Brenda një viti në Kosovë 350 raste të regjistruara të kancerit të gjirit

Shoqata e Onkologëve të Kosovës (SHOK) në bashkëpunim me shoqatën e Onkologëve të Shqipërisë (SHOSH) organizuan Konferencën Mbarëkombëtare për Kancerin e Gjirit me temën “UNLOCK HOPE- GIVE HER OPPORTUNITY” – “Hapeni shpresën – jepni mundësi asaj”.

Kjo ngjarje mblodhi bashkë profesionistë që merren me onkologji nga të gjitha viset shqiptare e ndër ta kishte edhe ndërkombëtarë.

Kjo ngjarje u mbajt në muajin tetor jo rastësisht. Muaji i tetorit është muaji i Muaji i Vetëdijesimit të Kancerit të Gjirit i cili shënohet në vende të botës çdo tetor dhe ndihmon në rritjen e vëmendjes dhe mbështetjes për vetëdijen, zbulimin dhe trajtimin e hershëm për këtë sëmundje.

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, Arben Bislimi, tha se kjo sëmundje nuk njeh kufi, komb as racë, dhe se përmes aktiviteteve të tilla duhet të mundohemi të reflektojmë së bashku.

Sipas Bislimit, vetëm vitin e kaluar në Klinikën e Ontologjisë janë regjistruar 350 raste të reja të sëmundjes së kancerit të gjirit.

Silviana Qeliku, kryetarja e Shoqatës së Onkologëve të Shqipërisë, shpreson se aktivitete të ngjashme të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.

“Ky aktivitet është detyrim për të gjithë sepse jemi vëllezër e motra. Shpresoj këto aktivitete do të vazhdojnë edhe në vitet në vazhdim”, tha ajo.

Ndërsa, Majlinda Ikonomi, tha se përparime në lidhje me trajtimin e kësaj sëmundje janë bërë edhe në aspektin e politikë bërjes.

“Përparimet nuk kanë të bëjnë vetëm me trajtimin e kësaj sëmundje por edhe me politikë bërjen në lidhje me trajtimin e kancerit të gjirit”, tha Ikonomi.