Ilustrim

Ana tjetër e coronavirusit: Është më shumë një “infodemi" 

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, epidemia e coronavirusit e cila nisi në qytetin Vuhan të Kinës mund të konsiderohet si një lloj “infodemie”.

Në një raport të sajin të 2 shkurtit, kjo organizatë e ka quajtur coronavirusin një “infodemi të madhe” duke iu referuar “një numri të madh informacionesh të pasakta duke i vënë njerëzit në një lloj konfuzioni  për gjetjen e burimeve të besueshme si dhe udhëzime të nevojshme në rastin kur kanë nevojë për to, shkruan BBC.

Sipas Andrew Pattinson, menaxher i solucioneve digjitale biznesore brenda OBSH-së, informacionet e rreme shpërndahen më shpejt se vetë virusi.

Pretendimet se virusi ishte përhapur duke ngrënë supë lakuriqi ose mund të shërohet nga hudhra tashmë e kanë pushtuar internetin.

Informacionet më të fundit thonë se 2.707 njerëz kanë vdekur si pasojë e koronavirusit deri më tani, prej të cilëve 2.664 vetëm në Kinë. Në nivel global janë konstatuar më shumë se 80.000 raste të infeksionit me 77.660 sosh në Kinë.

Megjithatë raste të reja të epidemisë janë paraqitur në Zvicër, Korenë e Jugut, Iran, Afganistan, Austri, Belgjikë, Francë, Gjermani dhe disa vende tjera. Në veçanti, në Itali coronavirusi është shfaqur dhe ka një përhapje të shpejtë.

Sa i përket rajonit ballkanik, një rast i coronavirusit është shfaqur në Kroaci. Shtatë raste të tjera që ishin dyshuar në Spitalin e Zagrebit kanë dalë negative pas rezultateve.

Në Kosovë dje është raportuar për një rast të dyshuar me coronavirus, por që më pas rezultoi negativ. 

Ditë më parë edhe në Shqipëri  kishte dyshime për coronavirus, mirëpo pas analizave të bëra rezultatet kanë qenë negative.

Ilustrimi: BBC

Në Itali kanë vdekur 11 njerëz dhe më shumë se 300 prej tyre janë të infektuar. Në Iran 15 banorë të këtij shteti kanë vdekur ndërkohë që sipas disa informacioneve të pakonfirmuara numri i të vdekurve në këtë shtet ka shkuar në 50.

Ky është një prej shembujve të konfuzionit dhe kakofonisë informative e cila po mbizotëron rreth coronavirusit.

Ndërkohë edhe propaganda politike ruse po e shfrytëzon këtë epidemi për luftë të saj politike ndaj vendeve tjera, SHBA-së kryesisht.

Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se Rusia, përmes rrjeteve sociale, po përhap dezinformata për Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se coronavirusi i ri vjen nga ShBA-ja, si mjet i luftës së saj tregtare kundër Kinës.

“Synim i Rusisë është të ngjallë dyshime dhe t’i minojë institucionet dhe aleancat e ShBA-së”, tha për agjencinë AFP Philip Reeker, ushtrues i detyrës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë.

“Në këtë rast, kemi mundur të shohim një sistem të tërë dezinformatash, përfshirë nga televizioni shtetëror, ueb-faqet dhe mijëra profile të rreme në rrjetet sociale, që shtyjnë përpara të njëjtin rrëfim”, tha po ashtu për AFP-në Lea Gabrielle,

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) po nxit kompanitë e teknologjisë që të ndërmarrin veprime më të ashpra për të luftuar lajmet e rreme në coronavirus.

Kompanitë e mediave sociale kanë ndërmarrë tashmë disa hapa për të larguar lajmet e rreme dhe për të promovuar informacione të sakta.

Facebook, Twitter, Youtube dhe TikTok tashmë po i udhëzojnë të gjithë ata të cilet kërkojnë informacione për coronavirusin që të drejtohen në faqet e OBSH-së ose organizatave lokale shëndetësore.

Facebook ka thënë se do të përdorë rrjetin e tij ekzistues të kontrolluesve të fakteve të palëve të treta për të hedhur poshtë pretendimet e rreme.

“Na duhet një vaksinë kundër dezinformatave” ka deklaruar Dr Michael Ryan, Drejtor Ekzekutiv nga Programi i Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së gjatë një konference për media muajin e kaluar.

Rrjeti më i madh social në botë, Facebook, ka filluar të fshijë postimet me këshilla të dyshimta shëndetësore, ndërkohë TikTok, një rrjet social jashtëzakonisht shumë i përdorur tek adoleshentët, gjithashtu ka filluar të largojë video që përmbajnë dezinformata në lidhje me coronavirusin duke sqaruar se “nuk do të lejojë dezinformata që mund të dëmtojnë komunitetin tonë ose publikun e gjerë”.

Sidoqoftë, sasia e madhe e informacioneve në lidhje me coronavirusin në rrjetet sociale po ndikon që largimi i informacioneve të rreme të jetë pothuajse i pamundur.

Në të njëjtën kohë rrjetet sociale janë një burim informativ i dobishëm si dhe i mbështetjes reciproke sepse në të njëjtën kohë një burim i rëndësishëm i informacionit të dorës së parë për gazetarët në të gjithë botën të cilët po monitorojnë situatën epidemike në Kinë.

Po ashtu, rrjetet sociale janë bërë edhe një lloj vendi për terapi të grupeve masive pasi që përdoruesit e këtyre rrjeteve po i ndajnë përvojat e tyre traumatike gjatë kohës sa po qëndrojnë nëpër karantinë, informacione rreth sëmundjes dhe trajtimit, si dhe rreth pamundësisë së tyre për të marrë kujdes mjekësor për shkak të mbipopullimit nëpër spitale dhe lokacione tjera të improvizuara  pastaj edhe rreth ndihmës reciproke dhe punës vullnetare.

Përveç përhapjes së frikës, trishtimit dhe zemërimit, njerëzit në rrjetet sociale e ngushëllojnë dhe i japin shpresë njëri-tjetrit.