Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Infektiva me mungesë të Fraksiparinës, ministrja e Financave i bleu me para të veta

Institucionet shëndetësore në vend janë mbingarkuar me pacientë.

Dhe, përveç problemit me mungesë të shtretërve dhe oksigjenit në institucionet shëndetësore, qytetarët po detyrohen t’i blejnë barnat nga xhepi i tyre pasi që klinikat ku po trajtohen pacientët e infektuar me coronavirus nuk janë të furnizuara mjaftueshëm me barna dhe infuzione.

Me paratë nga xhepi i saj i ka blerë barnat e nevojshme për trajtimin pas infektimit me COVID-19 edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

“Unë kam qenë e shtrirë për pesë ditë në Klinikën Infektive dhe nuk e kam blerë unë (infuzionin) nuk e ka blerë askush, nëse nuk gaboj ka ndodh një ditë nuk kemi pas Fraksiparin (Fraxiparin) dhe na është thënë nëse keni mundësi me ble dhe i kam thënë dikujt të familjes dhe ma ka blerë”, ka deklaruar ministrja Hykmete Bajrami.

Kujtojmë se qytetarët janë detyruar të blejnë 180 deri në 200 euro një ampulë të ilaçit Remdesivir, ilaç i cili ka treguar efekt të mirë te pacientët e infektuar me coronavirus.

Pas raportimit të KALLXO.com, bari Remdesivir është duke u shitur 50 euro.

Kosova është duke u përballur me pandeminë e shkaktuar nga sëmundja COVID-19 që nga muaji mars i këtij viti dhe deri më tani janë infektuar 43,881 persona dhe prej tyre kanë vdekur 1,137.