Hoti sërish jep premtime për vaksinat anti COVID

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka premtuar se në muajin mars do të vijnë vaksinat kundër COVID-19.

Ai gjatë një takimi me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka theksuar se Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës anti-COVID.

“Sa i përket furnizimit me vaksina, gjatë këtij muaji pritet të arrij kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX. Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës anti COVID-19, ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të  plotë të popullsisë”, thuhet në komunikatën e MSh-së.

Një premtim i tillë ishte bërë edhe në muajin shkurt, por dështoi. Kosova është vendi i vetëm në rajon i pafurnizuar me vaksinën anti-COVID.

Tutje ai ka potencuar se janë duke punuar intensivisht për rritjen e kapaciteteve, sigurimin e barnave dhe rritjen e numrit të personelit mjekësor.

Përsëri është kërkuar nga qytetarët të respektojnë masat për parandalim të përhapjes së infeksionit SARS-CoV-2.

Kujtojmë se gjatë fushatës zgjedhore subjektet politike nuk respektuan masat anti-COVID, pa distancë dhe pa maska janë parë me qindra qytetarë në tubimet e partive partiake, në përjashtim të partisë FJALA.

Masat kundër coronavirusit nuk janë duke u respektuar as në IKShPK edhe pse masat i vendos vet. KALLXO.com  dje ka siguruar një video ku shihen me dhjetra qytetarë pa maskë e pa distancë në tendën ku merren mostrat për COVID-19.

Në anën tjetër numri i pacientëve nëpër klinika e spitale rajonale është rritur dukshëm.