Dr.AFRIM GASHI - Reumatolog
ÇKA ËSHTË SINDROMA SJÖGREN?
Shkruan: Dr. Afrim Gashi – Reumatolog
Sjögren është çrregullimi i dytë më i zakonshëm autoimun që prek deri në katër milionë amerikanë. Megjithatë, që nga momenti i shfaqjes së simptomave fillestare duhen mesatarisht katër vjet për t’a diagnostikuar saktësisht.
Sindroma Sjögren është sëmundje autoimune kronike në të cilën trupi sulmon gjëndrat ekzokrine – gjëndrat që prodhojnë lagështinë e nevojshme në gojë, lëkurë, sy, zonën vaginale, traktin gastrointestinal dhe traktit respirator. Gjëndrat ekzokrine përfshijnë gjëndrat e pështymës, të cilat prodhojnë pështymë, një lëng thelbësor trupor kritik për shëndetin e përgjithshëm të mukozës së tretjes dhe mukozës orale. Shkaku i saktë i Sjögren është i panjohur.
Simptomat kryesore janë goja e thatë, sytë e thatë, lodhja dhe dhimbja e kyçeve, por Sjögren është një sëmundje sistemike, që prek të gjithë trupin.
Simptomat janë të ndryshme nga personi në person dhe mund të përfshijnë: Ndjenja e thatësisë, gërvishtjes ose djegies në sy,vështirësi në të folur, përtypur ose gëlltitur ,ndryshimi i shijes ose erës ,tharje e lëkurës dhe mukozës vaginale ,c’rregullime të tretjes e të tjera.
Sjögren shpesh mbetet i padiagnostikuar ose i keqdiagnostikuar. Diagnostikimi mund të jetë i vështirë sepse simptomat ndryshojnë nga personi në person dhe mund të ngjajnë me ato të menopauzës, efekteve anësore të barnave ose gjendjeve mjekësore si lupusi, artriti reumatoid, fibromialgjia dhe lodhja kronike.
Mjekët reumatologë janë përgjegjës për diagnostikimin dhe menaxhimin e sëmundjes, në bashkëpunim me oftalmologun dhe stomatologun.
Për të ndihmuar në lehtësimin e simptomave të gojës së thatë të lidhur me Sjögren, rekomandohen zëvendësuesit e pështymës, medikamente të përshkruara nga mjeku për stimulimin e gjëndrave të pështymës ose për trajtimin e kandidiazën orale.
Për të ndihmuar në lehtësimin e simptomave të syrit të thatë, rekomandohet lotë apo kremëra artificiale ,në rastet e rënda, ndërhyrje kirurgjikale e mbylljes së kanaleve të lotit.
Nëse simptomat e një personi shkojnë përtej atyre që prekin gjëndrat ekzokrine, mjekët mund të rekomandojnë:
• Barnat anti-inflamatore josteroidale (NSAIDs) për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve dhe muskujve
• Medikamente antifungale për trajtimin e infeksioneve me kandida dhe
• Steroidet, dhe/ose barna imunosupresive për trajtimin e simptomave sistemike.