Fidan Gashi kthehet i shëruar nga Austria, ishte nga të lënduarit në eksplodimin në Ferizaj

Fidan Gashi, njëri nga të lënduarit në eksplodimin e bombolës javë më parë në një restaurant në Ferizaj, sot i është rikthyer familjes së tij.

Ai kishte marr trajtim mjekësore në Spitalin e Gracit në Austri dhe gjendja e tij shëndetësore, tashmë është e mirë

Këtë e ka bërë të ditur, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një shkrimi në facebook.

“Sapo e përcollëm në familjen e tij tashmë i kthyer dhe i shëruar nga Austria, z. Fidan Gashi, i lënduar nga eksplodimi në Ferizaj, muajin e shkuar”, ka shkruar Zemaj.

“Fidani është i shëruar dhe i është kthyer familjes. Shërimin e morën përsipër institucionet e Austrisë, ku ishte vënë në dijeni edhe Kancelari, z. Kurz dhe diplomacia e dy shteteve tona”, ka shkruar tutje ministri.

Ai gjithashtu ka potencuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetin e Turqisë për katër personat e tjerë të cilët janë duke u trajtuar atje, e që kishin pësuar në aksidentin e ndodhur në Ferizaj.

Zemaj ka shprehur falënderime të sinqerta për të gjithë kontribuuesit për trajtimin  dhe kujdesin e të lënduarve.

“Shpreh falënderim të thellë e të sinqertë për të gjithë ata që kontribuuan për marrjen përsipër të trajtimit dhe kujdesin për të lënduarit tanë, krerët e shtetit të Austrisë dhe Turqisë, ambasadorët tonë në shtetet përkatëse, z. Pllana dhe z. Dugolli për ndihmën e pakursyer. Të gjithë të lënduarve ju dëshiroj shërim të shpejtë ndërsa i falënderoj të gjitha familjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim”, është shprehur tutje.

Më 5 janar 2021 në Ferizaj eksplodoi një bombolë gazi ku la të lënduar disa qytetarë, katër prej tyre u dërguan në Turqi për trajtim të mëtutjeshëm për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar, ndërsa dy të tjerë u dërguan në Austri.

 

Kjo është gjendja e të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj