COVID-19

COVID-19, rëndohet gjendja e pacientëve në Spitalin e Pejës

Institucionet shëndetësore në vend janë duke u ballafaquar me numër të lartë të pacietëve të infektuar me coronavirus.

Nga raporti ditor i Spitalit Rajonal të Pejës bëhet e ditur se 127 pacientë me COVID-19  janë duke u trajtuar, prej tyre 100 pacientë janë nën asistimin me oksigjeno – terapi, katër janë në Respiratorë dhe 25 të tjerë janë në gjendje të rëndë.

Në anën tjetër COVID-19 ka prekur edhe mantelbardhët, në këtë spital aktualisht janë 32 persona nga stafi shëndetësorë të infektuar me SARS-CoV-2, nëntë mjekë, 12 infermierë dhe 11 punatorë administrativë dhe të Shërbimit Teknik.

Kujtojmë se në komunën e Pejës dje janë regjistruar tre raste të reja me coronavirus, përderisa në nivel vendi janë shënuar 626.

Që nga muaji mars e deri më tani në Kosovë kanë vdekur mbi 1 mijë persona si pasojë e infeksionit me COVID-19.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.