Gjermania njofton për vdekjen e parë nga varianti i ri Omicron

Kancelari Olaf Scholz njoftoi për masa të reja të martën në përpjekje për ta ndaluar përhapjen e variantit të ri Omicron.

Instituti gjerman Robert Koch për sëmundjen infektive e ka konfirmuar vdekjen e parë në vend nga varianti Omicron, shkruan BBC.

Personi i vdekur është midis moshës 60 dhe 79 vjeç, thotë instituti në fjalë.

Rreth 810 raste të reja Omicron u regjistruan në Gjermani, duke e çuar numrin total të infeksioneve me variantin Omicron në 3,198 raste.

Të martën, kancelari i ri Olaf Scholz ra dakord për një sërë kufizimesh të reja për koronavirusin me 16 udhëheqësit rajonal të Gjermanisë.

Rregullat do të hyjnë në fuqi nga 28 dhjetori në një përpjekje për ta kufizuar përhapjen e variantit të ri dhe për t`i inkurajuar qytetarët që hezitojnë që të paraqiten për vaksinim.

Sipas masave të reja, maksimumi prej 10 personash të vaksinuar ose shëruar nga Covid-19 do të lejohen të marrin pjesë në një tubim privat.

Qasja në mjediset e mikpritjes do të mbetet e kufizuar për ata që janë vaksinuar, ndërsa aktivitetet sportive do të zhvillohen pa prezencën e spektatorëve.