10 viruset më të rrezikshëm në botë

Megjithëse COVID-19 është shumë ngjitës, shkalla e vdekshmërisë së tij është relativisht e ulët në krahasim me këto dhjetë viruse.

Virusi më i rrezikshëm në botë është virusi Marburg. Ai është emëruar pas një qyteti të vogël dhe idilik në lumin Lahn – por kjo nuk ka të bëjë fare me vetë sëmundjen. Virusi Marburg është një virus i etheve hemorragjike. Ashtu sikurse me Ebolën, virusi Marburg shkakton konvulsione dhe gjakderdhje të mukozave, lëkurës dhe organeve. Ka një shkallë vdekshmërie prej 90 për qind.

Ekzistojnë pesë lloje të virusit Ebola, secili i emëruar sipas vendeve dhe rajoneve në Afrikë: Zaire, Sudan, Tai Forest, Bundibugyo dhe Reston. Virusi Ebola në Zaire është më vdekjeprurësi, me një shkallë vdekshmërie prej 90 për qind. Është lloji që aktualisht po përhapet nëpër Guine, Sierra Leone dhe Liberi, dhe më gjerë. Shkencëtarët thonë se dhelprat fluturuese ndoshta e kanë sjellë virusin Zaire Ebola në qytete.

Hantavirusi i përshkruan disa lloje virusesh. E ka marrë emrin nga një lumë ku ushtarët amerikanë mendohej se ishin infektuar për herë të parë me Hantavirus, gjatë Luftës Koreane në vitin 1950. Simptomat përfshijnë sëmundje të mushkërive, ethe dhe dështim të veshkave.

Llojet e ndryshme të gripit të shpendëve shkaktojnë rregullisht panik – që ndoshta është e justifikuar sepse shkalla e vdekshmërisë është 70 për qind. Por në fakt rreziku i kontraktimit të llojit H5N1 – një nga më të njohurit – është mjaft i ulët. Mund të infektoheni vetëm përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me shpendët. Thuhet se kjo shpjegon pse shumica e rasteve shfaqen në Azi, ku njerëzit shpesh jetojnë pranë pulave.

Një infermiere në Nigeri ishte personi i parë që u infektua me virusin Lassa. Virusi transmetohet nga brejtësit. Rastet mund të jenë endemike – që do të thotë se virusi shfaqet në një rajon specifik, si në Afrikën perëndimore, dhe mund të rishfaqet atje në çdo kohë. Shkencëtarët supozojnë se 15 për qind e brejtësve në Afrikën perëndimore e bartin virusin.

Virusi Junin është i lidhur me ethet hemorragjike argjentinase. Njerëzit e infektuar me këtë virus vuajnë nga inflamacioni i indeve, sepsa dhe gjakderdhja e lëkurës. Problemi është se simptomat mund të duken të jenë aq të zakonshme sa që sëmundja rrallë zbulohet ose identifikohet në shkallën e parë.

Virusi i etheve Krime-Kongo transmetohet nga rriqrat. Është i ngjashëm me viruset Ebola dhe Marburg në mënyrën se si përparon. Gjatë ditëve të para të infektimit, të sëmurët paraqiten me gjakderdhje në fytyrë, gojë dhe faring në madhësinë e një gjilpëre.

Virusi Machupo është i lidhur me ethet hemorragjike Boliviane, e njohur edhe si tifoja e zezë. Infeksioni shkakton temperaturë të lartë, të shoqëruar me gjakderdhje të rëndë. Përparon ngjashëm me virusin Junin. Virusi mund të transmetohet nga njeriu te njeriu dhe shpesh brejtësit e bartin atë.

Shkencëtarët zbuluan virusin Kyasanur Forest Virus (KFD) në pyjet në bregun jugperëndimor të Indisë në vitin 1955. Ai transmetohet nga rriqrat, por shkencëtarët thonë se është e vështirë të përcaktohet ndonjë bartës. Supozohet se minjtë, zogjtë dhe derrat mund të jenë nikoqirë. Njerëzit e infektuar me virus vuajnë nga temperatura e lartë, dhimbje koke të forta dhe dhimbje muskulore që mund të shkaktojnë gjakderdhje.

Ethet Denge janë një kërcënim i vazhdueshëm. Nëse planifikoni një pushim në viset tropikale, informohuni për virusindengën. Transmetuar nga mushkonjat, virusi Denge prek nga 50 deri në 100 milionë njerëz në vit në destinacionet e njohura të pushimeve si Tajlanda dhe India. Por është më shumë problem për 2 miliardë njerëz që jetojnë në zona që kërcënohen nga ethet e Denge./DW