Foto: Ilustrim

Ide se si të ndreqet Shëndetësia në Kosovë

Sistemi shëndetësor duhet të disajnohet në atë mënyrë, që të kënaq pacientët me shërbime shëndetësore cilësore.

Që të arrihet kjo, duhet të mirëmbahet trekëndëshi Ministri e Shëndertësisë, Ofruesi i Shërbimit (mjekët, infermierët, stafi mbështetës) dhe Marrësi i shërbimit (pacientët).

Kushdo që vie në pushtet pas zgjedhjeve të 6 tetorit, do të mund të bëjë shumë nëse i ndërron edhe disa gjëra të vogla që mund të kenë impakt të madh.

Në vija të trasha, rekomandimi im për një qeveri të ardhshme do të ishte që, nëse dojnë të ketë funksionim më të mirë të sistemit shëndetësor në të ardhmen, duhet të:

Kemi një Ministri të Shëndetësisë që përpilon politikat shëndetësore dhe lufton për buxhet më të lartë në qeveri (Ministri të Financave)

Kjo Ministri duhet të decentralizojë plotësisht buxhetin te ShSKUK, ta ndaj buxhetin nëpër Klinka dhe Institute vartëse dhe pastaj të kërkojë llogari prej tyre, që të menaxhojnë si duhet.

Bëjë përpjekje maksimale që ofruesit e shërbimit shëndetësor (mjekët, infermierët, mamitë, etj) të jenë të kënaqur me pagat, kushtet e punës dhe statusin në shoqëri dhe të marrin përgjegjësi për rezultatet e punës.

Marrësi i shërbimit shëndetësorë (Pacientët) marrin shërbime të duhura dhe për nivelin e cilësisë së tyre, informojnë rregullisht edhe edhe ofruesin e shërbimit (mjekët, infermierët) edhe Ministrinë.

Pasi që caku përfundimtar i tërë këtij sistemi është që pacienti të jetë i kënaqur me shërbimin, këto janë disa propozime konkrete si të arrihet kjo.

Çdo klinikë të ketë zyren e vet informuese për pacientë dhe familjarë

Përvoja e pacientëve tregon që vendi ku ata dhe familjarët më së shpeshti informohen për gjendjen shëndetësore është korridori. Kjo duhet të ndryshoj urgjentisht.

Prej ditës së pranimit të pacientit në institucion shëndetësor, ai/ajo dhe familjarët e tij duhet të dijnë me saktësi se si do të trajtohet-mjekohet i njëjti, cilat do të jenë fazat e mjekimit (mjekimi, trajtimi, rehabilitimi) dhe për këto të informohet në bazë ditore duke u trajtuar dinjitetshëm, në konfidencë, brenda një zyreje, në qetësi dhe pa pengesa.

Ditën e parë pacienti duhet të nënshkruajë Fletëpëlqimin për procedurat mjekësore që do të ndërmirren në te (e jo vetëm Fletëpëlqimin për ndërhyrje kirurgjike, si është tani). Duhet të ketë barna, material shpenzues, pajisje mjekësore të mjaftueshme, dhoma komode të vendosjes dhe shtretër cilësor me mbulesa përcjellëse, veshëmbathje spitalore, nyje sanitare dinjitoze, që të plotësojnë nevojat e pacientëve. Në fund, pacienti dhe familjarët duhet të informohen për rezultatin e mjekimit.

Nëse kontakti i parë që ofruesi i shërbimeve e ka me pacientin është kontakt profesional, i dinjitetshëm, në baza të barabarta, në një hapësirë private ku flasim në suaza të barabarta me te, e jo ta bëjmë të ndihet që pacienti është në nevojë e ne jemi arbitri, do të ishte hapi i parë i kthimit të besimit në sistemin shëndetësor që populli e ka humbur te ne.

Trajtimi i mëtejëm (përfundimtar) i pacientit

Nëse Institucioni mjekësor në Kosovë nuk mund të kryej mjekimin definitiv të pacientit për shkaqe prej më të ndryshmeve, i njëjti-institucioni duhet të marrë obligim që të propozojë se në cilin Institucion në vend (publik ose privat) ose jashtë vendit, pacienti mund të shkojë për ta marrë këtë shërbim (në bazë të Kontratave paraprake ndërinstitucionale). Me këtë rast pacientit i jepet këshillë rekomanduese për më tutje (por pa e obliguar që kjo të bëhet patjetër) dhe pa e obliguar që për këtë të merr përsipër koston e shpenzimeve.

