Ilustrim
Diabeti nuk shërohet me vajra
Në TikTok janë publikuar video (shih këtu, këtu dhe këtu), të cilat pretendojnë se e kanë ilaçin për shërimin e diabetit përmes përdorimit të vajit të farës së zezë apo recetave të ndryshme.
Në këto video në TikTok janë bashkangjitur edhe mesazhe që gjoja i kanë dërguar klientët, të cilët e kanë përdorur udhëzimin e tyre dhe që tashmë janë shëruar nga diabeti brenda pak ditëve.
Për të verifikuar pretendimet e bëra në këto postime, se diabeti mund të shërohet duke konsumuar vaj të gurit, Krypometër ka kontaktuar me endokrinologun, Bardhyl Gashi.
Ai ka thënë se nuk ka asnjë bazë shkencore që mund të shërohet diabeti me këso produkte.
“Diabeti është sëmundje kronike. Nuk ka asgjë shkencore që dëshmon se vaji i farës së zezë shëron këtë sëmundje.” – ka thënë Gashi.
Gashi ka shtuar se pacientët që përdorin vaj guri mund të kenë efekte anësore në shëndetin e tyre.
“Unë nuk besoj në ato. T’u e ditë se vajguri ka disa efekte anësore. Ai kur merret ka me kalu nëpër gojë, nëpër ezofag, lukth e të tjera, d.m.th. shkakton efekte. Nuk dimë që ka ndonjë punim shkencor që është vërtetu, se vajguri e mjekon diabetin.” – ka thënë Gashi.
Sëmundja e diabetit është në mesin e sëmundjeve komplekse, trajtimi i së cilës duhet të kryhet vetëm në mbikëqyrjen e mjekut e këshillave të tij. Barërat të cilat duhet të përdoren për këtë sëmundje duhet të merren vetëm me recetën e mjekut. Ndërsa, edhe dieta ushqimore duhet të jetë e këshilluar nga mjekët.
Kjo këshillë bie në vazhdimësi ndesh me propagandat, të cilat në internet promovojnë shërimin e sëmundjes – pa këshillat e mjekëve.
“Diabeti është një sëmundje kronike e cila karakterizohet me, si thonë në popull ‘etje të shtuar, urinim të shpeshtë dhe oreks të shtuar’, por kjo s’do të thotë që ky rast është për çdo të sëmurë me diabet, sepse ka edhe ankesa të tjera.” – shpjegon Gashi.
“Për të diagnostifikuar diabetin, ne i bëjmë matjet e glikemisë, matjen e sheqerit esëll (glikemisë), që duhet me qenë mbi 7.1. Dy-tri herë radhazi edhe glikeminë e rastit, pra pas ushqimit që duhet me qenë mbi 11 me dy – tri vlera. Nëse kemi dyshime në këto vlera, kemi edhe disa teste shtesë, atë të ngarkimit me glukozë etj. Janë katër lloje të diabetit: diabeti i Tipit 2 është më i shpeshti, që paraqitet mbi moshën 35 vjeçare. Edhe, paraqitet shpesh në anëtarë të së njëjtës familje. Manifestohet zakonisht te njerëzit me mbipeshë.” – ka thënë Gashi.
Endokrinologu, Adem Rama ka thënë se diabeti është sëmundje kronike, tek e cila faktori kryesor është komponenta gjenetike, pra trashëgimia. Por, kjo sëmundje ka edhe shkaktarë tjerë.
“Trashëgimia nuk mund të ndikohet. 75% të atyre me diabet të Tipit 2 janë obezë. Pastaj, është ushqimi i shpejtë – duke mos harruar edhe stresin. Ne kemi vërejtur te popullata jonë që pas luftës, pacientët referojnë se nuk kanë askënd në familje me diabet, por atyre iu është paraqitur sheqeri. Pra, edhe komponenta e stresit ka ndikim në paraqitjen e diabetit.” – ka thënë Rama.
Ai ka rekomanduar se secili pacient duhet të konsultohet me specialistët e fushës, në mënyrë që të marrë udhëzime të personalizuara për trajtim të diabetit. Rama ka alarmuar se pacientët të cilët vonohen në trajtim të diabetit, mund të kenë komplikime shëndetësore.
“Shkenca e botës perëndimore tregon që për diabet të Tipit 1 gjithsesi duhet të merret insulinë. Tipi 2 mund të trajtohet vetëm me tableta dhe përcjellje strikte. Humbja e kohës te diabeti kushton shumë.” – shpjegon Rama.
Bardhyl Gashi, mjek endokrinolog në QKUK, ka në trajtim pacientë të cilët nga interneti kanë rënë pre e reklamave, të cilat promovojnë rrejshëm “çajëra që shërojnë diabetin”.
“Ne gjithmonë i këshillojmë pacientët dhe u rekomandojmë atyre që kurrë të mos blejnë barna pa përshkrimin tonë, pa përshkrimin e mjekëve. Është e vërtetë që në internet po shesin suplemente si ilaç, kështu që unë u kisha thënë që kurrë mos t’i blejnë ato – pa këshillën e mjekut.” – thotë Gashi.
“Një pacient që ka qenë me një terapi perurale, rastësisht lexon në internet dhe nëpërmjet shoqnisë i merr disa barna, disa çajëra prej jashtë vendit. Pacienti ka qenë mirë, por pas një muaj thotë ‘M’u ka çrregullu sheqeri’. E pyeta ‘Çka bane?’, thotë “M’i dhanë disa barna, disa çajëra online m’i ka ble një shok i imi dhe si i piva, u hallakat’. Ne ia ndërpresim atij ato çajëra, vazhduam me terapinë këtu që e ka marrë dhe pacientit iu rregullu sheqeri.” – ka treguar endokrinologu, Bardhyl Gashi.