Miranda Hoti

Anemia si pasojë e mungesës së hekurit

Anemia është një gjendje në të cilën trupi ynë nuk prodhon sa duhet qeliza të kuqe të gjakut. Anemia vjen si pasojë e shumë shkaktarëve dhe më e shpeshta është anemia si pasojë e mungesës së hekurit, pastaj kemi aneminë si pasojë e mungesës së vitaminës B12, Acidit Folik, Aneminë Hemolitike, Aneminë e sëmundjes kronike dhe aneminë aplastike.

Anemia si pasojë e mungesës së hekurit shkaktohet nga marrja e pakët e hekurit përmes ushqimeve. Ushqimet, të cilat kanë më së shumti hekur janë ushqimet shtazore por edhe ato bimore kanë një sasi të konsiderueshme të hekurit.

Personat, të cilët kanë nevojë më shumë për hekur siç janë gratë në moshën e fertilitetit dhe fëmijët në rritje kanë nevojë për sasi më të madhe të hekurit dhe në qoftë se kjo sasi nuk përmbushet atëherë vjen deri te shfrytëzimi i depove të hekurit, të cilat i kemi në organizmin tonë dhe kur këto depo shterohen vjen deri te anemia, e cila pasqyrohet në hemogram.

Anemia si pasojë e mungesës së hekurit është më e shpeshtë te gratë. Sipas studimeve 1 në 4 gra pretendohet të ketë anemi sipas mungesës së hekurit për të vetmen arsye sepse gratë e moshës fertile përveç periodave kanë edhe shtatzëni që janë gjendje në të cilat organizmi ka nevojë për më shumë për hekur.

Gjithashtu edhe fëmijët janë një kategori, e cila është e rrezikuar prej anemisë së mungesës së hekurit ngaqë organizmi është në rritje dhe ka nevojë për më shumë elemente ushqyese dhe nëse fëmijët nuk ushqehen mirë dhe nuk marrin sasinë e duhur të hekurit gjatë vakteve të tyre, pas një kohe tek ata do të paraqitet anemia si pasojë e mungesës së hekurit. Kjo që thash nuk i përjashton edhe burrat të kenë anemi si pasojë e mungesës së hekurit, normalisht është shumë më e rrallë se sa te femrat e te fëmijët, por edhe meshkujt mund të kenë anemi si pasojë e mungesës së hekurit.

Një kategori tjetër, e cila gjithashtu është e rrezikuar nga anemia si pasojë e mungesës së hekurit janë dhe pleqtë për të vetmen arsye sepse me rritjen e moshës të gjitha organet ngadalësojnë punën e tyre dhe përthithja e hekurit të kjo grup-moshë është shumë më e vogël sesa te të rinjtë dhe mund të paraqitet anemia si pasojë e mungesës së hekurit.

Anemia në fillimet e saj nuk ka ndonjë simptomatologji karakteristike dhe ajo mund të zbulohet nga analizat rutinore, nga një pasqyrë e thjeshtë e gjakut, të cilën pacientët e bëjnë rutinë mirëpo me thellimin e anemisë paraqitet një lodhje, plogështi, pacientët nuk mund t’i tolerojnë as ushtrimet më të lehta, duart dhe këmbët e pacientëve janë në gjendje më të ftohtë se zakonisht, një zbehje në fytyrë, kokë dhimbje, marramendje dhe rrahje të shpeshta të zemrës.

Parandalimi i anemisë si pasojë e mungesës së hekurit, përveç se mund të bëhet dukë marrë ushqime të cilat përmbajnë hekur, gjithashtu bëhet edhe duke bërë analiza rutinore, pasqyrën e gjakut d.m.th hemogramin, preferohet të bëhet çdo gjashtë muaj dhe në këtë mënyrë mjeku juaj i familjes ose hematologu mund të vërejnë nëse ka ndryshime në pasqyrën tuaj të gjakut dhe pastaj me kohë të korrigjohen ato të cilat mund t’i keni ju.

Anemia është një gjendje shëndetësore, e cila për fat të keq neglizhohet shumë nga popullsia për të vetmen arsye se nuk ka simptomatologji të rëndë, mirëpo një anemi, e cila është fillestare dhe trajtohet në atë pikë prevenon gjendje më të rënda shëndetësore, të cilat mund të vijnë si pasojë e anemisë së rëndë.

Anemia si pasojë e mungesës së hekurit është lehtë e menaxhueshme.

Unë i këshilloj të gjithë pacientët e mi të bëjnë në mënyrë rutinore pasqyrën e gjakut dhe një analizë shumë e thjeshtë e cila e tregon nivelin e hekurit në gjak dhe në qoftë se ky nivel është i ulët normalisht që të konsultohen me mjekun e tyre ose me hematologun për të vazhduar me trajtimin.

Në qoftë se niveli i hekurit është i ulët, por nuk ka arritur ende të bëhet anemi e rëndë me ushqime të cilat janë të pasura me hekur mund të korrigjohet kjo anemi, ndërsa nëse niveli i hekurit është goxha i rëndë edhe i ka shpenzuar të gjitha depot e hekurit dhe kjo është pasqyruar me ulje të hemoglobinës dhe anemi goxha të rëndë atëherë duhet të intervenohet në mënyrë mjekësore me preparate të hekurit.