Duhet të krijohet formula ku të gjithë pacientët që nuk mund të gjejnë mjekim në institucionet shëndetësore të Kosovë, do të mund të përfitonin nga ndihma financiare, pa dallim nivelit arsimor, statusit social, kyçjes në nivele politike apo afërsive partiake me nivele të caktuara. Këto vendime për referime duhet t’i merr Klinika përkatëse dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) e jo t’i merr Ministria e Shëndetësisë.

Pas trajtimit në institucionet vendore ose ndërkombëtare, pacienti obligohet që të informojë Klinikat përkatëse për mënyrën dhe fazat e mjekimit deri në përfundim të procesit. Momentalisht kjo nuk ndodh, ShSKUK as nuk e referon formalisht pacientin se ku është vendi që mund të marrë shërbimin më adekuat për sëmundjen e tij, e as nuk e përcjell zhvillimin e pacientit pas intervenimit (në shumicën dërmuese të rasteve). Situata e tanishme konsiston në ate që ShSKUK jep rekomandim që pacienti duhet të mjekohet jashtë vendit, kurse MSh i kryen të gjitha procedurat tjera, e pacientit i mbetet të vendos për institucionin ku do të mjekohet. Nuk mund të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë me qytetarin e Kosovës, edhe kur nuk i kemi kushtet, duhet të bëjmë hapin që ai/ajo ka nevojë.

Kjo është sa i përket mbajtjes së kënaqur të pacientit.

E për të siguruar kënaqësinë e punëtorit shëndetësor me kushtet e punës, masat që duhet të ndërmirren ndahen në këto kategori:

Resurset Njerëzore

Resurset teknike-teknologjike

Resurset financiare

Resurset e Sistemit informative shendetësor dhe

Infrastruktura ligjore.

Resurset Njerëzore

QKUK është gjigant shëndetësor që ka 3400 punëtore, 750 specialistë, 2000 Infermierë dhe pjesa tjeter janë Administratë dhe Staf mbështetës, 37 klinika, 90 reparte, 2000 shtretër).

Momentalisht, Kosova nuk ka drejtor të QKUK-së. Sot, drejtori i Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) e udhëheq edhe QKUK-në edhe Spitalet regjionale. Kjo është gabim në organizim e menaxhim për shkak të mbinarkesës.

Si të bëhet përzgjedhja e këtyre drejtorëve është debat që e ka ndjek gjithmonë këtë sektor.

Me rregull, kuptohet që përzgjedhja e stafit menaxherial të QKUK-së, Spitaleve, Klinikave dhe instituteve tjera, kryhet sipas standardeve ndërkombëtare  (te ne kryhet sipas përkatësisë partiake politike, duke u mbuluar me dokumentacion në tërësi).

Por, derisa të arrijmë në këtë fazë të pjekurisë kur do të mund tëi zgjedhim drejtorët e klinikave e spitaleve rajonale në baza ekskluzivisht profesionale, duke e pa realitetin në Kosovë në dy dekadat e fundit, propozoj një fazë kalimtare që i përshtatet realitetit tone dhe propozimi im është si vijon.

Pasi që Ministrat dhe zëvendësministrat nuk hyjnë në Konkurs, por janë të përzgjedhur si top udhëheqës të sektorëve, opcion më i mirë do të ishtë që edhe drejtorin e ShSKUK-së le ta zgjedh Ministri, e drejtori i ShSKUK-së le t’i zgjedh ekipin e vet shëndetësorë që ka me udhëheq me spitale e klinika, pa konkurs publik, në mënyrë që të merr përgjegjësi maksimale edhe kur punët shkojnë keq ose kur ato shkojnë mirë.

Me këtë formë do të kërkohëj përgjegjësi nga Udhëheqësi për ekipin e tij, e poashtu do të shmangej mundësia që në garën e konkursit të fitonte joprofesionisti ndaj profesionistit, i padituri/më pak i dituri ndaj të diturit, si po fiton sot.

