SHBA-të urojnë tranzicionin e FSK-së

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka dalur me deklaratë pas votimit të tri projektligjeve në Kuvendin e Kosovës që nisin transformimin e FSK-së në ushtri.

Në deklaratën e tyre thuhet se FSK duhet të vazhdojë bashkëpunimin me KFOR-in.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës ripohojnë mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës.  Votimi i sotshëm në Kuvend është hapi i parë në zhvillimin e këtij kapaciteti.  Këto ligje nuk sjellin asnjë ndryshim të menjëhershëm në strukturën, misionin apo operacionet e forcës, por ato përfaqësojnë fillimin e punës praktike e të vazhdueshme për ndërtimin e një force transparente, shumetnike dhe të ndërveprueshme me NATO-n që iu shërben të gjitha komuniteteve të Kosovës, në pajtim me planin dhjetëvjeçar për tranzicion të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Ata po ashtu bënë thirrje që kjo forcë të jetë multietnike dhe bënë thirrje komuniteteve për mbështetjen e forcave paqeruajtëse.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkërenditjen e ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe për tu angazhuar në punën afruese në terren me komunitetet pakica tani dhe gjatë tërë procesit të gjatë shumëvjeçar.  Presim që do të vazhdojnë aranzhimet ekzistuese me KFOR-in për lëvizjet dhe operacionet e forcave në Kosovë.  Të gjithë hisedarët brenda dhe jashtë Kosovës duhet ti mbështesin dhe ti nxisin qytetarët e komuniteteve pakica të Kosovës për të marrë pjesë në forcat e saj të sigurisë, për dobinë e komuniteteve të tyre dhe të vendit.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për të punuar me FSK-në për promovimin e zhvillimit profesional dhe evolucionit organizativ, i cili do ti kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon”, thuhet tutje në deklaratë.

Me miratimin e këtyre ligjeve, Kuvendi i Kosovës e shndërroi FSK-në në Ushtri.

Pjesëmarrës në seancën e Kuvendit janë edhe pjesëtarë të FSK-së.

Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk do t’i ndryshohet emri, por kompetencat dhe misioni i saj mbrojtës.

Transformimi i FSK-së në Ushtri ka marrë mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe shteteve mike si Britania e Madhe dhe Gjermania.

Lindja e Ushtrisë së Kosovës