Cilat janë efektet e mundshme të vaksinave anti-COVID?

Ndërkohë që bota nuk ka të ngjarë të dalë nga pandemia COVID-19 në çdo kohë së shpejti, vaksinat u kanë dhënë shpresë dhe liri miliona njerëzve në të gjithë botën që kanë jetuar nën masa të rrepta kufizimi për mbi 18 muaj.

Pas krijimit dhe miratimit të tyre nga autoritetet përkatëse mjekësore, futja në përdorim të vaksinave të koronavirusit ka ndodhur me shpejtësi marramendëse në disa vende.

Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, mbi 70 përqind e të rriturve amerikanë kanë marrë të paktën një dozë vaksine deri në fillim të gushtit, me më shumë se 50 përqind – rreth 168 milionë amerikanë – të vaksinuar plotësisht, sipas Universitetit Johns Hopkins, raporton Euronews.

Bashkimi Evropian, gjithashtu, tha se ishte në rrugën e duhur për të arritur objektivin e vaksinimit të 70 përqind të të rriturve me të paktën një dozë deri në fund të stinës së verës.

Mirëpo, kur dezinformatat janë kaq lehtë të qasshme dhe kaq lehtë të përhapura në platformat e mediave sociale, po bëhet një sfidë në rritje për të mbajtur vrullin e hershëm të programeve të vaksinimit.

BE ka dalë me deklaratë se është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e saj të vaksinimit kundër COVID. Associated Press

Për shembull, Richard Tice, ish-eurodeputet i Partisë Brexit dhe tani udhëheqës pasardhës i kësaj partie Reform UK, ndau pretendime të pasakta në Tëitter më 4 gusht në lidhje me efektet e vaksinës COVID-19 te fëmijët. Postimi i tij në Tëeeter u shpërnda gati 800 herë.

Ndërkohë që programi i vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar është vlerësuar për progresin e tij me mbi 60 përqind të të rriturve të vaksinuar plotësisht, një e treta e të rinjve nën moshën 30 vjeç – rreth 3 milionë njerëz – ende nuk e kishin marrë dozën e parë të vaksinës pavarësisht se ishin të përshtatshëm, thanë autoritetet britanike në fillim të muajit gushti.

Pra, pse ka kaq hezitim ndaj vaksinave tani kur një numër i madh i qytetarëve në mbarë botën tashmë janëvaksinuar?

Rritja e hezitimit ndaj vaksinave

“Për sa kohë që ka pasur vaksina, gjithmonë ka ekzistuar ajo që quhet “hezitim”, shqetësim ose pavendosmëri,” tha Dr Ben Kasstan, antropolog mjekësor dhe ekspert i vaksinave në Universitetin e Bristol, për Euroneës Next.

Shumë kohë para pandemisë COVID, efikasiteti dhe siguria e vaksinave shpesh provokonin një diskurs publik, shtoi ai.

“Nuk është hera e parë, por po jetojmë gjithashtu në kohëra shumë të ndryshme. Ne po jetojmë në një epokë ku shqetësimet përhapen shumë, shumë shpejt përmës mediave dhe rrjeteeve e tjera sociale në një mënyrë që ata ndoshta nuk e kanë bërë gjatë periudhës së MMR [fruthi, shytat dhe rubeola] në vitet ’90 dhe në fillim të viteve 2000,” tha Kasstan.

“Ne gjithashtu ndoshta duhet të kuptojmë, dhe të vazhdojmë të kuptojmë, se si njerëzit marrin vendime në lidhje me rrezikun dhe sigurinë, si e perceptojnë rrezikun e vaksinës së koronavirusit kundrejt vetë koronavirusit”.

Megjithë rëndësinë në rritje të lëvizjes anti-vaksinë, rëndësia e vaksinimit nuk mund të mbivlerësohet, jo më pak për shkak të kërcënimit të afërt të një numri në rritje të varianteve të koronavirusit. Ekspertët gjithashtu theksojnë se rreziku për t’u infektuar nga COVID-19 tejkalon shumë rrezikun e paraqitur nga vaksinat.

