A ndikuan tubimet partiake në rritjen e rasteve me COVID-19 në Kosovë?

Vendi është duke luftuar pandeminë e coronavirusit tash e dhjetë muaj, mirëpo brenda kësaj periudhe vendi ka ‘luftuar’ edhe për një qeveri stabile.

Më 14 shkurt 2021 Kosova do të votoj për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Partitë politike kanë filluar tubimet në vende të ndryshme të Kosovës, duke mos respektuar masat për parandalim të përhapjes së COVID-19, të cilat thonë se duhet të mbahet distanca deri në  1.5 metra larg njëri – tjetrit, të vendoset maska dhe të mbahet higjiena personale. Mirëpo nga fotografitë të cilat kanë qarkulluar pas takimeve të shumta që partitë politike kanë organizuar me qytetarët, vërehen se masat nuk janë duke u respektuar aspak.

Pjesë e personave të cilët nuk kanë respektuar masat është edhe vet ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai është parë në një tryezë së bashku me shumë persona të tjerë duke mos respektuar distancën.

Zemaj, në një konferencë për media të mbajtur dje tha se “çdo kush duhet të thërret vetveten dhe të mos bëhet pjesë e shkeljes së ligjit”, mirëpo ministri duket se nëpër tubime nuk po e respekton ligjin.

“Thirrja jonë për respektim të masave është permanente, edhe pse jemi në fushatë elektorale. Kujdesi duhet të jetë nga të gjithë, duke filluar nga ata që i ftojnë njerëzit, deri te njerëzit që janë pjesë e aktiviteteve fizike. Distanca, higjiena dhe maskat janë obligative, e numri i pjesëmarrëseve i kufizuar. Përtej çdo numri të devijuar për çfarëdo aktiviteti, duhet të ketë zbatim rigoroz të masave nga inspektorët dhe Policia e Kosovës, kjo është thirrja jonë”, potencoi ai.

Masat e vendosura nga Ministria e udhëhequr nga ai dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i Kosovës (IKShPK), thonë se në ambiente të mbyllura nuk lejohen mbi 30 persona, ndërsa në ambient të hapur lejohen deri në 50 persona.

Duhet thënë se grumbull qytetarësh janë parë edhe në IKShPK, në objektin ku qytetarët ishin në pritje për marrje të rezultatit për COVID-19.

KALLXO.com më 13 dhe 14 dhjetor ka qenë në këtë objekt dhe ka parë mos respektim të masave nga ana e qytetarëve.

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 është rritur.

Nga raportimet ditore të IKSHPK-së, bëhet e ditur se numri i rasteve pozitive me COVID-19 është duke u rritur.

392 raste brenda 24 orëve u shënuan më 24 janar 2021, njëherësh është dita me më së shumti raste për muajin janar deri më sot, ndërsa që nga 1 – 29 janar 2021 në vend u shënuan 8.273 raste pozitive. Vetëm sot janë shënuar 342 raste të reja me COVID-19.

Me rritjen e rasteve pozitive është rritur edhe numri i pacientëve nëpër spitalet dhe klinikat në vend.

U.D i drejtorisë së ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, në konferencën për media të mbajtur sot theksoi se spitalet janë të ngarkuara me pacient dhe se kanë nevojë për staf shëndetësorë shtesë.

“Spitalet janë të mbushura me numër të lartë të pacientëve, numri është rritur në dy javët e fundit. 31 janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore ndërsa 5 janë në gjendje kritike. Kemi instaluar rezervuarin e oksigjenit në Gjilan dhe jemi duke punuar që të instalojmë edhe në Gjakovë, Pejë e Mitrovicë”, tha Krasniqi.

Gjithashtu sot në Kosovë janë regjistruar edhe tre rastet e para të infektimit me COVID-19 të variantit të ri, i cili për herë të parë u shfaqë në Britaninë e Madhe më 14 dhjetor 2020.

“Personat me variantin e ri duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme, të shmanget kontakti me të tjerët, nga tubimet e të tjera aktivitete që do të mundësonin përhapjen e virusit”, tha Zemaj.

Mantelbardhët e infektuar me COVID-19

Stafi shëndetësorë padyshim që janë heronjtë e vitit 2020 e më gjerë.

Tash e dhjetë muaj janë duke u ballafaquar direkt me infeksionin e coronavirusit përderisa janë duke u kujdesur për pacientët e shtrirë nëpër spitalet në vend.

Në anën tjetër afër 2.500 mjekë e infermier janë infektuar me COVID-19, 120 prej tyre janë ende aktiv, ndërsa 28 mjekë e infermier kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Mungesën e stafit jo të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve me COVID-19 e ka theksuar edhe U.D i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

“Kemi nevojë për infermierë dhe kemi kërkuar shtimin e tyre nga Qeveria tashmë”.

Ministri Zemaj dje ka prezantuar pullën postare në nderim të mantelbardhëve të vdekur nga COVID-19.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.