Japoni: shkencëtarët krijojnë një pajisje që zbulon tumoret e trurit vetëm nga një mostër e urinës

Shkencëtarët në Universitetin Nagoya në Japoni kanë përdorur një pajisje të re për ta identifikuar një proteinë kryesore të membranës në urinë që tregon nëse një pacient ka një tumor në tru. Proteina e tyre mund të përdoret për ta zbuluar kancerin e trurit, duke e shmangur nevojën për teste invazive dhe duke i rritur gjasat që tumoret të zbulohen mjaft herët për kirurgji.

Hulumtimi i shkencëtarëve japonezë mund të ketë gjithashtu implikime të mundshme për zbulimin e llojeve të tjera të kancerit, dhe u botua në revistën ACS Nano.

Megjithëse zbulimi i hershëm i shumë llojeve të kancerit ka kontribuar në rritjet e fundit të shkallës së mbijetesës së kancerit, shkalla e mbijetesës së tumorit të trurit ka mbetur praktikisht e pandryshuar për më shumë se 20 vjet. Një pjesë e arsyes për këtë është zbulimi vonshëm i tyre.

Nanovezikula në urinë si një e dhënë e mundshme

Mjekët shpesh i zbulojnë tumoret e trurit vetëm pasi shfaqen simptoma neurologjike, të tilla si humbja e lëvizjes ose e të folurit, që do të thotë se deri atëherë tumori ka arritur tashmë një madhësi të konsiderueshme. Zbulimi i tumoreve ndërkohë që janë ende të vegjël dhe fillimi i trajtimit sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të ndihmojë në shpëtimin e jetëve.

Një shenjë e mundshme që një person ka një tumor të trurit është prania e vezikulave jashtëqelizore të lidhura me tumorin (EVs) në urinë. EV-të janë vezikula me madhësi nano të përfshira në një sërë funksionesh, duke përfshirë komunikimin ndërqelizor. Për shkak se ato që gjenden tek pacientët me kancer të trurit kanë lloje specifike të ARN-së dhe proteinave të membranës, ato mund të përdoren për ta zbuluar praninë e kancerit dhe përparimin e tij.

Biopsi e lëngshme

Megjithëse ekskretohen larg trurit, shumë EV nga qelizat e kancerit ekzistojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe ekskretohen në urinë pa degradim. Prandaj, testimi i urinës ka shumë përparësi, shpjegon profesori i asociuar Takao Yasui nga Fakulteti i Inxhinierisë i Universitetit Nagoya.

Një biopsi e lëngshme mund të kryhet duke përdorur shumë lëngje trupore, por analizat e gjakut janë invazive. Testet e urinës janë një metodë efektive, e thjeshtë dhe jo-invazive sepse urina përmban shumë biomolekula informative që mund të gjurmohen për ta identifikuar sëmundjen, shton tutje Yasui.

Një ekip shkencor i udhëhequr nga Yasui dhe Profesor Yoshinobu Baba nga Fakulteti i Inxhinierisë i Universitetit Nagoya, në bashkëpunim me Institutin për Inovacionin për Shoqërinë e Ardhshme të Universitetit Nagoya dhe Universitetin e Tokios, ka zhvilluar një platformë të re për analizimin e EV-ve të tumorit të trurit duke përdorur nanotela në fund të platformës. Duke përdorur pajisjen e tyre, ata identifikuan dy lloje specifike të EV-ve të proteinave membranore, të njohura si CD31/CD63, nga mostrat e urinës nga pacientët me tumor në tru. Kërkimi për këto proteina sinjalizuese mund t’i lejojë mjekët t’i identifikojnë pacientët me tumore edhe para se të shfaqin simptoma.

Aktualisht, metodat e izolimit dhe zbulimit të EV kërkojnë më shumë se dy instrumente dhe një analizë për t’i izoluar dhe më pas zbuluar EV-të. Analiza jonë mund t’i izolojë dhe zbulojë EV-të duke përdorur një procedurë të thjeshtë. Në të ardhmen, përdoruesit mund të kryejnë mostra përmes analizës sonë dhe ta ndryshojnë pjesën e zbulimit, duke e modifikuar në mënyrë selektive për të zbuluar proteina specifike të membranës ose miRNA brenda EV-ve për të zbuluar lloje të tjera të kancerit. Duke e përdorur këtë platformë, ne presim të avancojmë analizën e niveleve të shprehjes së proteinave specifike të membranës në EV-të urinare të pacientëve, gjë që do të mundësojë zbulimin e hershëm të llojeve të ndryshme të kancerit, përfundon Yasui./ EurekAlert

Përgatiti: Nuhi Shala