Drejtori i Gjinekologjisë flet për gjendjen shëndetësore të 18 grave shtatzëna dhe lehonave me COVID-19

Megjithëse ditëve të fundit ka një rritje alarmante të rasteve me COVID-19 në Kosovë, ku dominues është varianti Omicron, nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale situata vazhdon të jetë e qetë.

Njëra ndër kategoritë që mund të konsiderohet si e rrezikuar më shumë nga ky virus janë edhe gratë shtatzëna dhe lehonat.

Në Klinikën Gjinekologjike e Obstetrike të QKUK janë të shtrira 18 gra me COVID-19.

Drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismaili ka thënë se të gjitha pacientet janë në gjendje të mirë.

Ismaili ka deklaruar se nuk kanë raste të rënda në Klinikën e Gjinekologjisë.

“Sot i kemi pasur 18 pacientë me COVID-19. Disa janë që kanë lindë mbrëmë, disa një ditë më parë, por 18 janë gjithsej”, tha Ismaili.

Siç tha drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, asnjëra nga këto gra nuk ka pasur simptoma të rënda.

“Gjendja e tyre është stabile. Asnjëra nga to nuk janë, as nuk kanë qenë me simptoma të rënda. Të gjitha janë mirë, në gjendje stabile”, tha Ismaili.

Ndërkaq, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) gjatë 24 orëve të fundit kanë kërkuar trajtim 130 pacientë.

40 prej tyre janë të spitalizuar, ku prej tyre një është edhe i intubuar.

Kosova sot ka shënuar rekord të rasteve me coronavirus, ku në 24 orët e fundit janë konfirmuar 3 mijë e 206 raste të reja.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 11.883 testime, 3.206 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19.

MSh ka publikuar edhe grupmoshën e personave të infektuar, ku vërehet se grupmosha më e prekur nga virusi është ajo 10 – 19 vjeç, gjithsej raste të konfirmuara 1,012.

Pastaj, grupmosha 40 – 49 vjeç, 515 raste.  Grupmosha 30 – 39 vjeç, 500 raste. Grupmosha  20 – 29 vjeç, gjithsej raste 369.  Grupmosha 50 – 59 vjeç, gjithsej 308 raste.  Grupmosha 60 – 69 vjeç, 205 raste. Grupmosha deri 0 deri në 9 vjeç, 181 raste.

Grupmosha 70 -79, 75 raste, dhe grupmosha 80+, 31 raste të konfirmuara.

Në total numri i rasteve aktive është 15.247.

Ndryshe, në 24 orët e fundit janë dhënë 4.620 doza të vaksinës kundër COVID-19, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.742.039 doza të vaksinës.

Deri më sot 800.754 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, deri më sot janë dhënë 44.143 doza përforcuese dhe 7.866 doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus, Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat anti-COVID, ku pas orës 22:00 në të gjithë vendin vlen ora policore./Telegrafi