Çfarë e shkakton sëmundjen e Parkinsonit? Katër faktorë rreziku që duhet t’i dini

Askush nuk e di saktësisht se çfarë e shkakton sëmundjen e Parkinsonit, megjithatë si shkaktar mund të jetë mosha, mjedisi, gjenetika dhe faktorët tjerë.

Sëmundja e Parkinsonit shkaktohet kur qelizat e trurit përgjegjës për prodhimin e dopaminës, lajmëtari kimik që koordinon lëvizjet e muskujve dhe reagimet emocionale të trupit, pushojnë së punuari ose vdesin. Zakonisht kjo rezulton me simptoma motorike, të tilla si dridhje, ngurtësi dhe ngadalësim të lëvizjes (e njohur si bradikinesia). Gjithashtu mund të rezultojë me simptoma të tjera si ankthi dhe depresioni.

Por, pavarësisht nga të kuptuarit shumë për simptomat e kësaj sëmundjeje, një pyetje e rëndësishme kërkon një përgjigjie po aq të rëndësishme: Çfarë e shkakton sëmundjen e Parkinsonit?

Fatkeqësisht, nuk ka një përgjigje të thjeshtë për këtë. “Ne nuk kemi një shkak,” thotë Lynda Nëabuobi, asistent profesoreshë e neurologjisë klinike në Institutin e Sëmundjeve dhe Çrregullimeve të Lëvizjes ëeill Cornell Parkinson. “Por bazuar në atë që kemi studiuar dhe mësuar, ne e dimë se sëmundja e Parkinsonit ndodh për shkak të një ndërveprimi midis trurit të plakur, gjenetikës dhe mjedisit ku jeton.”

Më poshtë po japim një vështrim më të afërt në disa nga gjërat që mund të shkaktojnë Parkinson, ose të rrisin rrezikun për çrregullimin neurodegjenerativ.

Mosha

Mosha nuk eshkakton drejtpërdrejt sëmundjen e Parkinsonit, por “të qenit një person i moshuar” është faktori më i madh i rrezikut për çrregullimin neurologjik, thotë Dr. Nëabuobi. Pse? Një shpjegim është se qelizat e trurit janë më të prirura ndaj lëndimeve me kalimin e kohës, ashtu si pjesa tjetër e trupit të njeriut. Një tjetër është se shprehja e gjeneve – në thelb mënyra se si funksionojnë gjenet e një personi – mund të transformohet me kalimin e kohës, duke shkaktuar ndryshime në aktivitetin qelizor që përfundimisht çojnë në Parkinson.

Zakonisht, njerëzit me Parkinson diagnostikohen në të 60-at e tyre dhe gjasat rriten me kalimin e moshës. Por gjithmonë ekziston mundësia që dikush të zhvillojë Parkinson të hershëm, ose Parkinson që ndodh para moshës 50 vjeç. Në ato raste, që përfaqësojnë rreth 4% të popullsisë së diagnostikuar, sëmundja ka më shumë gjasa të lidhet me gjenetikën.

Gjenetika

Sipas Fondacionit të Parkinsonit, gjenetika shkakton Parkinson në rreth 10% deri në 15% të rasteve. Por kërkimi gjenetik është ende në fillimet e tij, kështu që ekspertët nuk kanë ende një pamje të plotë të rolit që e luajnë gjenet. “Shumë mutacione gjenesh janë gjetur, por ne e dimë se ne thjesht po prekim sipërfaqen,” thotë Dr. Nëabuobi.

Studiuesit në Institutin Kombëtar të Shëndetit e kanë bërë ndërlidhjen e parë midis gjenetikës dhe Parkinsonit në vitin 1997, duke zbuluar se mutacionet në SNCAgene (PARK 1), i cili bën proteinën alfa-sinukleinë, ishin të lidhura me sëmundjen. Në mënyrë të veçantë, ata zbuluan se në qelizat e trurit të njerëzve me Parkinson, alfa-sinukleina mblidhet në grupe të quajtura trupa Leëy. (Këto grumbullime shoqërohen gjithashtu me demencën e trupit Leëy, sëmundja me të cilën u diagnostikua aktori amerikan i Hollyëoodit, Robin ëilliams, pas vdekjes së tij në vitin 2014.)

Pastaj është mutacioni GBA1, i cili kohët e fundit është shfaqur si anomalia gjenetike më e zakonshme e lidhur me PD. Normalisht, gjeni GBA1 prodhon GCase, një proteinë që në thelb i pastron qelizat e padëshiruara (mendojeni si një deponi mbeturinash). Por kur GBA1 është jashtë funksionit, ajo lejon një grumbullim të alfa-sinukleinës, e cila potencialisht mund të jetë një e dhënë për shkakun e sëmundjes së Parkinsonit.

Një tjetër mutacion i lidhur me Parkinsonin mund të ndodhë në gjenin LRRK2. Në fakt, janë të paktën 20 mutacione të njohura të LRRK2, sipas Fondacionit të Parkinsonit, dhe ato mund të gjenden në deri në 2% të të gjithë njerëzve me Parkinson. Individët që janë me prejardhje hebreje Ashkenazi dhe Berberë të Afrikës Veriore janë veçanërisht të prirur ndaj këtij mutacioni gjenetik.

