Armend Zemaj me mjekët e Infektivës: Po përgatitemi për ditët dhe muajt në vijim

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është takuar me ushtruesin e detyrës të drejtorisë së Shërbimit Spitalor Klinikë Universitarë të Kosovës, Valbon Krasniqi, me drejtoreshën e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, si dhe me stafin menaxhues.

Gjatë këtij takimi kanë biseduar për menaxhimin e pademisë së COVID-19 në mënyrë që ‘vala e dytë’ të mos i zë të papërgatitur.

“Duke inkurajuar personelin shëndetësor në përgjithësi por të Klinikës Infektive në veçanti dhe me qëllim të përforcimit të kapaciteteve profesionale, përveç stafit aktual ditëve në vijim një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësorë që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar”, ka shkruar Zemaj.

Tutje Ministri thotë se Klinika Infektive në QKUK është duke punuar me kapacitete të plota.

Ai gjithashtu ka njoftuar se 200 punëtorëve shëndetësorë u janë vazhduar kontratat.

“Si ministër dhe si Qeveri e Kosovës, zotohemi se do të jemi afër në çdo kohë, vlen të ceket se u janë vazhduar kontratat edhe 200 punëtorëve shëndetësor dhe për tre muaj, po që përkrahja financiare për mantil bardhët do të vazhdoj edhe në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Ministri.

Ditëve të fundit në vend numri i rasteve është në rritje, në dy javët e para të muajit tetor janë regjistruar 681 raste të reja të infektimit me COVID-19.

Rreziku nga vala e dytë, 681 raste të infektimit me COVID-19 brenda dy jave në Kosovë