Gjakovë, qytetarët ankohen për pritje të gjata për teste të COVID-19

Disa qytetarë të komunës së Gjakovës janë ankuar rreth shërbimeve të Spitalit të Gjakovës “Isa Grezda”.

Në oborrin e Spitalit shihet që është ngritur një tendë për t’i pranuar pacientët.

Por qytetarët kanë raportuar në KALLXO.com se ka pritje në oborrin e Spitalit për t’i bërë testet e COVID-19 dhe që aty po shkaktohet tollovi pa nevojë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Spitalit, Hilmi Shalën.

Shala tregoi që tenda e vendosur në oborrin e Spitalit është në mbikqyrje të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Testet nuk i bën Spitali por Instituti dhe tenda në oborr të Spitalit është vendosur pas kërkesës së Institutit, andaj e njëjta është në menaxhim të IKSHP-së, do të thotë ata e koordinojnë situatën për personat që kanë të bëjnë testet e Covidit. Ndërsa sa i përket menaxhimit rreth situatës me Covid-19, ne si Spital regjional, sikurse të gjitha komunat tjera i kemi reduktu shërbimet tjera përveq ato emergjente dhe për momentin ka rënë numri i të prekurve me virus”- tha drejtori Hilmi Shala për KALLXO.com.

Ndërsa drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, dega në Gjakovë, Shkelzen Kurtaj e mohoi një ankesë të tillë të qytetarëve.

“Nuk është e vërtetë që ka pritje të mëdha, ndodh që mund të presin disa minuta sepse ne veprojmë me rend sipas listës për personat që kanë me u testu për Covid-19” -tha drejtori Kurtaj.