Ilustrim

AKPPM: Nga sot është lëshuar leja për importim të barnave 'Remdesivir' dhe 'Favipiravir'

Ministria e Shëndetësisë nga sot ka filluar të lëshoj leje për importimin e dy ilaqeve për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Agjencia Kosovare për Produkte dhe Paisje Medicinale, ka thënë për KALLXO.com se Remdesiviri dhe Favipiraviri, nga sot do të importohen në Kosovë.

“Pas Vendimit të Ministrit të Shëndetësisë z.Zemaj,  që nga dita e sotme kanë filluar të lëshohen lejet e importit për Remdesivir dhe Favipiravir, kurse Hidroklorokina është importuar edhe më herët”, konfirmohet nga AKPPM.

Remdesivira dhe Favipiravira  janë duke u përdorur për pacientët e infektuar me Coronavirus, mirëpo deri më tani ka pasë mungesë të këtyre dy llojeve të ilaqeve në QKUK, se si pasojë e kësaj familjarët janë detyruar të blejnë këto barna me vet- financim.

Sipas raportimeve të qytetarëve, Favipiravirën janë detyruar të blejnë 330 euro.

Kosova tash e pesë muaj e gjysmë është duke u përballuar me pandeminë COVID-19, ku deri më tani janë infektuar 14 mijë e 496 persona, prej tyre janë shëruar 11 mijë e 150 ndërsa kanë vdekur 586 persona.

Në Klinikën Infektive, Intensive dhe Pulmologjike janë duke u trajtuar pacientët e infektuar me SARS-CoV-2.