COVID19 - Ilustrim - KALLXO

Gjendja e pacientëve me COVID-19 në Pejë

Në Spitalin Rajonal të Pejës aktualisht janë duke pranuar tretman mjekësor 25 pacientë me COVID-19, 17 prej tyre janë nën asistimin me oksigjeno – terapi dhe nga këta katër janë në gjendje të rëndë.

IKShPK dje ka njoftuar se në këtë komunë janë shënuar shtatë raste të reja të të infektuarve me coronavirus, përderisa në nivel vendi janë shënuar 186 raste me SARS-CoV-2 ndërsa 54 të tjerë janë shëruar.

Kryeqyteti mbetet komuna me më së shumti raste të të infektuarve me coronavirus.

Deri më tani në nivel vendi janë shënuar 17 mijë 943 persona me COVID-19, 15 mijë e 088 janë shëruar dhe 663 kanë vdekur.

Coronavirusi transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.