Kanceri nuk shërohet me vaj guri apo të farës së zezë
Vaj guri, vaji i farës së zezë, panxhari, mjalti janë vetëm disa nga produktet që shohim gjithnjë e me shpesh në TikTok (shih këtu, këtu dhe këtu), për të cilat pretendohet se shërojnë sëmundjen e kancerit. Pos këtyre produkteve, ka edhe shumë preparate të tjera për të cilat thuhet se e shërojnë këtë sëmundje.
Onkologët në Kosovë kanë dhënë shpjegime të shumta, duke apeluar te qytetarët që të mos marrin barna, suplemente apo receta të ndryshme në internet, pasi të njëjtat mund të dëmtojnë shëndetin e pacientëve nëse të njëjtit janë duke përdorur terapi onkologjike.
“Substancat që i përmendët, pacientët i marrin kokë më vete, ose i marrin me rekomandime prej njerëzve që nuk janë kompetent e as profesional. Ne si mjekë nuk i rekomandojmë.” – thotë Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK.
Kurtishi tregon se ata u rekomandojnë pacientëve terapi alternative, e cila gjatë trajtimit onkologjik mund të ketë efekte lehtësuese te pacientët ose është e domosdoshme që t’i rekomandohet pacientit, në mënyrë që efektet anësore të barnave mund të jenë më të lehta ose të menaxhohen më mirë.
“Por, gjithmonë me aprovim dhe rekomandim të mjekut i cili e përcjellë gjendjen e atij pacienti, në mënyrë që sëmundja të kalojë më lehtë dhe efekti i barnave të jetë më i mirë.” – tregon ai.
“Këto receta në internet nuk duhet marrë, sepse nëse nuk ka ndonjë dëm atëherë s’ka as një efekt, ose mund të ketë efekt ne i themi ‘efekt psikologjik’, që nuk ka ndonjë impakt, por nëse këto receta e suplemente merren gjatë trajtimit onkologjik, mund të kenë efekte të dëmshme në kuptimin e zvogëlimit të efektit të barnave të cilat përdoren gjatë trajtimit të sëmundjes.” – ka thënë Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.
Tutje, Kurtishi ka treguar se suplementet i përdorin gjatë trajtimit onkologjik, por se ato janë të konfirmuara dhe e ndihmojnë pacientin ta tejkalojë vështirësinë e trajtimit onkologjik me barna.
“Nuk i përdorim në asnjë mënyrë ato barna që nuk kanë konfirmim e të cilat fatkeqësisht në Kosovë, por edhe në vende të tjera shiten online. Ka edhe informata të ndryshme të cilat mund të jenë të rrejshme dhe pacientët, qytetarët duke shfletuar raste të tilla, se ky ilaç bën mrekulli ose gjëra të tilla, d.m.th. keqinformohen, marrin ilaçe të ndryshme, pra substanca të cilat ne nuk i rekomandojmë.” – ka thënë Kurtishi.
Ai ka thënë se ka vetëm një mjekim për kancerin, ai i rekomanduar shkencërisht.
“Terapia adekuate për sëmundjet malinje, bazuar në shkencë është vetëm terapia onkologjike dhe mjekimi që bëhet nga mjekët profesionistë të cilët merren me këtë problematikë. Çfarë do tretmani tjetër duhet të ketë bazë ose rekomandim prej mjekut adekuat. Substancat si vaj guri apo vaji i farës së zezë, janë ato që pacienti i merr kokë më vete ose i marrin prej rekomandimeve të njerëzve që nuk janë kompetentë e ne ato nuk i rekomandojmë.” – ka treguar Kurtishi.
Krypometër ka biseduar edhe me onkologun tjetër të Klinikës së Onkologjisë, Destan Azemi. Ai ka thënë se kanceri është çrregullim i kodit gjenetik.
“Kanceri është çrregullim i kodit gjenetik. Këto kanë ndikim në imunitet. Është e vërtetë, por assesi s’mund të themi që ka mundësi të shërojnë kancerin, sepse s’mund t’i rregullojë kodet gjenetike.” – ka thënë Azemi.
Mjekja onkologe, Brunilda Profka Haxhiu ka thënë se nuk ka shumë njohuri për mjekësinë alternative dhe se për çdo gjë i referohet zbulimeve shkencore.
“Për çdo gjë duhet t’i referohemi hulumtimeve klinike me bazë shkencore. Ne i referohemi evidencës bazë dhe protokolleve që dalin prej studimeve të randomizuara, që janë mbi të gjitha.” – ka thënë Profka Haxhiu.
Shefi i Shërbimit të Radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, Behar Raci ka thënë se produktet bimore i rekomandojnë për imunitet, jo për terapi.
“Të gjitha produktet bimore besohet se ndihmojnë sëmundjet imunitare dhe njëkohësisht rrisin mundësinë për të luftuar sëmundjet malinje, mirëpo, si rekomandime, ne japim për imunitet, jo si terapi për kancer. Do të thotë, përdoret për të rritur imunitetin, që në mënyrë indirekte mund të forcojë sistemin imunitar në luftë kundër sëmundjeve kanceroze.” – ka shpjeguar Raci.
Raci ka folur edhe për pretendimin se panxhari shëron kancerin.
“Lidhur me rëndësinë e panxharit te tumoret, nuk ka të bëjë shumë me aspektin profesional. Pasi që panxhari dhe produktet e tjera me natyrë bimore përmbajnë në vete përbërës të rëndësishëm si vitamina e minerale. Mirëpo, në trajtimin onkologjik, nuk kemi të dhëna shkencore për këtë. Në përgjithësi, ajo çka dihet është që të gjitha produktet bimore me përmbajtje të vitaminave e mineraleve ndikojnë në rritjen e imunitetit. E, kështu, në mënyrë indirekte, mund të luftojnë edhe sëmundjet tumorale. Sidomos produktet bimore me sasi më të mëdha të vitaminës B17.” – ka thënë Raci.
Edhe onkologu tjetër, Ekrem Hyseni ka thënë se panxhari nuk ka ndonjë efekt në shërimin e kancerit.
“Panxhari ka veti të lehta antioksidante, por nuk ka ndonjë efekt domethënës kundër kancerit.” – ka thënë Hyseni.