A ekziston një virus i zakonshëm që shkakton papritmas dështim të mëlçisë tek fëmijët

Askush nuk është në dijeni saktësisht pse qindra fëmijë janë shfaqur me hepatit, ndonëse hetuesit kanë disa ide pse po ndodhë një gjë e tillë.

Tetorin e kaluar, një vajzë e re me dështim të rëndë dhe të pazakontë të mëlçisë u shtrua në një spital në Birmingham, Alabama. Simptomat e saj ishin tipike: lëkura dhe sytë e verdhë me verdhëz, indikatorët e dëmtimit të mëlçisë jashtë grafikëve. Por ajo rezultoi negative për të gjitha dyshimet e zakonshme pas sëmundjes së mëlçisë. Testi i saj i vetëm pozitiv ishte, çuditërisht, për Adenovirus – një virus i zakonshëm më i njohur për shkaktimin e ftohjes së lehtë, syrit të skuqur ose gripit të stomakut. Në raste të rralla, ajo lidhet me hepatitin, ose inflamacionin e mëlçisë, tek pacientët me imunitet të kompromentuar. Mirëpo vajza në fjalë ishte e shëndetshme.

Pastaj ndodhi përsëri. Një fëmijë tjetër, përafërsisht në të njëjtën moshë, u paraqit me të gjitha simptomat e njëjta dhe përsëri pozitiv për adenovirus.

“Një pacient është rastësor; dy të tillë përbëjnë një model”, thotë Markus Buchfellner, mjek i sëmundjeve pediatrike-infektive në Universitetin e Alabama në Birmingham (UAB).

Dy u bënë shpejt tre dhe më pas katër. Të alarmuar, mjekët e spitalit i paralajmëruan autoritetet lokale shëndetësore dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, hetimi i të cilit përfundimisht gjeti nëntë raste të tilla të hepatitit të pazakontë te fëmijët në Alabama. Dy prej tyre kishin nevojë të transplantimit të mëlçisë.

Buchfellner fillimisht mendoi se çdo gjë që po ndodhte ishte në nivel lokal në Alabama. Mirëpo këtë pranverë, hetuesit në Mbretërinë e Bashkuar filluan të ndihen konfuz në mënyrë të pavarur mbi rritjen misterioze të hepatitit tek fëmijët. Që atëherë ata kanë identifikuar më shumë se 150 raste të tilla në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo e shtyu CDC-në të zgjerohet me hulumtime, duke e çuar numrin e rasteve të dyshuara në të gjithë SHBA-në në 109 sosh. Pesëmbëdhjetë nga fëmijët kanë pasur nevojë për transplantim të mëlçisë dhe pesë prej tyre kanë vdekur. Në mbarë botën, rastet e mundshme tani janë gjithsej 348 raste të përhapura në 20 vende.

Provat e hershme vazhdojnë ta japin një lidhje me Adenovirusin – një korrelacion i papritur që është shumë i fortë për t’u hedhur poshtë dhe jo aq i fortë sa për ta mbyllur çështjen. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, shtatëdhjetë për qind e rasteve të mundshme globalisht kanë rezultuar pozitive për Adenovirus. Ndonëse biopsi janë kryer në një pjesë të vogël të këtyre rasteve, ato nuk kanë arritur të gjejnë Adenovirus në mëlçinë e fëmijëve. Në të njëjtën kohë, ne patjetër e dimë se një virus tjetër infektoi një numër masiv fëmijësh kohët e fundit: SARS-CoV-2, natyrisht. Megjithatë, korrelacioni këtu është edhe më pak i qartë; vetëm 18 për qind e rasteve të mundshme rezultuan pozitive për COVID-19.

Adenovirusi dhe koronavirusi nuk janë domosdoshmërisht shpjegime ekskluzive reciproke. Hipotezat kryesore tani sugjerojnë një ndërveprim midis adenovirusit dhe pandemisë – ose sepse distancimi social i ndryshoi modelet e imunitetit të adenovirusit, duke lejuar infeksione më të rënda ose thjesht më shumë adenovirus, ose sepse infeksioni i mëparshëm ose bashkë-infeksioni me koronavirusin shkakton një reagim të pazakontë ndaj adenovirusit. Përndryshe, mos ka ndryshuar kohët e fundit vetë adenovirusi, duke evoluar deri aty  sa ta dëmtojë më lehtë mëlçinë?

Dështimi i rëndë i mëlçisë tek fëmijët është shumë i rrallë, thotë Helena Gutierrez, drejtoreshë mjekësore për transplantet e mëlçisë pediatrike në Spitalin Universitar të Birmingham, UAB dhe Children’s of Alabama. Por kur ndodh, një pjesë e konsiderueshme e rasteve edhe në kohë normale mbeten krejtësisht misterioze. Asnjë shkak i identifikueshëm nuk është gjetur ndonjëherë në pothuajse gjysmën e fëmijëve me dështim të mëlçisë aq të rëndë sa mund të kenë nevojë për transplantim. Në fund të fundit, të kuptuarit e modelit të fundit të rasteve të pashpjegueshme të dështimit të mëlçisë tek fëmijët mund të hedhë dritë mbi rastet e mëparshme misterioze që dikur ishin shumë të rralla për të tërhequr shumë vëmendje.

Por pse ka një rritje tani?

I vetmi fajtor që mund të përjashtohet përfundimisht janë vaksinat kundër COVID-19, sepse fëmijët nën 5 vjeç, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve të hepatitit, ende nuk mund të vaksinohen. Në javët në vijim, ekspertët do të shikojnë tri pjesë kyçe të të dhënave për t’ analizuar hipotezat e mbetura.

Grupi i parë dhe ndoshta më i dukshëm i të dhënave për t’u mbledhur është: A kanë pasur më parë këta fëmijë COVID-19?

Shumica dërrmuese e fëmijëve me hepatit rezultuan negativë ndaj koronavirusit, por hetuesit tani po mbledhin të dhëna antitrupash për të parë nëse ndonjë prej tyre kishte COVID-19 në të kaluarën. “Unë nuk mendoj se është e lidhur drejtpërdrejt me vetë virusin”, thotë Buchfellner, por ndoshta një infeksion COVID-19 mund ta kishte predispozuar një fëmijë për dështim të mëlçisë sapo të vinte diçka tjetër – të themi, një infeksion adenovirus. Dhe megjithëse sindroma inflamatore e shumësistemeve, ose MIS-C, pas infeksionit me koronavirus mund të ndikojë në mëlçi, pacientët me hepatit nuk shfaqën shenja të tjera dalluese të asaj gjendje, siç janë shënuesit e lartë inflamatorë dhe dëmtimi i zemrës.

Kur të dalin të dhënat e antitrupave COVID-19, shumë fëmijë do të jenë pozitivë – thjesht sepse shumë fëmijë në përgjithësi kanë pasur COVID-19 kohët e fundit. Ekspertët do të duan të shkojnë një hap më tej për të përcaktuar nëse koronavirusi po luan vërtet një rol. Nëse po, ata presin që fëmijët me hepatit të kenë më shumë gjasa të kenë antitrupa COVID-19 sesa një grup kontrolli i fëmijëve që nuk kishin hepatit./The Atlantic