Hipertensioni - Marrja e kripës mund të ndikojë në mënyra të ndryshme tek burrat dhe gratë

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), pothuajse 1.3 miliardë të rritur të moshës 30-79 vjeç në mbarë botën kanë hipertension (presion të lartë të gjakut). Dhe që nga viti 1990, numri i njerëzve me hipertension global është dyfishuar.

Ka disa faktorë të njohur që e rrisin rrezikun e hipertensionit. Kjo perfshin:

  • Mosha: Hipertensioni është më i zakonshëm mbi moshën 65 vjeç.
  • Përkatësia etnike: Disa grupe etnike janë më të prirur ndaj hipertensionit se të tjerët.
  • Pesha: Obeziteti është një faktor kryesor rreziku për hipertensionin
  • Alkooli dhe duhani i rregullt
  • Gjinia: meshkujt kanë një rrezik më të lartë të zhvillimit të hipertensionit sesa femrat. Megjithatë, kjo është vetëm derisa femrat të arrijnë menopauzën.
  • Kushtet ekzistuese shëndetësore: Sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, sëmundjet kronike të veshkave dhe nivelet e larta të kolesterolit mund të çojnë në hipertension, veçanërisht kur njerëzit plaken.

Një faktor më pak i njohur që mund ta rrisë presionin e gjakut është ndjeshmëria ndaj kripës – tendenca e trupit për ta mbajtur kripën në vend që ta nxjerrë atë përmes veshkave.

Një përmbledhje e të dhënave epidemiologjike të publikuara në “Hipertension” sugjeron se gratë e të gjitha moshave dhe etnive janë më të ndjeshme ndaj kripës sesa burrat. Dhe kjo tendencë për të mbajtur më shumë kripë rritet pas menopauzës.

Dr Eric Belin de Chantemèle, autor i studimit dhe fiziolog në Qendrën e Biologjisë Vaskulare në Kolegjin Mjekësor të Gjeorgjisë në Universitetin Augusta thotë se “Fakti më i rëndësishëm i theksuar në këtë artikull përmbledhës është se gratë, qofshin ato para ose pas menopauzës, janë më të ndjeshme ndaj kripës sesa burrat.

Çfarë është ndjeshmëria ndaj kripës?

Kripa përmban rreth 40% jone natriumi dhe 60% jone klorur. Ne kemi nevojë për një sasi të vogël natriumi, rreth 500 mg (ose një çerek lugë çaji kripë) në ditë, për t’i përcjellë impulset nervore, për të kontraktuar dhe relaksuar muskujt dhe për ta ruajtur ekuilibrin e duhur të ujit dhe mineraleve.

Megjithatë, shumica e njerëzve marrin më shumë natrium sesa kanë nevojë. Në vendet me të ardhura më të larta, rreth 75% e marrjes së kripës vjen nga ushqimet e përpunuara dhe vaktet e konsumuara jashtë shtëpisë.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e këshillojnë rritjen e ushqimit të freskët në dietë për ta reduktuar marrjen e kripës dhe nëse konsumohen ushqime të përpunuara, duhet kërkuar ato që kanë më pak se 600 mg për porcion.

Sipas CDC, hulumtimi tregon një lidhje të fortë midis sasisë së kripës së konsumuar dhe niveleve të ngritura të presionit të gjakut (BP). Dhe për shumicën e njerëzve, ulja e marrjes së kripës rezulton në ulje të presionit të gjakut.

Në nivel global, njerëzit konsumojnë mesatarisht 9 deri në 12 gram kripë në ditë – rreth dyfishi i rekomandimit të OBSH-së prej 5 gramësh në ditë për shëndetin kardiovaskular.

Disa njerëz mund ta nxjerrin në mënyrë efektive një konsum më të lartë të kripës, kështu që nuk e rrit presionin e gjakut. Megjithatë, për shumë njerëz, ndryshimet në marrjen e kripës në dietë mund të shkaktojnë rritje ose ulje të dukshme të presionit të gjakut. Këta njerëz thuhet se janë të ndjeshëm ndaj kripës.

Shoqata Amerikane e Zemrës vlerëson se ndjeshmëria ndaj kripës është e pranishme në afërsisht 51% të njerëzve me hipertension dhe 26% të njerëzve që nuk kanë presion të lartë të gjakut.

Dhe ky rishikim sugjeron se ndjeshmëria ndaj kripës është një faktor në rreth gjysmën e rasteve kur shkaku i hipertensionit nuk është i dukshëm dhe se gjithashtu shpesh kontribuon në hipertensionin rezistent ndaj trajtimit.

