IKShPK

IKShPK apelon për marrje masash në parandalim të COVID-19

Numri i rasteve pozitive në vend përsëri ka filluar të rritet. Brenda 24 orëve në vend u regjistruan 461 raste pozitive, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë apel tek institucionet përgjegjëse dhe tek Policia e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatim të masave antiCOVID.

“Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”, thuhet në apelin e Institutit.

Instituti ka vlerësuar se duke respektuar masat e vendosura për luftim të pandemisë SARS-CoV-2 do të mund të parandalohet përhapja e infeksionit.

“Andaj rekomandojmë edhe një herë: Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme; Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëzit me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike; Ndalimi rigoroz i tubimeve; Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike; Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës”, thuhet tutje.

Kujtojmë se në tubimet elektorale gjatë fushatës zgjedhore, të gjithë partitë, me përjashtim të partisë FJALA, janë parë me qindra qytetar të grumbulluar, duke mos respektuar distancën dhe shumë prej tyre duke mos mbajtur maska.

KALLXO.com më 10 shkurt 2021, pati publikuar pamje nga IKShPK në pjesën e objektit ku merren rezultatet për coronavirus, në pamje shihej qartë se nuk ishte duke u respektuar distanca, njëra ndër masat për parandalim të përhapjes së coronavirusit.

Rritet numri i rasteve me COVID-19 në Kosovë