Gjendja e pacientëve me COVID-19 në Spitalin e Mitrovicës Jugore

Nëntë pacientë me COVID-19 janë të shtrirë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, një prej tyre është nën asistimin me oksigjeno – terapi ndërsa të tjerët janë në gjendje stabile.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Spitalit, Enis Istrefi.

“9 pacientë janë të shtrirë në Spitalin e Mitrovicës, një është me oksigjen, të tjerët janë stabil”, konfirmoi Istrefi.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sot ka njoftuar se në nivel vendi janë regjistruar edhe 637 raste të reja me SARS-CoV-2, përderisa në Mitrovicë janë regjistruar 25 raste.

Aktualisht Prishtina ka numrin më të lartë të të infektuarve me coronavirus.

24.792 pacientë janë infektuar me coronavirus në nivel vendi, përderisa 16.226 janë shëruar dhe 768 kanë vdekur.

COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes stërpikave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Coronavirusi, i cili e shkakton COVID-19-shin,  nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga COVID-19.

Rezultatet nga 1712 testime për COVID-19