Loja në baltë, foto/rawandunearthed

Balta ndikon në rritjen e sistemit imunitar

“Mos u bëni pis!” dikur ishte  vërejtje e vazhdueshme e familjes që fëmijët të mos ndotnin rrobat. Sot, shumë prindër mund të dëshirojnë që fëmijët e tyre të kishin mundësinë të kapnin pak nga ajo ndotje.

 Me rritjen e urbanizmit dhe joshjen e videolojërave dhe mediave sociale, kontakti me natyrën është shumë më i rrallë se në të kaluarën. Për shumë njerëz, thjesht nuk ka asnjë mundësi për t’u bërë me baltë.

Sipas hulumtimeve të fundit, papastërtia bashkohet me mikroorganizma miqësorë që mund të trajnojnë sistemin imunitar dhe të krijojnë elasticitet ndaj një sërë sëmundjesh,  përfshirë alergjitë, astmën dhe madje edhe depresionin dhe ankthin, raporton BBC

Këto gjetje tregojnë se dalja në natyrë nuk është vetëm e dobishme për shkak të mundësisë për të bredhur i lirë, por se disa materiale natyrore, si dheu dhe balta, përmbajnë gjithashtu mikroorganizma çuditërisht të fuqishëm, ndikimin pozitiv të të cilëve në shëndetin e fëmijëve sapo kemi filluar ta kuptojmë plotësisht.

Loja në natyrë ndikon në çlodhje mendore

Shumë nga përfitimet psikologjike të lojës në natyrë tashmë janë vërtetuar. Truri evoluon në peizazhe natyrore dhe sistemet  përceptuese janë veçanërisht të përshtatshme për hapësirat e jashtme.

Kjo do të thotë se skenat natyrore ofrojnë nivelin e përsosur të stimulimit, i cili mendohet se ndihmon në kthejllje të trurit kur është i lodhur dhe i shpërqendruar. Në mbështetje të kësaj teorie, një studim i vitit 2009 zbuloi se fëmijët me çrregullim të hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes (ADHD) ishin më të aftë të përqendroheshin pas një shëtitjeje 20-minutëshe në park, krahasuar me një shëtitje 20-minutëshe në rrugët e zonës urbane. 

Të qenit në afërsi me barin dhe pemët dukej se kishte efekt të dobishëm në mendjet e tyre. Autorët rekomanduan përdorimin e “dozave të natyrës” të tilla si një mënyrë e sigurt dhe e arritshme për të mbështetur fëmijët me ADHD, krahas mjeteve të tjera.

Aktivitete të tilla, larg shtëpisë ose klasës mund të ndihmojnë gjithashtu fëmijët të gjejnë mënyra për të përballuar emocionet që mund të jenë të vështira për t’u eksploruar në mjedise të tjera.

 E ashtuquajtura “terapia me tabaka me rërë”, e cila përfshin përdorimin e figurave të rërës dhe miniaturës për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e dikujt, është formë e pranuar këshillimi për fëmijët që përpiqen të shprehin verbalisht gjendjen e tyre emocionale.

 Fëmijët mund ta ketë më të lehtë të krijojnë forcë dhe qëndrueshmëri në një hapësirë ​​të madhe të hapur që po ashtu rezulton në rrezik të reduktuar të obezitetit (mbipeshës).

‘Shokët e vjetër-organizmat jo-infektivë

Hulumtimi i ri ofron një pamje të re mbi “hipotezën e higjienës”, e postuluar për herë të parë në fund të viteve 1980. Sipas kësaj ideje, reduktimi i madh i infeksioneve të fëmijërisë gjatë shekullit të 20-të pati efekt anësor të padëshiruar në sistemin imunitar të njerëzve, duke i bërë ata tepër reagues ndaj stimulimit më të vogël. Rezultati mendohej të ishte rritja e astmës, etheve të barit dhe alergjive ushqimore.

Shumë shkencëtarë tani nuk e pëlqejnë termin hipotezë higjienike, pasi dukej se dekurajonte sjellje të rëndësishme, si larja e duarve. Ata nuk pranojnë idenë se infeksionet, në vetvete, janë të dobishme për fëmijët. 

Në vend të kësaj, janë organizmat jo-infektivë që tani mendohet se janë kyç – në vend të atyre që në fakt i sëmurin fëmijët. Këta “miq të vjetër” kanë qenë rreth e rrotull për pjesën më të madhe të historisë evolucionare. Ata janë kryesisht të padëmshëm dhe stërvitin sistemin imunitar për të moderuar aktivitetin e tij, në vend që të reagojë tepër ndaj ndonjë infektimi të mundshëm.

Trupat tanë takohen me këta miq të vjetër sa herë që kalojmë kohë në natyrë. Me rritjen e urbanizimit dhe zvogëlimin e lojërave në natyrë, shumë fëmijëve tani u mungon ai ekspozim – që do të thotë se sistemet e tyre imunitare janë më të ndjeshme ndaj çdo kërcënimi.

Studime të ndryshme e mbështesin këtë ide. Njerëzit që rriten në ferma në përgjithësi kanë më pak gjasa të zhvillojnë astmë, alergji ose çrregullime auto-imune si sëmundja e Crohn-it – falë, me sa duket, ekspozimit të tyre në fëmijëri ndaj një game më të larmishme organizmash në mjedisin rural që kishte inkurajuar rregullim më efektiv të sistemit imunitar.

