen disa barna që mundësojnë të zhvillohet një fryt në mënyrë të shëndetshme dhe të merren këshilla se kur janë ato ditët në të cilat mund të ndodhë një shtatzëni”, këshillon doktor Morina.

Doktori thotë se shumë herë çiftet kërkojnë ndihmë edhe pas disa muajve të tentativës për shtatzëni pasi që presioni i rrethit është i madh.

“Kur një çift martohet ajo çka pritet të ndodhë është një shtatzëni dhe nëse nuk ndodhë njerëzit përreth mund ta perceptojnë si problem që në fakt mund të mos jetë problem i tillë po ideja është që gjatë ekzaminimit mjekësorë të vlerësohet që nuk ka një problem. Pa hy në detaje dhe të jepet kohë që librat thonë se duhet të pritet dhe nëse nuk identifikohet asnjë problem duhet pritur edhe pse ka raste kur shihet problemi dhe pritja mund të jetë e pakuptimtë por këto raste janë jashtëzakonisht të rralla”, tregon dr. Memli Morina.