Shembjet e objekteve në Mitrovicë e Fushë Kosovë, reagon kryeministri i vendit

Pas dy rasteve të shembjeve të objekteve, në Mitrovicë e në Fushë Kosovë, ka reaguar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Në një postim në ‘Facebook’, ai ka thënë se është i shqetësuar me këto dy raste të cilat e prekin drejtpërdrejt jetën e punëtorëve.

“I shqetësuar me rastet e sotme të shembjes së ndërtesave në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë, të cilat kanë rrezikuar drejtpërdrejt jetën e punëtorëve dhe qyetarëve përreth. Këto dy raste, me të drejt nxisin reagimet e gjithsecilit për mënyren dhe kushtet e punës në industrinë e ndërtimit dhe më shumë për përgjegjësinë e Komunave në dhënien e lejeve dhe Inspektoratit në kontrollimin e punimeve”, ka shkruar shefi i Qeverisë.

Ai ka kërkuar që të merren të gjitha masat nga mekanizmat përgjegjës për përmirësimin e kushteve në punë.
“Të gjithë mekanizmat e përfshirë në këtë sektor duhet të ndërmarrin masa emergjente në përmirësimin e kushteve dhe mënyren e punës”, shkruan tutje i pari i ekzekutivit kosovar.

Ai ka thënë se në këto momente po punohet që të gjendet i ngujuari në gërmadhat e hotel ‘Adriatikut’ në Mitrovicë.

“Në këto momente autoritetet po punojnë me të gjitha kapacitetet në gjetjen e punëtorit të ngujuar nga gërmadhat e shembjes së objektit në Mitrovicë dhe ky aksion nuk do të kalojë pa ndërmarrjen e masave konkrete që ngjarja e sotme të mos përsëritet”, ka deklaruar kryeministri.