Shtresa e jashtme e trupit ka kontakt me shumë lloje mikrobesh dhe njerëzit me çrregullime të tilla si dermatiti atopik  formë e zakonshme e ekzemës) dhe psoriasis duket se kanë një komunitet të varfër organizmash. 

Trup i shëndosh, mendje e shëndoshë

Kur ndihemi të pambrojtur dhe të kërcënuar, sistemi imunitar fillon të ngrejë inflamacionin trupor. Meqenëse inflamacioni është një nga mbrojtjet e para kundër infeksionit, kjo përgjigje evoluoi si  mënyrë për të përgatitur trupin për një dëmtim të mundshëm fizik nga kërcënimi me të cilin po përballeshim – por është më pak i dobishëm për llojet e streseve me të cilat përballen shumica e njerëzve sot.

Çuditërisht, njerëzit që kaluan shumicën e fëmijërisë së tyre në  mjedis rural kanë tendencë të tregojnë reagim më të heshtur ndaj ngjarjeve stresuese si të folurit në publik, me shprehje të reduktuar të molekulave inflamatore si interleukina 6, krahasuar me ata që ishin rritur në qytete. 

“Njerëzit që u rritën në qytete janë një lloj ‘bombe me sahat që ecin’, për sa i përket inflamacionit të tyre,” thotë Lowry, i cili ishte bashkëautor në gazetë.

‘Efektet dramatike’

Derisa rezultatet që mbështesin “hipotezën e miqve të vjetër” vazhdojnë të kenë rolin e tyre, disa studiues kanë filluar të identifikojnë organizmat specifikë që mund të jenë përgjegjës për këto përfitime dhe mënyrat se si ato sjellin këto ndryshime.

Disa shkencëtarë kanë shprehur gjithashtu entuziazëm të konsiderueshëm për rolin e “helminthëve” – ​​parazitëve që banojnë në tokë si krimbi i rrumbullakët – kryesisht për shkak të reagimit të moderuar imunitar që shkaktojnë tek bujtësit e tyre. Njerëzit që janë infektuar me helminth duket se kanë një rrezik më të ulët të sëmundjeve inflamatore të zorrëve si sëmundja e Crohn-it.

Duke pasur parasysh rëndësinë e ekspozimit të hershëm ndaj baktereve miqësore, shumë shkencëtarë po hetojnë përfitimet e ndërhyrjeve që nxisin kontakt më të madh me natyrën në fëmijëri. 

Një projekt ambicioz në Finlandë, ndërkohë, u përpoq të sillte natyrën tek fëmijët. Në katër qendra të kujdesit ditor, studiuesit zëvendësuan asfaltin dhe zhavorrin e oborrit të shkollës me tokë “të transplantuar” dhe bimësi të marra nga një shtresë pylli. Atyre i’u dhanë edhe kuti mbjellëse për kopshtarinë.

“Kjo inkurajoi kontakte të mëtejshme,” thotë Aki Sinkkonen në Universitetin e Helsinkit, i cili është i specializuar në mikrobiomën e baltës.

Një muaj më vonë, fëmijët treguan shenja të rritjes së diversitetit të mikrobeve në lëkurë dhe në zorrë, si dhe përmirësim të funksionit imunitar. Ata kishin numër më të madh të qelizave rregullatore T që ndihmojnë për të moderuar reagimet e trupit ndaj pushtuesve të padëmshëm. Përqindja e molekulave anti-inflamatore në plazmën e gjakut gjithashtu u rrit – gjë që tregon përsëri  sistem imunitar më të rregulluar.

Inkurajimi i mësimit në natyrë

Duke pasur parasysh përfitimet e njohura psikologjike, shumë qendra të kujdesit ditor dhe shkolla tashmë po inkurajojnë kontakt më të madh me natyrën – mësime në natyrë, shëtitje të rregullta dhe ndërtimin e kuzhinave me baltë që inkurajojnë fëmijët të kenë kontakt me burime të tokës.

“Në shumë çerdhe dhe shkolla, ka një ndërgjegjësim në rritje se fëmijët kanë më pak hapësira të hapura për të luajtur,” thotë Marilisa Modena, arkitekte e specializuar në projektimin e shkollave dhe themeluese e Zeroseiplanet, qendër kërkimore dhe trajnimi italiane që fokusohet në përfitimet e lojës në natyrë.

 “Ne po kërkojmë mënyra për të ri-futur ato aktivitete që, deri rreth 50 vjet më parë, ishin përvoja të zakonshme për fëmijët.”

Interesi më i madh për lojërat në natyrë filloi në Evropën Veriore, thotë Modena, por tani po përhapet në shumë vende të tjera.

Me kërkime të ardhshme, mund të jetë e mundur të pasurohet toka në kopshtet e shtëpive dhe oborret e shkollave me organizmat më të dobishëm. Tani për tani, prindërit dhe mësuesit mund të duhet të punojnë me atë që kanë.

Derisa kuzhinierët e vegjël të baltës ndotin veten me krijimet e tyre imagjinative,  mund të jenë duke kultivuar mendjet dhe duke optimizuar sistemin  imunitar, me përfitime të mundshme për muajt apo edhe vitet në vijim.