COVID-19 ua mori jetën e 11 mjekëve në Kosovë

Institucionet Shëndetësore në vend janë duke u ballafaqur edhe me pakësim të stafit shëndetësorë.

Nga Oda e Mjekëve të Kosovë thanë për KALLXO.com se mbi 100 mjekë të infektuar me COVID-19 janë duke marrë tretman spitalor disa të tjerë janë në vetizolim.

Tutje, bëhet e ditur se deri më tani në Kosovë kanë vdekur 11 mjekë si pasojë e infeksionit me coronavirus.

“Të izoluar apo në trajtim spitalor janë mbi 100 mjekë, dhe të vdekur janë 11 mjekë të cilët kanë qenë aktiv në dhënien e shërbimeve shëndetesore dhe 2 pensionistë”, thuhet në përgjigjen e OMK.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri më tani në Kosovë janë infektuar 1004 mjek dhe 2860 punëtorë shëndetësorë.

OMK thotë se angazhimi i lëmive kirurgjike tregon se vendi është duke hyrë në krizë sa i përket institucioenve shëndetësore.

“Tani më edhe sektori i kirurgjisë ka filluar të angazhohet që është edhe një tregues se kapacitetet njerëzore janë duke hyre në krizë. Këtu nëse shtohen edhe faktorët si lodhja fizike dhe psiqike, atëherë mund të themi se jemë buzë një gjendje alarmante në ofrimin e shërbimeve adekuate dhe kualitetive”, thuhet tutje në përgjigjen e OMK.

Kujtojmë se vendi është duke u ballafaquar më COVID-19 që nga muaji mars i këtij viti. Deri më tani në Kosovë janë mbi 40 mijë qytetarë të infektuar dhe mbi 1000 të tjerë kanë vdekur.

Në anën tjetër grumbuj njerëzish janë duke u parë çdo ditë në vende të ndryshme të Kosovës duke mos respektuar masat anti- COVID të vendosura nga Qeveria e Kosovës.