22 pacientë me COVID-19 të shtrirë në spitalin e Pejës

22 pacientë janë duke u përballur me pandeminë e coronavirusit në Spitalin Rajonal të Pejës, prej tyre 17 janë nën asistimin me oksigjeno – terapi dhe shtatë nga ta janë në gjendje të rëndë.

“1 pacient është shëruar nga Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit”, thuhet në raportin ditor të Spitalit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se dje në komunën e Pejës janë regjistruar edhe 14 raste të reja me SARS-CoV-2, përderisa numri I rasteve në nivel vendi ka kaluar mbi 100, 197 raste për 24 orë.

Gjatë 24 orëve Instituti ka bërë të ditur se 48 persona e kanë tejkaluar infeksionin e COVID-19 dhe rezultojnë të shëruar.

Deri më tani në Kosovë janë infektuar 18.345 persona nga SARS-CoV-2, prej tyre janë shëruar 15.198 ndërsa janë shënuar 669 raste të vdekjeve.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.