COVID-19, gjendja e pacientëve në Spitalin e Mitrovicës

Në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës Jugore aktualisht janë duke u trajtuar katër pacientë me COVID-19. Gjendja e tyre është stabile.

Me rritjen e rasteve në nivel vendi është rritur edhe numri i pacientëve të cilët kanë nevojë për spitalizim.

Që nga e premtja në Spitalin Rajonal të Mitrovicës janë hospitalizuar katër pacientë.

Në këtë Spital tash e një kohë të gjatë nuk kishte ndonjë pacient me COVID-19 të hospitalizuar.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Spitalit, Enis Istrefi.

“Problemi është edhe me gripin sezonal, çdo simptomë e gripit mandej po lajmërohen në Spital, është rritë numri i pacientëve, por jo edhe shumë”, shtoi Istrefi.

Numri i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore është rritur edhe në Klinikën Infektive në QKUK, përderisa në këtë klinikë aktualisht janë vetëm 120 shtretër për pacientët me SARS-CoV-2

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se sot në komunën e Mitrovicës janë regjistruar 13 raste të reja të infektimit me coronavirus, përderisa në nivel vendi janë regjistruar 334 raste të reja me SARS-CoV-2.

Brenda 24 orëve janë shënuar tetë vdekje si pasojë e infeksionit me coronavirus.