Pra, pasi konkursi publik sot bëhet vetëm si kamufli, dhe në fund prapë po zgjidhen njerëzit më pak profesionist-menaxherë se ata që po konkurojnë, mos të vazhdojmë të shtiremi se kemi zgjedhur drejtora të klinikave në bazë të konkursit, por le ta zgjedhim edhe formalisht atë që ia merr mendja ministrit, drejtorit të ShSKUK-së, drejtorave të klinikave që ja kryejnë punën më mirë. Nëse ata dështojnë, ishin dashtë të hiçen si garniturë nga po ajo politikë që i ka vendos aty.

Kjo formë e përzgjedhjes do të zgjaste deri në demokratizim të ndjeshëm të shoqërisë, duke ju shmangur improvizimeve primitive.

Mungesat e mjekëve në çdo klinikë

Nëse e bëjmë një skanim të resurseve njerëzore në sistemin tonë shëndetësor, është e habitshme se si edhe 20 vite pas lufte, për shkak të keqmenaxhimit në MSh, ne kemi mungesë të kuadrove specifike mjekësore.

Në Kl. Anestezionit janë plotësuar vetëm 50 % të nevojave për mjekë specialistë, mungon numri adekuat i specializantëve,

Mungesë e Farmacistëve klinikë në të gjitha klinikat dhe spitalet,

Mungesë e Gjenetistëve

Mungon arsimimi i Vazhdueshëm Profesional obligativ javor i përhershëm në të gjitha klinikat (me këtë merren Shoqatat e Mjekëve në baza vullnetare),

Mungon arsimimi specifik i mjekëve për lëmi të posaçme deficitare,

Mungesë e kontratave specifike që ky staf i trajnuar të mbahet në institucione publike, së paku për kohë të caktuar,

Mungojnë Kolegjiumet profesionale interdisiplinare,

Mungesë e planifikimit afatgjatë të kuadrove – specializantëve dhe specialistëve të domosdoshme për QKUK dhe Spitalet regjionale (Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë).

Ndarja e specializimeve në Kosovë është problematike sepse janë dhënë specializime për fëmijë të mjekëve, të njerëzve të politikës ndërsa kanë mbetur jashtë dhe janë larguar nga Kosova mjekë shumë të mire, të cilët po tregojnë rezultate të jashtëzakonshme në vendet perëndimore. Nga ana tjetër Spitalet rajonale kanë mbyllur disa reparte për shkak të mungesës së mjekëve, si shembulli i spitalit të Pejës. https://kallxo.com/shkurt/video-spitali-i-pejes-perballet-me-mungese-te-mjekeve/

Paradoks është fakti që kemi mungesë të specialistëve ndërsa nuk hapet konkursi i rradhës për specializantë, që nga viti 2016 https://kallxo.com/shkurt/ministria-e-shendetesise-nuk-tregon-daten-kur-hapet-konkursi-per-specializante/

Mungesë e ekipit të mirëfilltë që kryen monitorimin dhe evidentimin e infeksioneve brenda-spitalore në QKUK.

Mungesat e infermierëve në çdo klinikë

Mungesë dhe diskrepancë në plotësimin e këtyre nevojave (mungesa te theksuara në Neonatologji, Mjekim Intensiv Qendror-MIQ, Dializë, Institutin Onkologjik, Klinikat kirurgjike),

Raporti infermier/pacientë nuk i plotëson kriteret ndërkombëtare (së paku në çdo dhomë të pacientëve nga një infermiere), e kjo sjellë shërbim shëndetësor jokualitativ.

Arsimimi i Vazhdueshëm Profesional-APV javor dhe i përhershëm (mungon te ne),

Kur dërgojmë staf për APV në institucione prestigjioze të jashtme, duhet ta bëjmë me kontratë obliguese bartjen e atyre njohurive te stafi vendor,

Mungon planifikimi afatgjatë i kuadrove të domosdoshme për QKUK dhe Spitalet regjionale (Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë, Vushtrri) – çdo muaj afro 200 infermierë nga lista e pagave janë jashtë sistemit të punës për shkak të pushimeve mjekësore, pushimeve të lindjes, pushimeve pa pagesë etj, andaj duhet gjetur forma adekuate te rekrutimit dhe zëvendësimit të këtyre mungesave, që të mundësohet funksionim i mirëfilltë i sistemit shëndetësor.

