Gjumi jo i mirë dhe i parehatshëm ndërlidhet me demencën dhe vdekjen e hershme

Të moshuar të cilët kanë vështirësi të konsiderueshme për të fjetur dhe që përjetojnë zgjime të shpeshta të natës janë në rrezik të madh për të zhvilluar demencë ose për të vdekur herët nga çdo shkak i mundshëm, zbulon një studim i ri. 

Demenca – është një term i përgjithshëm për humbjen e kujtesës, gjuhës, zgjidhjes së problemeve dhe aftësive të tjera të të menduarit.

“Këto rezultate kontribuojnë në njohuritë ekzistuese se gjumi luan një rol shumë të rëndësishëm, çdo natë, për të zvogëluar rrezikun tonë afatgjatë për rënien njohëse nervore dhe vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet,” tha autorja e studimit Rebecca Robbins, një instruktore në mjekësi në Harvard Shkolla Mjekësore e specializuar në kërkimin e gjumit, shkruan CNN.

Lidhja midis gjumit, demencës dhe vdekjes së hershme nga çdo shkak është veçanërisht shqetësuese, thonë ekspertët, për shkak të zakoneve të gjumit të amerikanëve dhe njerëzve në të gjithë botën. Sipas Shoqërisë Botërore të Gjumit (World Sleep Society), mungesa e gjumit po e kërcënon shëndetin e deri në 45% të popullsisë së botës.

Foto CNN: Sëmundjet kronike të tilla si diabeti, depresioni, shtypja e lartë e gjakut, kanceri dhe obeziteti dhe shumë sëmundje tjera, janë të ndërlidhura me gjumin jo të mirë

Në varësi të moshës sonë, ne duhet të bëjmë gjumë nga shtatë deri në 10 orë çdo natë. Megjithatë, një në tre amerikanë nuk fle mjaftueshëm, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Për më shumë, 50 milionë deri në 70 milionë amerikanë përballen me çrregullime të gjumit të tilla si apnea e gjumit, pagjumësia dhe sindroma e këmbëve të shqetësuara.

CDC e quan këtë një “problem të shëndetit publik”, sepse gjumi i ndërprerë shoqërohet me një rrezik më të lartë të kushteve duke përfshirë diabetin, sulmin në zemër, sëmundjet kardiovaskulare – dhe demencën.

Rreziqet më të larta

Një studim i botuar kohët e fundit në Journal of Sleep Research, analizoi të dhënat e mbledhura nga Studimi Kombëtar mbi Trendin e Shëndetit dhe Plakjes (NHATS), i cili kryen intervista vjetore personale me një mostër përfaqësuese kombëtare prej 6,376 përfituesish të Medicare.

Të dhënat nga viti 2011 deri në vitin 2018 u ekzaminuan për studimin e ri, me një fokus tek njerëzit në kategorinë më të rrezikuar – ata që thanë se kishin probleme me gjumin “shumicën e netëve ose pothuajse çdo natë.”

Vështirësitë e vetë-raportuara të gjumit nga pjesëmarrësit në këtë studim u krahasuan më pas me të dhënat mjekësore të secilit pjesëmarrës.

Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, e ka konsideron gjumin e pamjaftueshëm si një Epidemi e Shëndetit Publik Amerikan

Për shkak se studimi NHATS mblodhi të dhënat vjetore të gjumit, studimi i ri ishte në gjendje të ndiqte tërësinë e vështirësive të gjumit për secilin person për plot tetë vite kohë, në vend që të kapte vetëm një fotografi në kohë. Kjo ishte forca e studimit, tha Robbins, sepse “shëndeti i gjumit mund të dobeësohet dhe të rritet me kalimin e viteve”.

Një forcë tjetër e studimit ishte aftësia për të dalluar ndikimin e një problemi të mirë për të fjetur kundrejt zgjimeve të shpeshta të natës në çdo rrezik të demencës dhe vdekjes.

Njerëzit që përballeshin me probleme për të fjetur shumicën e netëve kishin rreth 44% rritje të rrezikut të vdekjes së hershme nga çdo shkak, zbuloi studimi në fjalë. Ata që thanë se shpesh zgjoheshin natën dhe përpiqeshin t’i ktheheshin gjumit kishin një rrezik disi më të lartë – një rritje prej 56% të rrezikut të vdekjes së hershme nga çdo shkak.

Rreziku për demencë ishte i ngjashëm: Njerëzit që raportuan se përjetonin vështirësi në mënyrë rutinore për të fjetur kishin 49% rritje të rrezikut të demencës, ndërsa ata që shpesh zgjoheshin gjatë natës dhe kishin vështirësi të flinin në gjumë kishin 39% rritje të rrezikut të demencës.

