3D Illustration. Virus and bacterial cells floating in the human body. Scientific and medical concept.

Infeksionet bakteriale janë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në botë

Infeksionet bakteriale janë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në botë pas sëmundjeve të zemrës, sipas një studimi në shkallë të gjerë të publikuar të martën, i cili emëroi Staphylococcus aureus dhe pneumococcus si dy bakteret më vdekjeprurëse.

Studimi, rezultatet e të cilit u publikuan në revistën Lancet, zgjodhi rreth tridhjetë baktere, shkaktarët më të zakonshëm të infeksioneve dhe shkencëtarët u përpoqën të vlerësonin se sa vdekje lidheshin me to.

Hulumtimi u krye si pjesë e të ashtuquajturës ‘barra globale e sëmundjes’.

Ky program i madh kërkimor, i financuar nga Fondacioni Bill Gates, është i një përmase të pakrahasueshme dhe përfshin disa mijëra studiues nga shumë vende të botës.

Autorët e studimit arritën në përfundimin se vdekjet e lidhura me bakteret e studiuara përfaqësojnë shkakun e dytë kryesor të vdekjeve në botë pas sëmundjeve koronare të zemrës, ndër të cilat dallohen sulmet në zemër.

Nga 7.7 milionë vdekje të lidhura me infeksione bakteriale, një në tetë i atribuohet efekteve të infeksioneve me Staphylococcus aureus dhe pneumokok. Këto të dhëna datojnë nga viti 2019, para pandemisë Covid-19.

Nga tridhjetë bakteret e përzgjedhura, pesë prej tyre shkaktojnë më shumë se gjysmën e vdekjeve: staphylococcus aureus, Escherichia coli, pneumococcus, Klebsellia pneumoniae dhe bacillus pyocyanin.

Staphylococcus aureus është “shkaku kryesor i vdekjes nga infeksioni bakterial në 135 vende”, zbulon studimi i lartcekur.

Por tek fëmijët nën moshën pesë vjeç, infeksionet pneumokokale janë më vdekjeprurësit.

Shkencëtarët thonë se këto rezultate janë një tregues i qartë se infeksionet bakteriale janë një prioritet urgjent i shëndetit publik.

Prandaj, ata bëjnë thirrje për angazhim në parandalimin e infeksioneve, përshkrim më të mençur të antibiotikëve, veçanërisht për të shmangur rezistencën ndaj këtyre barnave, si dhe përdorim më efektiv të vaksinave./VoA

Përgatiti: Nuhi Shala