Stafi mbështetës –

Mungesë e protokoleve të ushqimit në Kuzhinën qendrore,

Mungesë e informimit të pacientëve për menynë ushqimore,

Mungesë e theksuar e bartësve të pacientëve në të gjitha klinikat (personeli shëndetësorë e kryen edhe këtë punë në shumë raste),

Mungesë e stafit transportues të pacientëve mes klinikave dhe qendrës diagnostkuese radiologjiko-laboratorike,

Pamjaftueshmëri e stafit, pajisjeve elektrike dhe materialit higjienik (operator ekonomik privat aktualisht në ShSKUK), e për pasojë mirëmbajtje jokualitative e higjienës në nyje sanitare nëpër reparte të klinikave dhe salla të operimit,

Mungesë e punës së mirëfilltë të rojeve të sigurimit (Operator ekonomik privat aktualisht në ShSKUK) – hyrje të paautorizuara, vjedhje të shpeshta, numër i madh i përcjellësve nëpër reparte,

Mungesë e organizimit të mirëfilltë të elektricistëve, instaluesve te ujit dhe rregulluesve të dyerve dhe dritareve,

Mbingarkesë me staf administrativ dhe staf tjetër ndihmës,

Resurset teknike teknologjike

– Mungesa e hapësirave adekuate për pacientë, dhoma të pacientëve, dhoma për përgatitje për operim, dhoma për qëndrim pas operimit, banjo-dush kabina (Kl. Neurokirurgjise, Kirurgjisë Vaskulare, Plastike, Abdominale, Urologjisë dhe Kir. Fëmijëve nuk kanë dhoma të mjaftueshme dhe salla operative për pacientë, asnjëra klinikë në QKUK nuk ka banjo për pacientë, shumica nuk kanë dhoma për premedikim dhe dhoma për zgjim të pacientit pas operimit në anestezion të përgj.),

– Pamjaftueshmëri në Shtretërit e reparteve, komodeve përcjellëse, tavolinave të ushqimit në shtrat, çarshafëve, mbulesave dhe jastëkëve,

– Tavolinat operative, tavolinat e instrumenteve, llamba operative, shtretërit transportues, karriget speciale të sallave për qëndrim dhe operim janë të vjetruara mbi 35 vite, andaj urgjntisht duhet të blehen te reja (në shumë salla),

– Pamjaftueshmeri e pajisjeve diagnostikuese – PET scan (Positron Emission Tomography), MRI, CT (të minimizohet rradha e pritjes së pacientëve për këto proceduar diagnostike), Inkubatorë dhe Pajisje tjera në Neonatologji, Hemodializatorë në MIQ, pajisje dhe mjete për operim – instrumente moderne nëpër salla operative, ngrohës të pacientit, ngrohës të infuzioneve dhe produkteve të gjakut, monitoring nëpër reparte të klinikave internistike dhe kirurgjike,

– Pamjaftueshmëri e monitoringut për pacientë (së paku çdo dhomë e pacientëve duhet të ketë nga një monitor për parametra vital, ngase kjo do të rriste sigurinë e tyre në institucione shëndetësore),

– Pajisjet personale profesionale të mangëta – Stetoskopi, tensiometri, pulsoksimetri, çekani për reflekse, vizoret matëse, termometri, matësi i sasisë së rrjedhjes së infuzioneve, etj

– Veshëmbathje për tërë personelin, me veshje komode specifike për institucione shënd, mbathje komode të përshtatshme për përdorim për shumë orë brenda ditës (aktualisht merret veshëmbathja më e lirë në treg për personelin me punën më të ndjeshme dhe të rëndë në vend),

– Mungesë e sistemit qendror të ajrit të kondicionuar në reparte të klinikave – ndikimi negativ te personeli dhe pacientët,

– Funksionim jo i mire i sistemit qendror të ajrit te kondicionuar në traktin operativ (dimrit shumë ftohtë, verës shumë nxehtë) që shkakon ndikim negativ te personeli dhe pacientët,

– Mungesë e tuneleve lidhëse nëntokësore ose mbitoksore në mes klinikave (pacientët barten nëpër ambient të jashtëm nën kushte të ndryshme atmosferike deri te institucioni tjetër),

– Mungesë absolute e njësisë për pastrim dhe dezinfektim të shtretërve të pacientit, si dhe të hapësirave (asnjëherë nuk ka pas deri më tani),

– Mungesë e hapësirave adekuate për qëndrimin e kufomave 2 orë pas vdekjes dhe të kryerjes së ritualeve fetare,

– Mungesë e njësisë për transportin e kufomave.

