COVID-19, vdesin dy pacientë në Spitalin e Gjilanit brenda 24 orëve

Infeksioni me COVID-19 ka marrë jetën e dy personave në komunën e Gjilanit.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar, Ukshin Ismajli, nga spitali i Gjilanit.

“Është konfirmuar sot edhe në takimin me bordin dhe komitetin emergjent edhe prej kryetarit të Komunës dhe është e vërtet që, njëri ka vdekur dje pasdite ndërsa tjetri sot në orët e hershme të mëngjesit”, konfirmoi ai.

Tutje, ai ka theksuar se aktualisht në këtë spital janë duke u trajtuar 14 pacientë me COVID-19 prej tyre dy janë në kujdes intensivë nën asistimin e maskës CPAP.

Numri i rasteve me COVID-19 është rritur dukshëm ditëve të fundit, dje IKShPK ka njoftuar se janë regjistruar edhe 137 raste të reja të infektimit, përderisa është shënuar një vdekje brenda 24 orëve.

Kryeqyteti mbetet komuna me më së shumti raste me COVID-19.

16 mijë e 891 persona janë infektuar nga pandemia e coronavirusit që nga muaji mars kur edhe u shfaqë rasti i parë i infektimit në nivel vendi, prej tyre 14 mijë e 666 janë shëruar ndërsa 653 kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.