Ilustrim

Ilaçi 'që ndryshon lojën' për diabetin e tipit 1 aprovohet në SHBA

Një ilaç imunoterapie i dëshmuar se vonon zhvillimin e diabetit të tipit 1, është miratuar nga rregullatorët në SHBA.

Ekspertët thonë ilaci Teplizumab shënon “epokë të re” ku trajton për herë të parë shkakun rrënjësor të këtij diabeti, dhe jo vetëm simptomat.

Terapia funksionon me riprogramim të sistemit imunitar për të ndalur sulmin e gabuar të qelizave pankreatike që prodhojnë insulinë.

Ka mundësi që ky vendim të miratohet edhe në vende tjera.

Në diabetin e tipit 1, sistemi imunitar (që normalisht lufton bakteret dhe viruset) sulmon gabimisht qelizat kryesore në pankreas që prodhojnë insulinë.

Insulina është thelbësore, pasi ndihmon trupin të përdorë sheqerin për energji, dhe shumica e trajtimeve aktuale fokusohen tek njerëzit që kontrollojnë sheqerin në gjak dhe marrin insulinë – me injeksion ose infuzion – çdo ditë.

Në vitin 2019, një testim shfaqi se ky ilaç vonoi zhvillimin e ketij diabeti tek disa njerëz në rrezik të lartë për një mesatare prej dy vjetësh.

Ekspertët thonë se kjo vonesë mund të jetë shumë domethënëse, veçanërisht për të rinjtë që nuk do të duhet të marrin insulinë ditore ose të monitorojnë sheqernat e tyre  intensivisht për atë periudhë kohore.

Ata sugjerojnë se njerëzit mund të kalojnë më shumë vite me sheqernat në gjak në gamë të shëndetshme, duke ofruar më shumë kohë për t’u mbrojtur nga ndërlikimet e sheqerit të lartë në gjak, si sëmundjet e veshkave ose të syve.

Rachel Connor, nga shoqata bamirëse JDRF UK, e cila pjesërisht financoi testin, tha: “Ky është një ndryshim i lojës. Për mua ky është fillimi i një epoke të re për trajtimin e diabetit të tipit 1.”

“Është hera e parë që jemi në gjendje të kuptojmë arsyen pse zhvillohet dhe të ndihmojmë në ndryshimin e procesit, kështu që nuk po trajtojmë më vetëm simptomat”- tha ajo.

Çfarë është diabeti?

Diabeti është gjendje shëndetësore që rezulton në rritje të nivelit te sheqerit në gjak.

Ekzistojnë dy lloje kryesore:

tipi 1 – kur sistemi imunitar i trupit sulmon dhe shkatërron qelizat që prodhojnë insulinë

tipi 2 – kur trupi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë, ose qelizat e trupit nuk reagojnë ndaj insulinës

Diabeti i tipit 2 është shumë më i zakonshëm se tipi 1.

Rreth 8.7 milionë njerëz kanë diabet të tipit 1 në mbarë botën. Në Mbretërinë e Bashkuar  400,000 njerëz kanë këtë tip diabeti,  përfshirë më shumë se 29,000 fëmijë. BBC