Jakupi: Të mos blihen vaksinat e paregjistruara antiCOVID

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka sqaruar se jo të gjitha vaksinat të cilët po përdorën në rang botëror dhe në rajon, janë të regjistruar në Agjencitë e Barnave.

Jakupi ka kërkuar të mos blihen vaksinat COVID-19 të cilat nuk janë të regjistruara.

“Pa paragjykuar cilësinë dhe efikasitetin e tyre, Kosova nuk duhet të blejë dhe përdorë COVID vaksinat të cilat nuk janë të regjistruara në nivel të Agjencive strikte të barnave në BE, FDA Amerikane (Stringent Regulatory Authorities)”, ka shkruar ai në facebook.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka premtuar se në muajin shkurt Kosova do të furnizohet me vaksinën anti-COVID.

Zemaj, ditë më parë pati publikuar në llogarinë e tij në facebook se Kosova tashmë ka siguruar 500 mijë vaksina anti-COVID nga kompania Pfizer.

Përveç kompanisë Pfizer, Institucionet Shëndetësore në vend do të furnizohen me vaksinën edhe nga kompania COVAX.