“Njerëzit të cilët janë vaksinuar do të kenë simptoma shumë më pak serioze dhe kërcënuese për jetën, por ata ende mund të përjetojnë dhe infektohen me COVID veçanërisht me variante më të forta,” deklaroi tutje Kasstan.

“Ndërkohë të njëjtit mund të mos shkojnë në spital, mirëpo ende mund të sëmuren në mënyrë të konsiderueshme. Pra, ne nuk e dimë se cilat variante do të zhvillohen dhe shfaqen në të ardhmen”.

Cilat efekte anësore specifike për vaksinat e koronavirusit janë raportuar deri më tani?

“Efekti anësor më i keq do të varet nga vetë personi dhe çfarë është e tolerueshme për të dhe si janë të përgatitur dhe çfarë do të presin,” tha Kasstan.

Efektet anësore më të zakonshme të vaksinës

Sipas të dhënave më të fundit të përpiluara nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar (NHS) dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), këto janë efektet anësore më të zakonshme të përjetuara nga të paktën një në 10 persona pasi janë vaksinuar me njërën nga tri vaksinat e autorizuara për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në BE.

Deri më sot, këto janë vaksinat Pfizer/BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca/Oxford. Përveç kësaj, BE-ja gjithashtu ka autorizuar përdorimin e vaksinës Johnson & Johnson (Janssen) të cilën ne e kemi përfshirë edhe si më poshtë.

Shumica e efekteve të raportuara kanë pasur kohëzgjatje prej zakonisht një ose dy ditë pas vaksinës së administruar.

Si e dimë ne që ky informacion është i saktë? Siç ndodh me çdo ilaç ose vaksinë të re në treg, raportimi i efekteve anësore inkurajohet në mënyrë aktive. NHS dhe EMA po përditësojnë vazhdimisht të dhënat e tyre për të kataloguar reagimet negative të vaksinave të cilat bëhen të disponueshme për publikun.

NHS, për shembull, mbështetet në sistemin e Kartës së Verdhë (Yellow Card) që i lejon njerëzit t’i raportojnë reagimet ndaj vaksinave COVID-19, kompleteve të testimit dhe ilaçeve në Agjencinë Rregullatore të Mjekimeve dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar (MHRA).

“Është me të vërtetë e rëndësishme dhe e dobishme për të kuptuar se si ndërvepron COVID-19 në kontakt me ilaçe të tjera që mund të përdoren për kushtet ekzistuese dhe është vërtet e dobishme të mblidhen prova për efektet anësore,” tha Kasstani.

Efekte anësore të rralla të vaksinës COVID

Ndërkohë që gjëra të tilla si dhimbja rreth hapësirës së injektimit dhe ethet janë të zakonshme, janë raportuar efekte të mundshme anësore të rralla, por gjithsesi shqetësuese.

Këto janë padyshim ato që shkaktojnë titujt më tërheqës, veçanërisht rreth lidhjeve me mpiksjen e gjakut, miokarditin dhe sëmundje të tjera serioze.

Përforcimi i këtyre rreziqeve pa u kualifikuar se rastet e raportuara të këtyre efekteve anësore janë jashtëzakonisht të ulëta është ndoshta arsyeja e vërtetë pas çdo shqetësimi që publiku ka pasur me sigurinë e vaksinave.

Kjo nuk do të thotë që rreziqet duhet të minimizohen, por raportimi i efekteve anësore ka bërë që protokollet dhe shpërndarja e disa vaksinave të jenë ndryshuar dhe përditësuar.

“Ka pasur disa çështje rreth rrezikut të lidhur me moshën ndaj vaksinës AstraZeneca në Mbretërinë e Bashkuar,” tha Kasstan.

“Dhe strategjia e shpërndarjes dhe implementimi i saj ndryshuan në përputhje me rrethanat në mënyrë që të rinjëve nën moshën 40 vjeç t’u ofrohet vaksina Pfizer ose Moderna në vend të AstraZeneca. Pra, në të njëjtën kohë me implementimin e programit, te jetë reagues edhe rreth asaj që po ndodh, çfarë po identifikohet “.

