Efekti 'Benjamin Button': Shkencëtarët kanë arritur t'i ndryshojnë minjtë e moshuar në minj të rinj, qëllimi është që kjo të arrihet te njerëzit

Në laboratorin e biologut molekular David Sinclair në Shkollën Mjekësore të Harvardit, minjtë e moshuar po rikthehen përsëri në minj të rinj.

Duke përdorur proteina që mund ta kthejnë një qelizë të rritur në një qelizë staminale, Sinclair dhe ekipi i tij i kanë rivendosur qelizat e plakjes te minjtë në versionet e mëparshme të tyre. Në zbulimin e parë të ekipit të tij, të botuar në fund të vitit 2020, minjtë e vjetër me shikim të dobët dhe retina të dëmtuara mund të shihnin përsëri befasisht, me një vizion që nganjëherë i rivalizonte pasardhësit e tyre.

“Është një rivendosje e përhershme, me aq sa mund të themi, dhe ne mendojmë se mund të jetë një proces universal që mund të zbatohet në të gjithë trupin për ta rivendosur moshën tonë,” tha Sinclair, i cili i ka shpenzuar 20 vitet e fundit duke i studiuar mënyrat për t’i ndryshuar shkatërrimet e kohës.

“Nëse ne e kthejmë plakjen, këto sëmundje nuk duhet të ndodhin. Ne e kemi teknologjinë sot që të jemi në gjendje të shkojmë në qindra pa u shqetësuar për kancerin në të 70-at, sëmundjet e zemrës në të 80-at dhe Alzheimer-in në të 90-at,” that Sinclair për auditorin e Life Itself, një ngjarje shëndetësore dhe mirëqenie e paraqitur në partneritet me CNN.

“Kjo është bota që po vjen. Është – fjalë për fjalë – një pyetje se kur dhe për shumicën prej nesh, do të ndodhë kjo në jetët tona,” i tha Sinclair audiencës.

“Hulumtimi i tij tregon se ju mund ta ndryshoni plakjen për t’i bërë jetët më të reja për më gjatë. Tani ai dëshiron ta ndryshojë botën dhe ta bëjë plakjen një sëmundje,” tha ëhitney Casey, investitore që po bashkëpunon me Sinclair.

Ndërkohë që mjekësia moderne e trajton sëmundjen, ajo nuk e trajton shkakun themelor, “i cili për shumicën e sëmundjeve, është vetë plakja,” tha Sinclair. “Ne e dimë se kur e kthejmë moshën e një organi si truri i miut, sëmundjet e plakjes largohen më pas. Kujtesa kthehet; nuk ka më çmenduri.

“Unë besoj se në të ardhmen, vonimi dhe kthimi mbrapsht i plakjes do të jetë mënyra më e mirë për t’i trajtuar sëmundjet që e mundojnë shumicën prej nesh.

Një buton risetimi

Në laboratorin e Sinclair, dy minj ulen krah për krah. Njëra është fotografia e të riut, tjetra gri dhe e dobët. Megjithatë ata janë vëlla dhe motër, të lindur nga e njëjta pjellë – vetëm njëri është ndryshuar gjenetikisht për t’u plakur më shpejt.

Nëse kjo mund të bëhej, Sinclair pyeti ekipin e tij, a mund të realizohej edhe e kundërta? Studiuesja biomjekësore japoneze, Dr. Shinya Yamanaka, kishte riprogramuar tashmë qelizat e lëkurës së njeriut të rritur që të silleshin si qeliza burimore embrionale ose pluripotente, të afta të zhvillohen në çdo qelizë në trup. Zbulimi i vitit 2007 i dha shkencëtarit çmimin Nobel dhe “qelizat staminale pluripotente të induktuara” të tij shpejt u bënë të njohura si “faktorët Yamanaka”.

Megjithatë, qelizat e rritura të kthyera plotësisht në qeliza staminale nëpërmjet faktorëve Yamanaka e humbasin identitetin e tyre. Ata harrojnë se janë qeliza gjaku, zemre dhe lëkure, duke i bërë ato perfekte për rilindje si “cell du jour“, por të këqija në përtëritje. Ju nuk do të dëshironit që Brad Pitt në filmin “The Curious case of Benjamin Button” të bëhet një fëmijë menjëherë; ju dëshironi që ai të plaket duke kujtuar ende se kush është.