A do të thotë kjo se dikush, prindi i të cilit ka Parkinson, patjetër do ta trashëgojë sëmundjen? Jo. “Edhe kur dikush ka një mutacion gjenetik të lidhur me Parkinson, gjasat për të zhvilluar sëmundjen janë të vogla,” sipas Fondacionit të Parkinsonit.

Por prania e një mutacioni të gjenit mund të luajë një rol të konsiderueshëm në shkakun e Parkinsonit – dhe ka një shtytje të madhe për të avancuar kërkimin mbi gjenetikën në mënyrë që të kuptohet më mirë sëmundja, të përmirësohet trajtimi dhe, me shpresë, të zbulohet një ilaç.

“Ajo që ne nuk dimë është shumë më tepër se ajo që dimë,” thotë Dr. Nëabuobi. “I inkurajoj të gjithë të bëjnë teste gjenetike, veçanërisht pacientët që kanë një histori familjare. Sa më shumë njerëz të testojmë, aq më shumë zbulojmë.”

Mjedisi dhe mënyra e jetesës

Mjedisi në të cilin jetoni mundet gjithashtu ta shkaktojë Parkinsonin, ose të rrisë rrezikun tuaj për të.

Cili është profesioni juaj? Ku jeton? A keni qenë të ekspozuar ndaj ndonjë toksine? Megjithëse ekspertët nuk E kanë përcaktuar lidhjen e saktë midis faktorëve të tillë mjedisorë dhe shkakut të sëmundjes së Parkinsonit, provat sugjerojnë se ata mund të luajnë një rol në zhvillimin e sëmundjes.

“Ka disa toksina që janë treguar se e rrisin rrezikun e Parkinsonit,” thotë Dr. Nëabuobi. “Për shembull, Agent Orange, të cilit shumë veteranë iu ekspozuan në Vietnam.”

Po kështu, disa metale, herbicide ose fungicide mund ta rrisin rrezikun e sëmundjes së Parkinsonit. Sipas Fondacionit të Parkinsonit, herbicidi paraquat është një shqetësim i veçantë – dhe pavarësisht se është i ndaluar në 32 vende, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Kinën, ai ende përdoret gjerësisht në Shtetet e Bashkuara.

Studiuesit gjithashtu kanë eksploruar nëse lëndimet traumatike të trurit ose tronditjet mund të shkaktojnë sëmundjen e Parkinsonit. Hulumtimet tregojnë se vetëm një tronditje e vetme mund ta rrisë rrezikun e sëmundjes së Parkinsonit me 57%.

“Nëse je futbollist ose boksier dhe ke pasur tronditje të shumta,” thotë Dr. Nëabuobi, “kjo e rrit rrezikun”.

Medikamentet dhe simptomat e Parkinsonit

Marrja e medikamenteve të caktuara – veçanërisht, atyre që e bllokojnë veprimin e dopaminës – mund të shkaktojë simptoma të sëmundjes së Parkinsonit. Është një gjendje e quajtur parkinsonizëm i shkaktuar nga ilaçet, dhe megjithëse nuk është vetë sëmundja e Parkinsonit, mund të duket dhe të ndihet shumë si ajo.

Këtu janë disa nga barnat që mund të shkaktojnë simptoma të sëmundjes së Parkinsonit:

  • Antipsikotikët (si flufenazina, pimozidi, haloperidol dhe perfenazina)
  • Medikamente kundër të përzierave (përfshirë klorpromazinën, droperidolin dhe prometazinën)
  • Barnat që trajtojnë çrregullimet e lëvizjes hiperkinetike (të tilla si tetrabenazina, deutetrabenazina dhe valbenazina)

Sipas Shoqatës së Sëmundjeve të Parkinsonit, edhe pse këto medikamente (dhe të tjera) mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme me atë të Parkinsonit, ato nuk shkaktojnë vetë sëmundjen. Dhe në shumicën e rasteve, simptomat largohen brenda orëve ose ditëve pasi të ndaloni marrjen e atij ilaçi. Në disa raste, simptomat e Parkinsonit nuk largohen pasi një person ndalon së marruri medikamente që çuan në to, dhe përfundimisht ata diagnostikohen me sëmundjen e Parkinsonit.

Sipas Shoqatës Amerikane të Sëmundjeve të Parkinsonit, studiuesit nuk mendojnë se mjekimi ishte shkaku i Parkinsonit në ato raste, por se nivelet e dopaminës së këtyre individëve tashmë ishin varfëruar dhe efektet anësore të ilaçeve zbuluan sëmundjen e tyre themelore të Parkinsonit. Kërkimet mbi shkaqet e sëmundjes së Parkinsonit vazhdojnë të rriten. Nëse përjetoni simptoma të Parkinsonit, të tilla si dridhje duarsh, ngadalësim i lëvizjes, probleme të ekuilibrit ose ndryshime në të folur ose të shkruar, kontaktoni me një mjek për ta diagnostikuar gjendjen./Health.com

Përgatiti: Nuhi Shala