Gripi sezonal dyfishon numrin e pacientëve nëpër QMF-të e Prishtinës

Gripi sezonal i përhapur kohëve të fundit ka rritur edhe kërkesën për shërbime në kujdesin parësor në Prishtinë.

Fluksi i qytetarëve mund të vërehet edhe nga radhët e pritjes nëpër qendrat e mjekësive familjare nëpër qytet.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi në një deklarim për KALLXO.com ka thënë se është dyfishuar numri i vizitave si pasojë e këtij gripi.

“Në kujdesin parësor shëndetësor në Komunën e Prishtinës numri i vizitave ditore është dyfishuar dhe tani brenda 24 orëve realizohen rreth 3,000 vizita, ky numër është rritur si pasojë e gripit sezonal”, ka thënë Gashi.

Gashi tutje potencoi se gripi sezonal nuk ka shumë dallim me simptoma të COVID-19, përpos teshtimave, që nuk janë karakteristikë e këtij të fundit.

Ai theksoi se nuk kanë ende shumë njohuri sa i përket variantit të ri Omicron.

“Nuk ka dallime të mëdha, derisa te gripi sezonal paraqitet me shkuarje të hundëve e teshtimë te Covid -19 nuk janë këto. Covid-19 paraqitet më shumë me humbje të shijes, e te gripi sezonal nuk ka në shumicën e rasteve. Kurse, për variantin Omicron nuk kemi shumë njohuri”, shtoi tutje Gashi.

Gashi i cili deri para pak muajsh mbante pozitën e drejtorit të shëndetësisë në komunën e Prishtinës thotë se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme të stafit mjekësor kur ka fluks të tillë të qytetarëve.

Ai tha se qendrat me kërkesa më të mëdha i përforcojnë me staf dhe shërbime shtesë.

“Nuk kemi kapacitete të mjaftueshme, kemi pasur probleme edhe në menaxhimin me pandeminë andaj është dashur të bëjmë riorganizime. Të njëjtën e kemi bërë edhe tani gjatë paraqitjes së gripit sezonal duke përforcuar qendrat me fluks më të madh”, tha Gashi.

Komuna e Prishtinës ka 871 mjekë në kujdesin parësor shëndetësor, numër ky që sipas Gashit duhet të ndryshojë pasi numri i banorëve në Prishtinë është rritur, kurse ky numër është i destinuar të jap shërbime për 200 mijë banorë.