Laboratorët në mbarë botën u angazhuan lidhur me problemin e plakjes. Një studim i publikuar në vitin 2016 nga studiuesit në Institutin Salk për Studime Biologjike në La Jolla, Kaliforni, tregoi se shenjat e plakjes mund të zhdukeshin tek minjtë e moshuar gjenetikisht, të ekspozuar për një kohë të shkurtër ndaj katër faktorëve kryesorë Yamanaka, pa fshirë identitetin e qelizave.

Por kishte një anë negative në të gjithë këtë hulumtim: Në situata të caktuara, minjtë e ndryshuar zhvilluan tumore kanceroze.

Duke kërkuar për një alternativë më të sigurt, gjenetisti i laboratorit Sinclair, Yuancheng Lu, zgjodhi tre nga katër faktorët dhe i shtoi ato gjenetikisht në një virus të padëmshëm. Virusi u krijua për të dhënë faktorët rinovues Yamanaka në qelizat e dëmtuara të ganglionit të retinës në pjesën e pasme të syrit të një miu të moshuar. Pas injektimit të virusit në sy, gjenet pluripotente u ndezën më pas duke ushqyer miun me një antibiotik.

“Antibiotiku është thjesht një mjet. Mund të jetë vërtet ndonjë kimikat, vetëm një mënyrë për t’u siguruar që tri gjenet janë ndezur,” tha Sinclair. “Normalisht, ato janë të ndezura vetëm në embrionet shumë të reja në zhvillim dhe më pas fiken ndërkohë që plakemi.”

Çuditërisht, neuronet e dëmtuara në sytë e minjve të injektuar me tri qelizat u rinovuan, madje rritën aksonet e reja ose projeksionet nga syri në tru. Që nga ai studim origjinal, Sinclair tha se laboratori i tij e ka ndryshuar plakjen në muskujt dhe trurin e minjve dhe tani po punon për rinovimin e të gjithë trupit të miut.

“Disi qelizat e dinë se trupi mund ta rivendosë veten, dhe ata ende e dinë se cilat gjene duhet të jenë në funksion kur ishin të rinj,” tha Sinclair. “Ne mendojmë se jemi duke përdorur një sistem të lashtë rigjenerimi që e përdorin disa kafshë – kur i pret gjymtyrën e një salamanderi, ajo gjymyrë rritet përsëri. Bishti i një peshku rritet përsëri; një gisht i një miu rritet përsëri. “

Ky zbulim tregon se ekziston një “kopje rezervë” e informacionit të rinisë së ruajtur në trup, shtoi ai.

“Unë e quaj atë teoria e informacionit të plakjes,” tha ai. “Është një humbje informacioni që i shtyn qelizat e plakura të harrojnë se si të funksionojnë, të harrojnë se çfarë lloj qelize janë. Dhe tani ne mund ta prekim një çelës risetimi që e rikthen aftësinë e qelizës për ta lexuar përsëri saktë gjenomin sikur të ishte e re.”

Ndërkohë që ndryshimet kanë zgjatur për muaj të tërë tek minjtë, qelizat e rinovuara nuk ngrijnë në kohë dhe nuk plaken kurrë (si, të themi, vampirët apo superheronjtë), tha Sinclair. “Është po aq e përhershme sa plakja. Është një rivendosje, dhe më pas ne shohim që minjtë plaken përsëri, kështu që ne thjesht e përsërisim procesin.

“Ne besojmë se e kemi gjetur çelësin kryesor të kontrollit, një mënyrë për të kthyer orën prapa,” shtoi ai. “Trupi më pas do të zgjohet, do të kujtojë se si të sillet, do të kujtojë se si të rigjenerohet dhe do të jetë përsëri i ri, edhe nëse jeni tashmë i moshuar dhe keni një sëmundje.”/CNN