Mirëpo njerëzit të cilët kishin shumë probleme për të fjetur kishin rrezikun më të lartë të demencës ose të vdisnin herët nga çfarëdo shkaku.

“Ne gjetëm një rrezik të shtuar prej 56% të demencës dhe një rrezik 80% më të madh të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet gjatë tetë viteve të ardhshme në mesin e atyre që kishin përjetuar të dyja vështirësitë e njëkohshme të gjumit- të flinin ose të zgjoheshin nga gjumi,” tha Robbins.

Studime shtesë

Një studim i vitit 2017 zbuloi se të rriturit e shëndetshëm të moshës së mesme që bënin një gjumë jo të mirë vetëm për një natë prodhojnë një bollëk pllakash Beta-Amiloide-një nga shenjat dalluese të sëmundjes Alzheimer. Beta-amiloidi është një përbërës proteinik ngjitës që prish komunikimin midis qelizave të trurit, duke vrarë përfundimisht qelizat ndërsa grumbullohet në tru.

Një javë gjumë i çrregullt rrit sasinë e tau-s, një proteine tjetër përgjegjëse për koklavitjet e lidhura me Alzheimer, demencën e lobit frontal dhe sëmundjen e Lewy body, zbuloi studimi i lartcekur

Një studim tjetër i vitit 2017 i krahasoi shënuesit e demencës në lëngun kurrizor kundër problemeve të vetë-raportuara të gjumit dhe gjeti se subjektet që kishin probleme me gjumin kishin më shumë gjasa të tregonin dëshmi të patologjisë tau, dëmtimit të qelizave të trurit dhe inflamacionit. Kjo ishte e vërtetë edhe kur faktorë të tjerë të tillë si depresioni, masa trupore, sëmundjet kardiovaskulare dhe medikamentet e gjumit u morën parasysh.

Higjiena e mirë e gjumit, thonë ekspertët, gjithashtu ka të bëjë me zakonet tuaja bazike të jetesës. Foto CNN

Të mos bësh shtatë apo tetë orë të plota gjumë gjatë natës po ashtu ndërlidhet me demencën, sipas një studimi të publikuar në muajin prill. Pas ndjekjes së gati 8,000 njerëzve për 25 vjet, studimi gjeti një rrezik më të lartë të demencës me një “kohëzgjatje gjumi prej gjashtë orësh ose më pak në moshën 50 dhe 60 vjeç” në krahasim me ata që flinin shtatë orë në natë.

Përveç kësaj, kohëzgjatja e vazhdueshme e gjumit të pamjaftueshëm tek njerëzit e moshave 50, 60 dhe 70 vjeç u shoqërua gjithashtu me një “30% rritje të rrezikut të demencës”, të pavarur nga “faktorët sociodemografikë, të sjelljes, kardiometabolikë dhe të shëndetit mendor”, përfshirë depresionin,” bën të ditur studimi në fjalë.

Çfarë duhet bërë?

Shkenca mjekësore nuk ka shërim aktual për demencën, por ka gjëra që mund të bëhen për ta zvogëluar rrezikun nga demenca.

Të ndalohet pirja e duhanit, të konsumohet pija vetëm në mënyrë të moderuar – në rast se pini – hani një dietë të ekuilibruar, bëni stërvitje, qëndroni aktivë mendërisht dhe mbani nën kontroll presionin e gjakut dhe kolesterolin janë mënyra të shkëlqyera për të mbajtur trurin dhe trupin të shëndetshëm, thonë ekspertët.

Mbani dhomën tuaj të gjumit, të qetë, të errët dhe të ftohtë – në temperaturën e duhur për ju. Dhe nëse luftoni me pagjumësinë, sigurisht që nuk dëshironi ta keni televizorin në dhomën tuaj të gjumit. Foto CNN

Ju gjithashtu mund të trajtoni çdo problem me gjumin duke trajnuar trurin tuaj për gjumë më të mirë. Ekspertët e quajnë atë “higjiena e gjumit” dhe sugjerojnë vendosjen e një rutine para gjumit të krijuar për t’u çlodhur dhe qetësuar, e cila nuk përfshin TV, telefonat e mençur ose pajisje të tjera që emetojnë dritë blu të paktën një deri në dy orë para gjumit.

Këshilla të tjera përfshijnë të pasurit një shtrat dhe jastëk të rehatshëm, mbajtjen e dhomës së gjumit të freskët, të qetë dhe të errët, dhe shmangien e kafeinës dhe alkoolit për orë të tëra para gjumit.

Çfarëdo që të bëni, mos qëndroni të privuar nga gjumi: Nëse provoni këto këshilla dhe nuk mund të relaksoheni, ose gjumi juaj vazhdon të përkeqësohet, atëherë sigurohuni që të kontaktoni mjekun tuaj ose profesionistin e shëndetit të gjumit.

 

Përkthimi: Nuhi Shala