Cigaret elektronike dyshohet të jenë shkaktar i vdekjes së gjashtë personave në SHBA

Personi i gjashtë ka vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga komplikimet në mushkëri pasi që ka konsumuar cigare elektronike, thanë zyrtarët shëndetësorë të Kansas, raporton CNN

Gruaja ishte më e vjetër se 50 vjeç dhe kishte një histori të problemeve shëndetësore. Ajo ishte sëmurë rëndë menjëherë pasi filloi të përdorë cigare elektronike dhe simptomat e saj përparuan me shpejtësi.

Nuk është e qartë se çfarë lloji të cigares elektronike ajo përdori, tha Departamenti i Shëndetit dhe Mjedisit në Kansas.

Kjo vdekje ka ngjallur edhe më shumë shqetësim për sigurinë dhe rregullimin e cigareve elektronike.

Qendrat e SHBA-së  për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe departamentet e shëndetit shtetëror kanë hetuar këto vdekje.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se ata nuk kanë gjetur një arsye përfundimtare ose një lidhje të qartë midis rasteve të vdekura dhe konsumimit të cigares elektronike , por kanë dyshimet e tyre sepse që nga e premtja ka pasur më shumë se 450 raste të pacientëve me probleme në mushkëri pasi që kanë përdorur cigare elektronike.

Vdekja e parë nga sëmundja e mushkërive që mendohet të jetë e  lidhur me cigaret elektronike në Shtetet e Bashkuara u raportua në Illinois në gusht.

Përgatiti- Paulina Nushi- Muhaxhiri