Resurese Financiare

Për funksionimin normal të sistemit shëndetësor është i domosdoshëm burimi financiar i mjaftueshëm dhe i qëndrueshëm, që do të plotësonte nevojat e atyre që ofrojnë shërbimin shëndetësor dhe atyre që e marrin atë, Pacientëve.

Shëndetësia e mirë ka kosto, si në mbarë vende e zhvilluara.

Për vitin 2019 buxheti i ShSKUK është 121 milion euro. Unë mendoj që kostoja e krejt këtyre që i kam listuar më lartë nënkupton që duhet një buxhet prej 200 milion milion euro vetëm për ShSKUK (pra QKUK dhe spitalet rajonale) dhe pastaj shtesa për institucionet tjera shëndetësore.

Me një menaxhim si duhet, ky buxhet do të siguronte:

një rritje të ndjeshme vjetore të pagave për ofruesit e shërbimeve shëndetësore,

përmirësim të kushteve të punës,

arsimim dhe edukim të stafit në qendra prestigjioze ndërkombëtare dhe bartja e njohurive te stafi tjeter vendor (Marrëveshje bashkëpunimi),

blerjen e pajisjeve të shumta bashkëkohore, duke zvogëluar buxhetin për shërim të pacientëve jashtë vendit,

investime kapitale domethënëse dhe konstante, për të përmirësuar kushtet e trajtimit,

më shumë barna. material shpenzues dhe citostatikë për pacientë, përtej Listës Esenciale dhe

si rezultant do të kishim shërbim shëndetësor të nivelit më të lartë profesional dhe pacientë me nivel më të lartë të satisfaksionit.

Me këtë do të plotësohej edhe kriteri i hallkës së dytë – ofruesit e shërbimeve që është hallka më e rëndësishme në sistem shëndetësor.

Për dy dekada të fundit është konstatuar që është e paqëndrueshme situata ku Ministria e Shëndetësisë të menaxhojë me tërë buxhetin për ShSKUK dhe institucionet tjera shëndetësore, andaj duhet decentralizim i buxhetit nëpër klinika dhe institucione, ku pastaj secila prej tyre përgjigjet për nivelin e menaxhimit. Nuk ka menaxhim të klinikës pa buxhet të klinikës.

Resurset e Sistemit informative shëndetësor (SISh)

SISh mundëson lidhjen dhe funksionimin e mirëfilltë të të gjitha hallkave të sistemit shëndetësor dhe krijimin e data-bazës së të dhënave për projektimin, planifikimin dhe implementimin e punës profesionale dhe shkencore nëpër institucione shëndetësore. Poashtu do të lehtësonte funksionalizimin e Sistemit të Sigurimeve Shëndetësore-SSSh, i cili ka qenë i domosdoshëm për vite të tëra më parë.

Në kushte normale, me një operator ekonomik serioz, ky projekt do të zgjaste 2 vite. E pabesueshme që në Ministrisë së Shëndetësisë ende ekziston një zyre që mirret me këtë sistem e qe sa vjet nuk po mundet ta funkisonalizojnë. Një qeveri e ardhshme duhet o t’ia vendos drynin këtij projekti, o ta zbatojë deri në fund, për kohë sa më të shkurtë.

Infrastruktura ligjore

Ministria e Shëndetësisë (MSh) duhet që duke angazhuar një ekip ekpertësh vendor dhe ndërkombëtar, të mundësoj që duke shfrytëzuar përvojat e vendeve në zhvillim dhe përmes ekspertëve vendor të fushës, të përpilojë ligje dhe akte tjera nënligjore (statute dhe rregullore) funksionale, që do të mundësonin funksionimin e lehtë dhe të përpiktë të sistemit shëndetësor te ne. Mungesa e veprimeve të tilla ka sjellë situatën që të kemi një Ligj të Shëndëtësisë dhe të Sigurimeve Shëndetësore jofunksional, të paimplementueshëm, vështirë të plotësueshëm (u propozuan disa plotësime, por anjëherë nuk arritën në Kuvend për aprovim).

Forma Copy/Paste e ligjeve është treguar jofunksionale në të gjitha fushat.

