A po i shpenzoni paratë tuaja kot për suplemente? Me shumë mundësi, po!

Suplementet me vitamina, minerale dhe multivitamina nuk kanë gjasa t’ju mbrojnë nga kanceri, sëmundjet e zemrës ose vdekshmëria e përgjithshme, thotë një studim nga Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA në udhëzimet e përditësuara të publikuara të martën në revistën JAMA.

Që nga rekomandimi i fundit në vitin 2014, grupi i punës shqyrtoi 84 studime që testonin vitaminat në pothuajse 700,000 njerëz, duke përfshirë 52 studime të reja mbi këtë temë.

Megjithatë, përfundimi mbeti i njëjtë me atë të vitit 2014: Nëse jeni një e rritur e shëndetshme, jo shtatzënë, nuk ka “prova të mjaftueshme” të ndonjë përfitimi për zgjatjen e jetës në marrjen e vitaminës E, vitaminës D, kalciumit, vitaminës A, beta karotenit, vitaminës. B3, vitaminë B6, vitaminë C dhe selenit.

Megjithatë, ka prova të mjaftueshme për të rekomanduar kundër përdorimit të suplementeve beta-karoten, të cilat trupi i kthen në vitaminë A, për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare ose kancerin “për shkak të një rreziku të mundshëm të rritjes së vdekshmërisë, vdekshmërisë kardiovaskulare dhe kancerit të mushkërive”, shtoj tutje studimi i Task Forcës së lartcekur.

As njerëzit nuk duhet të marrin vitaminë E “sepse ajo ndoshta nuk ka asnjë përfitim neto në uljen e vdekshmërisë, sëmundjeve kardiovaskulare ose kancerit”, tha grupi punues i kësaj Task Force.

“Këshillimi i stilit të jetesës për të parandaluar sëmundjet kronike te pacientët duhet të vazhdojë të fokusohet në qasjet e bazuara në prova, duke përfshirë dietat e balancuara që përmbajnë shumë fruta dhe perime dhe aktivitet fizik,” tha Dr. Jeffrey Linder, shef i mjekësisë së brendshme të përgjithshme në Shkollën e Mjekësisë Feinberg të Universitetit Northëestern në Çikago, në një editorial shoqërues.

Merrni, për shembull, dietën mesdhetare. Të ngrënit në mënyrën mesdhetare, e cila fokusohet në një dietë me bazë bimore, aktivitet fizik dhe angazhim social, mund ta zvogëlojë rrezikun për kolesterol të lartë, demencë, humbje të kujtesës, depresion dhe kancer të gjirit, zbuluan studime të shumta.

Ushqimet nga rajoni me diell i Mesdheut janë lidhur gjithashtu me humbje peshe, kocka më të forta, një zemër më të shëndetshme dhe jetë më të gjatë.

Një tjetër ndërhyrje e bazuar në prova: dieta DASH, e cila nënkupton “qasjet dietike për ta ndaluar hipertensionin”. Dieta redukton me sukses presionin e lartë të gjakut, kanë treguar studimet. Si dietat mesdhetare ashtu edhe dietat DASH i shmangin ushqimet e përpunuara dhe fokusohen te frutat, perimet, fasulet, thjerrëzat, drithërat, arrat dhe farat.

“Në vend që t’i përqendroni paratë, kohën dhe vëmendjen tuaj tek suplementet, do të ishte më mirë të fokusoheshit tek aktivitetet me rrezik më të ulët dhe me përfitime më të larta … duke ndjekur një dietë të shëndetshme, duke ushtruar, duke mbajtur një peshë të shëndetshme dhe duke shmangur duhanin,” shkruajnë Linder dhe kolegët e tij.

Miliarda dollarë

Megjithatë, pavarësisht mesazhit të qëndrueshëm nga komuniteti shkencor, “më shumë se gjysma e të rriturve amerikanë marrin suplemente dietike”, duke shpenzuar rreth 50 miliardë dollarë në vitin 2021, sipas Linder dhe kolegët e tij.

Pse do të shpenzonim kaq shumë para për pilula me kaq pak prova për t’imbështetur përfitimet e tyre?

“Sipas sondazheve të popullsisë, njerëzit marrin vitamina ose për të qëndruar të shëndetshëm, për t’u ndjerë më energjikë ose për ta fituar paqen e mendjes. Këto besime që i sfidojnë provat janë forcuar nga fushatat e mençura të marketingut,” thotë shkencëtari mbi behaviorizmin Dr. Peter Ubel, në një editorial shoqërues të publikuar në JAMA Internal Medicine.

Pastaj, sapo njerëzit i shohin vitaminat si “të mira dhe të shëndetshme”, një sjellje tjetër e quajtur “pandjeshmëria ndaj dozës” zë vend: Nëse pak është e mirë, më shumë duhet të jetë më mirë, thotë Ubel, i cili është profesor i biznesit, politikave publike dhe mjekësisë në Universitetin Duke, Shkolla e Biznesit në Durham, Karolina e Veriut. Shtojini kësaj paragjykimin njerëzor ndaj çdo gjëje të etiketuar “natyrore” ose “botanike” dhe gjasat për të blerë vitamina dhe minerale të tregtuara në atë mënyrë rriten, tha ai.

“Agjencitë e reklamave e njohin këtë paragjykim,” shtoi Ubel. “Tani, njerëzit mund të kompensojnë mungesën e frutave dhe perimeve në dietat e tyre duke gëlltitur suplemente ditore.”

Disa popullata kanë nevojë për suplemente

Ka disa popullata që kanë nevojë për vitamina të caktuara. Gratë shtatzëna duhet të marrin një suplement ditor që përmban 0,4 deri në 0,8 miligramë (400 deri në 800 mikrogramë) acid folik për t’i parandaluar defektet e lindjes së tubit nervor, sipas një rekomandimi të veçantë nga grupi i punës.

Njerëzit me qasje të kufizuar në zgjedhje të ushqimit të shëndetshëm ose që kanë kushte të caktuara mjekësore ose kushdo mbi moshën 65 vjeç mund të duhet të përqëndrohet në shtimin e mikro-ushqyesve specifikë në dietën e tyre, thonë ekspertët.

Disa të moshuar mund të kenë nevojë për plotësim shtesë të vitaminës B12 dhe B6 pasi thithja e këtyre vitaminave nga ushqimi zbehet me kalimin e moshës. Për shkak se të moshuarit shpesh marrin më pak diell se moshat më të reja, mund të kenë nevojë për vitaminë D shtesë, por nivelet duhet të kontrollohen nga një mjek, pasi shumë vitaminë D mund të jetë i dëmshëm.

Shumë gra në postmenopauzë marrin suplemente për t’i reduktuar frakturat, por në vitin 2018 grupi i punës zbuloi se vitamina D e kombinuar me kalcium nuk kishte asnjë efekt në incidencën e frakturave tek gratë pas menopauzës./CNN