Foto: KALLXO.com

Hepatiti misterioz global po përhapet në Azi dhe Kanada

Japonia raporton fëmijë me sëmundje akute të mëlçisë me origjinë të panjohur ndërkohë që Kanadaja po heton raste të ngjashme, me gati 200 sosh të regjistruara tani në mbarë botën.

Një sëmundje misterioze e mëlçisë që ka infektuar fëmijë në një duzinë vendesh të botës ka arritur në Azi, me një rast të raportuar në Japoni.

Rasti në Japoni i hepatitit akut – ose inflamacionit të mëlçisë – me origjinë të panjohur u raportua nga autoritetet lokale më 21 prill te një fëmijë që kishte rezultuar negativ për adenovirus – një shkak i mundshëm që po hetohet në mbarë botën – dhe Covid-19.

Pacienti nuk kishte bërë transplant të mëlçisë, është deklaruar ministria e shëndetësisë të hënën, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Të paktën një fëmijë ka vdekur nga një lloj misterioz i hepatitit të rëndë, konfirmon OBSH.

Agjencia e Shëndetit Publik të Kanadasë tha të martën se po i heton raportet për hepatitin e rëndë akut me origjinë të panjohur te fëmijët e vegjël ndërkohë që nuk zbuloi numrin e rasteve apo vendndodhjen e tyre.

Deri më tani në të gjithë botën, janë raportuar 190 raste misterioze të hepatitit akut te fëmijët, me 140 prej tyre në Evropë, kryesisht në Mbretërinë e bashkuar (110 raste). Raste të tjera janë gjetur në Izrael dhe në Shtetet e Bashkuara. Shtatëmbëdhjetë fëmijë u sëmurën aq shumë saqë kishin nevojë për transplantim të mëlçisë.

Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë në një alarm shëndetësor mbarëkombëtar javën e kaluar se rastet e para në SHBA u identifikuan në tetor në Alabama. Rastet e para në Mbretërinë e Bashkuar u regjistruan në janar.

Të shtunën, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se të paktën një vdekje ishte raportuar në lidhje me epideminë. Agjencia shëndetësore e OKB-së tha se rastet u raportuan te fëmijët e moshës nga një muaj deri në 16 vjeç. OBSH nuk tha se në cilin vend ka ndodhur vdekja.

Hepatiti zakonisht shkaktohet nga një prej disa viruseve ngjitëse të hepatitit, por këto nuk janë gjetur tek fëmijët e prekur. Verdhëza, diarreja dhe dhimbjet e barkut janë ndër simptomat e raportuara.

Një teori që po hetohet nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar është se mungesa e ekspozimit ndaj adenovirusit të zakonshëm – i cili zakonisht shkakton shqetësime në stomak dhe ftohje – gjatë pandemisë së koronavirusit ka çuar në sëmundje më të rënda tek fëmijët. Nga 53 raste të testuara në Mbretërinë e Bashkuar, 40 (75%) treguan shenja të infeksionit me adenovirus.

Drejtori i Shëndetit Publik të Skocisë, Jim McMenamin, i tha Reuters se po punohet për të kuptuar nëse një adenovirus ka pësuar mutacion për të shkaktuar sëmundje më të rëndë, ose nëse mund të jetë duke shkaktuar probleme “në të njëjtën kohë” me një virus tjetër, duke përfshirë ndoshta Sars-CoV- 2, virusi që shkakton Covid-19.

Zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar thanë se nuk kishte “asnjë lidhje” midis rasteve dhe vaksinës Covid-19, sepse asnjë nga fëmijët e prekur nga hepatiti nuk kishte marrë trombozë.

Andrea Ammon, drejtor në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Stokholm, tha: “Deri më tani nuk ka asnjë lidhje midis rasteve dhe asnjë ndërlidhje me të udhëtuarit”.

Sëmundja u shfaq tek fëmijët më parë të shëndetshëm, tha Ammon./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala