Festë e zymtë, 486 pacientë me COVID-19 ndërrimin e moteve e presin në spital

Edhe pak orë na ndajnë nga viti 2021.

Por viti që do të lëmë pas  do të mbahet mend gjatë për ngjarjet që ndodhën këto 365 ditë.

Sëmundja COVID-19, e cila filloi të përhapet më 13 mars të këtij viti, mori jetën e mbi një mijë qytetarëve.

Vdekja e parë nga SARS-CoV-2 u regjistrua më 22 mars.

Sonte përderisa shumica nga ne fillimin e vitit 2021 do të presim në mesin e familjarëve, 486 pacientë do të presin nëpër dhomat e spitaleve.

Ministria e Shëndetësisë njofton se në klinikat e Qendrës Klinikë Universitare të Kosovës 11 pacientë janë në respirator, 27 prej tyre janë në maskën CPAP ndërsa 314 janë nën asistim me oksigjeno – terapi, ndërsa nëpër shtatë spitalet rajonale në vend pse pacientë janë në respiratorë, 20 në maskën CPAP dhe 179 nën asisitim me oksigjeno – terapi.

Ndërsa sa i përket trajtimit të pacientëve është bërë e ditur se 202 pacientë janë duke u trajtuar nëpër klinikat e QKUK, përderisa 284 pacientë të tjerë janë të shtrirë në shtatë spitalet rajonale të Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sot ka njoftuar se brenda 24 orëve në nivel vendi janë regjistruar 184 raste të reja me coronavirus, ndërsa 420 persona të tjerë janë shpallur të shëruar.

Tutje, është bërë e ditur se tre persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19.

Nga 13 marsi deri më 31 dhjetor në Kosovë 51.328 qytetarë janë infektuar me coronavirus, 41.407 janë shëruar ndërsa 1.335 kanë vdekur.

Në nivel global pandemia ka prekur 83,456,526, përderisa 1,819,617 kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.