Përmes infrastrukturës ligjore, MSh do të duhej të gjejë modalitete që Mjekësinë Primare (qendrat kryesore të mjekësisë familjare që janë nën menaxhim të komunave) ta vendos nën menaxhim të vet dhe me këtë do të mundësohej që piramida shëndetësore të ketë bazën dhe kokën komanduese, që do të ishte MSh, me cka do të lehtësohej planifikimi-dhënia e detyrave, implementimi, kontrolli dhe korrigjimi i të gjitha hallkave të sistemit shëndetësor: Mbrojtjes Primare, Sekondare dhe Terciare shëndetësore.

Si përfundim:

Dëmi më i madh sistemit shëndetësor ju ka bërë kur njerëzit joprofesional dhe me vlera të dyshimta menaxheriale janë vendos në udhëheqje të MSh dhe njësive tjera të sistemit shëndetësor dhe me këtë ju ka dhënë mundësia që të njëjtit të menaxhojnë-udhëheqin me njerëz profesionistë dhe me vlera të larta menaxheriale dhe etiko morale. Kjo përmbysje e vlerave, ka sjellë inversion drastik në peshoren ofertë/kërkesë, me pasoja të pakompensueshme për sistemin, deri më sot.

Njeriu i duhur, në vendin e duhur. Ky është çelësi i suksesit. Kjo nuk është ndonjë filozofi e re për ata që po garojnë në këto zgjedhje, por duhet më në fund, jo vetëm të flasim por ta zbatojmë këtë parim që profesionisti më i mirë dhe menaxheri më i mirë duhet të udhëheq me institucione. Profesionistët shumë vështirë po mund të angazhohen në një sistem të tanishëm, për shkak të humbjes së shpresës se dikush do t’i vlerësojë ose përzgjedh në pozita adekuate, konform cilësisë së tyre.

Nuk ka menaxhim të klinikave pa depolitizim të institucioneve shëndetësore dhe procedurave të rekrutimit të stafit udhëheqës dhe stafit tjetër punonjës.

Nuk ka menaxhim të institucioneve shëndetësore pa planifikim afatshkurte (1-5 vjetë) dhe afatgjatë (5-15 vjetë) të kuadrove, stafit mbështetës, pajisjeve, barnave dhe materialit shpenzues, të pavarur nga MSh (ngase ajo duhe të merret vetëm me politika shëndetësore).

Menaxherët kredibil, stafi kompetent, stafi mbështetës proaktiv, SISh i instaluar, pajisje teknike-teknologjike të kohës, buxheti i mjaftueshëm për kohën, sistemi i kontrollit të të gjitha fazave të procesit në nivelin e lartë, Infrastruktura ligjore dhe ndërlidhja e të gjitha këtyre segmenteve në një rrjetë kompetente dhe në harmoni të plotë të funksionimit të mirëfilltë, sigurojnë një Sistem shëndetësor stabil afatgjatë.

Lulzim Emini
Lulzim Emini

Lulzim Emini, anesteziolog, ishte udhëheqës i QKUK-së 2010-2011. Është Magjistër i Menaxhmentit në Shëndetësi, Anëtar i Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Sekretar i Asociationit Kosovar të Anesteziologëve në 6 vitet e fundit.

Artikulli i radhës është pjesë e serisë së analizave që ofrojnë zgjidhje për problemet më të mëdha të Kosovës, probleme të cilat qytetarët presin që do të adresohen në programe politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto analiza shkruhen nga ekipi jonë i ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune në terren në fushën për të cilën po shkruajnë. Nëse ka njerëz tjerë me ide për zgjidhje të problemeve, e që janë jashtë partive, po i ftojmë të na shkruajnë analiza të ngjashme në ditët në vijim. Po e botojmë këtë seri me qëllim që të ushqejmë programet e partitë politike me ide për zgjidhje të problemeve. Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë më shumë se zhurmë, huti dhe prognoza koti prej shoqërisë civile e mediave, andaj po ofrojmë ide për gjithë ata që e kanë seriozisht garimin në këto zgjedhje me program. Me këto analiza nuk po e luajmë vetëm rolin e kritikut dhe përshkruesve të mirë të problemeve, por, nëse lexoni deri në fund, do të shihni sugjerime për zgjidhje të problemeve. Të gjitha idetë janë të hapura për tu inkorporuar në programe të partive politike dhe për tu përdorur nga qytetarë e gazetarë për të zhvilluar debate substianciale gjatë zgjedhjeve.