Spitali Regjional i Gjilanit Foto: KALLXO.com

Gjilan, shtatë pacientë me COVID-19 po trajtohen me maskë CPAP

Spitali Rajonal i Gjilanit është mbushur me pacientë me coronavirus.

Aktualisht në këtë Spital janë duke u trajtuar 103 pacientë, 60 prej tyre janë me oksigjeno-terapi ndërsa shtatë prej tyre janë me maskë CPAP, maskë e cila u ndihmon pacientëve me vështirësi frymëmarrjeje.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Spitalit, Nisret Hajrullahu.

Tutje, ai tregoi se në Spitalin e Gjilan janë 130 shtretër të përcaktuar për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Aktualisht në këtë Spital janë 27 shtretër të lirë.

“130 shtretër janë të destinuar për pacientët me COVID-19, tash janë 27 të lirë”, konfirmoi Hajrullahu.

Drejtori tutje tregoi se në Spitalin Rajonal të Gjilanit brenda 24 orëve rreth 100 pacientë për pranojnë shërbime ambulantore.

COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila bartet te tjetri përmes stërpikave që përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga COVID-19.