Si ndikon marrja e kripës tek femrat kundrejt meshkujve

Prej kohësh është pranuar se burrat nën 65 vjeç kanë një rrezik më të lartë të hipertensionit sesa gratë, por rreziku rritet për gratë pas menopauzës.

Ky rishikim, megjithatë, sugjeron që për shkak se femrat janë të predispozuara ndaj ndjeshmërisë ndaj kripës, e cila mund ta rrisë presionin e gjakut, realiteti nuk është aq i drejtpërdrejtë sa ai.

Shpjegimi që ata e sugjerojnë është, ndoshta, befasues. Sipas Dr. Belin de Chantemèle, dëshmitë e njerëzve dhe kafshëve laboratorike tregojnë se veshkat e femrave janë më të mira në nxjerrjen e kripës. Problemi mesa duket është te enët e gjakut, sepse kripa duhet t’i relaksojë edhe enët e gjakut, por jo tek ata që janë të ndjeshëm ndaj kripës.

Sebnem Unluisler, M.Sc., inxhiniere gjenetike në Institutin Rigjenerues të Londrës mendon se “megjithëse hormonet steroide seksuale janë të rëndësishme në rregullimin e sistemit kardiovaskular, hulumtimet e reja sugjerojnë se kromozomet seksuale gjithashtu mund të përfshihen. […] Rritja e rezistencës vaskulare nga ndjeshmëria ndaj kripës çon në mosfunksionim endotelial, i cili mund të jetë një faktor më shumë te femrat sesa te meshkujt”.
Kur enët e gjakut relaksohen dhe zgjerohen, presioni i gjakut zvogëlohet. Megjithatë, nëse enët e gjakut nuk relaksohen, presioni i gjakut rritet.

Dr. Belin de Chantemèle thotë se enët e gjakut nuk relaksohen te shumë gra, duke i bërë ato të prirura ndaj ndryshimeve të presionit të gjakut të ndjeshëm ndaj kripës.

Roli i hormoneve në BP është debatuar gjatë. Ky rishikim zbuloi se BP e ndjeshme ndaj kripës është rritur pas menopauzës kur nivelet e estrogjenit ishin më të ulëta.

Dr. Meagan Williams, internist dhe Drejtor i Shëndetit të Grave në Harbour Health thotë për Medical News Today se kjo mund të ndodhë për shkak se “SSBP [presioni i gjakut i ndjeshëm ndaj kripës] rritet pas menopauzës – gjë që mund të sugjerojë se hormonet seksuale femërore (si estradioli) janë në të vërtetë mbrojtëse kundër SSBP, në vend të faktorit që i bën gratë më të ndjeshme ndaj kripës”.

Megjithatë, mund të mos jetë vetëm estrogjeni që ka një efekt. Dr. Belin de Chantemèle e vë theksin tek roli i një hormoni tjetër në SSBP:

“Të dhënat nga studimet tona dhe literatura tregojnë për paaftësinë e grave për ta ulur prodhimin e aldosteronit të hormonit që mban kripën, i cili gjithashtu kontrollon aftësinë e enëve të gjakut për t’u çlodhur. Nivelet e papërshtatshme të aldosteronit në përgjigje të gëlltitjes së kripës duket se e reduktojnë aftësinë e enëve të gjakut për t’u çlodhur.

Reduktimi i marrjes së kripës

Dr Meagan Williams është e mendimit se “ është e vështirë të bëhen rekomandime për gratë e ndjeshme ndaj kripës bazuar vetëm në këtë artikull rishikimi pasi në radhë të parë kjo na tregon se gratë janë më të ndjeshme ndaj kripës sesa burrat dhe po supozojmë se pse është kjo, [jo] domosdoshmërisht çfarë të bëjmë për të.  Megjithatë, në përgjithësi, është mirë që gratë që janë të ndjeshme ndaj kripës të jenë të vëmendshme ndaj marrjes së natriumit në dietë dhe të përpiqen ta reduktojnë atë nëse është e mundur”.

Dhe kjo këshillë vlen për të gjithë, jo vetëm për gratë e ndjeshme ndaj kripës, siç shpjegon Dr. Belin de Chantemèle:

“Njerëzit duhet t’i ndjekin rekomandimet e Shoqatës Amerikane të Zemrës në lidhje me konsumin e kripës. Aktualisht, sasia mesatare e [natriumit] të konsumuar në ditë është 3.4 g kur Shoqeria Amerikane e Zemrës rekomandon 2.3 g duke e ditur se sasia ideale do të ishte 1.5 g. /Medical News Today

Përgatiti: Nuhi Shala