Ilustrim

Shpikjet e kosovarëve për t'u testuar për coronavirus në vendet fqinje

Kosova është në mesin e vendeve me rrezikshmëri të lartë nga COVID-19 dhe rritja e shpejtë e numrave të të infektuarve ka krijuar barriera të udhëtimit për shtetasit e Kosovës.

Vendet fqinje si Maqedonia dhe Mali i Zi kanë vendosur kritere që qytetarët e Kosovës të kenë një test jo më të vjetër se 72 orë për t’iu lejuar hyrja në këto shtete.

Të dhënat tregojnë se vendi ka mundësi të kryej deri në 400 teste në ditë, e këto teste kryhen vetëm për njerëzit me simptome ndërsa të tjerët nuk kanë mundësi të testohen.

Kërkesa enorme për teste ka nisur zhvillimin e një tregu të zi në vend mbi bazën e të cilit laboratorë jashtë vendit si në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut u përdorën për të testuar shtetas të Kosovës.

Më 9 korrik, Qeveria maqedonase vendosi që qytetarëve të Kosovës, Serbisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi t’u kërkohet testi negativ për COVID-19 pas një periudhe dyjavore kur kufiri Kosovë-Maqedoni ishte krejtësisht i hapur dhe nuk kërkohej ky test.

Disa ditë më vonë, më 18 korrik, Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka arrestuar një person në pikën kufitare të Hanit të Elezit pasi që gjatë kontrollimit të veturë së tij janë gjetur 20 rezultate të testeve të COVID-19.

Sipas Policisë këto kanë qenë teste të ndryshme për qytetarë të Republikës së Kosovës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollimit të veturës së tij i janë gjetur 20 rezultate të testeve të COVID-19 për qytetarë të ndryshëm të R. Kosovës. I dyshuari së bashku ‘provat e testeve’ i është dorëzuar njësisë përkatëse policore për hetim të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Të dhënat e mëvonshme treguan një skemë ku mostrat merreshin në Prishtinë dhe dërgoheshin për tu testuar në klinika private të licencuara në Maqedoni.

Edhe pse ka pasur intervenim të policisë rasti tutje nuk është proceduar si rast penal për shkak se në Kodin Penal dërgimi i mostrave për analiza nga një vend në vendin tjetër nuk parashihet si vepër penale.

Shukri Jashari Kryeprokuror në Ferizaj i tha KALLXO.com se rasti është referuar në Inspektoriatin Shëndetësorë pasi nuk kanë gjetur elemente të veprës penale në këtë rast.

 “Unë e kam autorizu Policinë që me thirre Inspektoratin Shëndetësor për shkak se nuk ka elemente të veprës penale, nuk kam mujtë me gjet asgjë. Inspektorati i Shëndetësisë kanë ardhë në Ferizaj, çka kanë vepru më tej nuk e di. Unë iu kam thonë që nuk guxoni me hapë rast se nuk kemi të drejtë”, ka përfunduar Jashari.

Zgjidhja përtej kufirit

Që nga lehtësimi i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në Kosovë është shumëfishuar numri i të infektuarve me COVID-19 dhe numri i atyre që e kanë humbur betejën me këtë virus.

Deri më tash, kompetente për realizimin e testimeve për COVID-19 ka qenë vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) përderisa Qeveria ka dhënë dritën e gjelbër edhe për institucionet shëndetësore private për realizimin e këtyre testeve në mënyrë që të rriten kapacitetet e testimeve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, asnjë institucion nuk do të licencohet derisa kjo Ministri të përfundojë planin e strategjisë për testim.

Numri i mostrave të marra nga IKShP sillet rreth 400, duke prioritizuar edhe personat të cilët mund të testohen. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te shumë qytetarë të cilët kanë pritur me ditë të tëra të izoluar nëpër shtëpitë e tyre për të marrë një telefonatë nga Instituti se nëse ata janë në listë për t’u testuar.

Në mënyrë që të eliminojnë dilemën nëse janë të prekur me COVID-19, dhe në mungesë të alternativave brenda Kosovës, përpos IKShP-së, qytetarët e Kosovës ia mësynë institucioneve private shëndetësore në Maqedoninë e Veriut gjatë periudhës dy javore, 26 qershor deri më 8 korrik, kur kufiri ishte i hapur dhe nuk kërkohej rezultati negativ për COVID-19 nga autoritetet maqedonase.

Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, MAPL, ka denoncuar publikisht institucionet shëndetësore për “trajtim të pahijshëm” pasi që vetë ajo nuk ishte testuar, përkundër faktit se kishte shfaqur simptoma dhe se kishte dyshime të arsyeshme se ishte e infektuar.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook ajo ka njoftuar se është testuar pozitiv me COVID-19, pas një testi të bërë një institucion shëndetësor privat në Maqedoninë e Veriut.

“Të gjithë ata që kemi pasur kontakte, ju lutem, bëni kontroll mjekësore, meqë nuk do të kontrolloheni nga ndonjë institucion përgjegjës”, ka deklaruar ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar një nga institucionet shëndetësore private në Maqedoninë e Veriut, “Acibadem Sistina”, në lidhje me numrin e qytetarëve kosovarë që iu kanë drejtuar për të bërë testin për COVID-19.

Ky institucion nuk ka dhënë shifra për numrin e kosovarëve por ka thënë se kanë testuar me mijëra qytetarë duke përfshirë edhe pacientët nga Kosova.

“Ajo që mund të theksojmë është se “Acibadem Sistina” ka testuar mijëra qytetarë deri më tani, përfshirë pacientë nga Kosova”, thuhet në përgjigjen e “Acibadem Sistina”.

Vetëm gjatë periudhës dy javore, prej 26 qershor deri më 8 korrik, kur qytetarët e Kosovës mund të hynin në kufirin maqedonas pa test negativ për COVID-19, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, në territorin e Maqedonisë së Veriut kanë hyrë 29.495 shtetas të Kosovës. Pra, mesatarisht rreth 2.100 persona në ditë.

Një skemë tjetër është raportuar me testet të cilat janë kryer në Serbi.

Në laboratorin “Human” në Graçanicë më 4 korrik kanë deklaruar për REL se në këtë laborator janë marrë disa mostra për testim për COVID-19.

Mostrat ishin dërguar për tu testuar në një laborator në Nishë ndërsa rezultatet e këtij laboratori u përdorën nga qytetarët për të udhëtuar për në Mal të Zi gjatë kohës kur Mali i Zi kërkonte testin jo më të vjetër se 72 orë.

Tri gjoba për teste ilegale për COVID-19

Inspektorati Shëndetësor ka realizuar 104 inspektime në 7 regjionet e Kosovës në muajin qershor të këtij viti. Këto inspektime janë bazuar në informatat që Inspektorati i ka marrë nga mediat, qytetarët dhe organet e tjera kompetente.

“Janë monitoruar një numër i madh i IPSh-ve të licencuara si laboratore për ofrimin e shërbimeve shëndetësore nga fusha e Biokimisë dhe hematologjisë dhe Mikrobiologjisë bazuar në informatat të cilat kanë arritur nga mediat, qytetarët dhe organet kompetente se në këto laboratore janë duke u kryer analiza të mostrave të qytetarëve për COVID-19”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KALLXO.com.

Më së shumti inspektime janë realizuar në regjionin e Pejës, gjithsej 25. Në regjionin e Ferizajt janë realizuar 15 inspektime, në regjionin e Gjakovës 15 inspektime gjithsej, në atë të Gjilanit 13 inspektime, në regjionin e Mitrovicës 14 inspektime, në regjionin e Prishtinës 16 inspektime dhe në regjionin e Prizrenit 11 inspektime.

Nga gjithsej 104 inspektimet, Inspektorati Shëndetësor ka shqiptuar tri gjoba për laboratorët të cilët kanë realizuar teste për COVID-19 në mënyrë ilegale.

Më 13 korrik, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të rrisë kapacitetet testuese në institucionet publike dhe private përveç Institutit të Shëndetësisë Publike, i cili ka qenë i vetmi që ka kryer testime deri më tash.

Po ashtu ishte marrë vendim për krijimin e kapaciteteve të reja testuese në regjione.

Menjëherë pas vendimit të Qeverisë, Komuna e Prishtinës bleu 10 mijë e 800 teste për COVID-19 në vlerë 114,700 euro përmes furnizimit emergjent.

Përmes këtyre testimeve serologjike që do të bëhen në institucionet shëndetësore të Komunës së Prishtinës do të mund të identifikohen personat që janë në javën e parë të infektimit, ata që janë në fazën e avancuar apo ata që janë afër shërimit nga virusi.

Por, po ashtu me një nga këto testime do të mund të identifikohet nëse personi e ka kaluar virusin para një kohe të caktuar.

Këto teste që kanë filluar të bëhen në laboratorët që janë pjesë e sistemit shëndetësor të Prishtinës nuk janë teste të njëjta që bëhen në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR.