Brenda dy ditësh Kosova do të furnizohet me vaksinë kundër gripit sezonal

Institucionet shëndetësore në vend pritet të furnizohen me vaksinë kundër gripit sezonal gjatë këtyre dy ditëve.

Vaksinat pritet të vijnë nga Koreja e Jugut, ku edhe janë prodhuar.

“Kosova gjithmonë ka blerë vaksinat e gripit sezonal përmes UNICEF-it në prokurim ndërkombëtar. Dhe, kjo organizatë  që ndihmon vaksinimin në vende të ndryshme të botës, posaçërisht vaksinimin e fëmijëve, i blen vaksinat e kualifikuara e vendet e ndryshme të botës sipas standardeve që ka përcaktuar OBSh. Vaksinat që arrijnë këto dy ditë në Kosovë janë të prodhuara në Korenë e Jugut”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KALLXO.com.

Nga Ministria thonë së për shkak të situatës epidemiologjike në vend nuk kanë arritur të furnizohen më herët dhe në fillim te javës që vjen ato do të shpërndahen në njësitë e vaksinimit të qendrave kryesore të mjekësisë familjare nga IKShPK dhe fillon vaksinimi i grupeve më të rrezikuara.

“160,500 janë blerë nga MSh përmes UNICEF-it dhe janë vaksina katër valente, apo vaksina me fuqi më të madhe ndaj virusueve sezonal agresive në qarkullim. Gjithashtu, janë vaksina të kualifikuara sipas standardeve më të larta të OBSh-së. MSh është në procedura të blerjes edhe të 50.000 vaksinave të tjera”, thuhet tutje.

Vaksinimi kundër gripit sezonal bëhet çdo vit në sezonën vjeshtë- dimër. Vitin e kaluar janë bërë 100.000 vaksina kundër gripit sezonal dhe vaksinimi pati filluar në muajin dhjetor.

Vaksinimi është proces i rregullt preventiv për mbrojtjen e popullatës nga gripi sezonal sidomos i grupeve  të rrezikuara si të sëmurët kronikë, të moshuarit, shtatzënat dhe grupet e tjera të rrezikuara.