Vaksina Pfizer-BioNTech

The Pfizer coronavirus vaccine.Associated Press

Efekti anësor vaksinës Pfizer i dhënë më shumë kohë transmetimi ka qenë rreziku i raportuar i inflamacionit të zemrës, i njohur si miokardit, veçanërisht tek të rinjtë. Ndërsa ka ende të dhëna të pamjaftueshme për të qenë në gjendje të vlerësojmë shkallën e incidencës, ai konsiderohet të jetë një efekt anësor jashtëzakonisht i rrallë.

Një studim paraprak sugjeron që miokarditi në fakt ka gjashtë herë më shumë gjasa të shfaqet tek dikush pas infektimit me koronavirus sesa pas marrjes së një vaksine.

Më 12 gusht, BE-ja tha se po hetonte vaksinat Pfizer dhe Moderna pas një numri të vogël raportesh për efekte të reja anësore, përfshirë inflamacionin e veshkave, një çrregullim renal me humbje të madhe të proteinave në urinë dhe një reaksion alergjik të lëkurës.

Vaksina Moderna

Vaksina e koronavirusit Moderna. Associated Press

Ashtu sikurse edhe hetimi i vazhdueshëm i BE-së për efektet e reja anësore, për të cilat EMA thotë se është pjesë e një procesi rutinë të azhurnimit, vaksina Moderna ka pasur efekte të tjera anësore më pak të zakonshme të raportuara.

Për 1 në 1.000 njerëz, ekziston mundësia e zhvillimit të rënies së përkohshme të njëanshme të fytyrës, të njohur si paraliza e Bell, ose ënjtje të fytyrës (veçanërisht për ata që kanë bërë injeksione kozmetike). Efekte të tjera anësore përfshijnë marramendje ose ulje të ndjenjës së prekjes.

Në raste edhe më të rralla, miokarditi gjithashtu është raportuar, megjithëse ende nuk ka të dhëna adekuate për të vlerësuar se sa shpesh ndodhin rastet e lidhura me vaksinën.

Vaksina AstraZeneca/Oxford

Vaksina AstraZeneca/Oxford COVID. AP

Pas raporteve në muajin prill të cilat e ndërlidhën vaksinën e AstraZeneca me mpiksjen e gjakut, kjo vaksinë u tërhoq ose u vendos nën kufizime nga disa vende të BE-së. Këtu përfshiheshin kufizime të ndryshme në moshë.

Që nga atëherë, studimet kanë treguar se ekziston një rrezik i ngjashëm i mpiksjes sikurse me vaksinat Pfizer dhe Moderna. Shkalla e trombozës së venave të thella – një gjendje kur mpiksjet e gjakut ndodhin në venat e thella të trupit, zakonisht në krahë, këmbë ose ijë – ishin gjithashtu të ngjashme me vaksinën Pfizer. Sipas të dhënave të NHS, vetëm një në 10,000 mund të jetë subjekt i këtij efekti anësor.

Vaksina Johnson & Johnson (Janssen)

Vaksina kundër koronavirusit Johnson & Johnson (Janssen). Associated Press

Në muajin korrik, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) raportoi një numër rastesh të lidhura me një efekt anësor të mundshëm të vaksinës, sindromi Guillain-Barre. Rreth 100 njerëz zhvilluan një çrregullimin imunitar, i cili dobëson muskujt dhe në raste ekstreme shkakton paralizë, pasi morën një dozë të vaksinës.

Zyrtarët në këtë agjenci e përshkruan efektin anësor si një “rrezik të vogël të mundshëm” për marrjen e vaksinës. Shumica e njerëzve shërohen plotësisht nga sindroma edhe pse një nga 100 rastet raportohet të ketë vdekur.

Sipas të dhënave të NHS, raste ekstreme të mpiksjes së gjakut me trombocite të ulëta të gjakut janë raportuar gjithashtu të cilat mund të prekin një në 10,000 njerëz.

 

Përkthimi: Nuhi Shala