Ilustrim: Rtv21

ShBA Ngrit Aktakuzë Kundër Dy Hakerëve Kosovarë

Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së ka publikuar listën me emrat e 36 personave të cilët janë akuzuar për mashtrim kibernetik dhe vjedhje.

Në mesin e tyre gjenden edhe emrat e dy kosovarëve, Liridon Musliu dhe Besart Hoxha.

36 të pandehurit akuzohen për rolet e supozuara në organizatën kriminale transnacionale përgjegjëse për më shumë se 530 milionë dollarë humbje nga krimet kibernetike.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë kanë bërë të ditur se ata kanë bërë kërkesë për ekstradimin e tetë të pandehurve nga vendet jashtë ShBA-ve, e që njëra prej tyre është Kosova.

Aktakuza e ngritur nga prokurorët amerikanë liston 117 vepra të kriminalitetit kibernetik nga anëtarët e këtij grupi të hakerëve, e që përfshin keqpërdorime me karta të kreditit dhe shitje të informacioneve të vjedhura në internet.

Për këtë operacion, Departamenti i Drejtësisë së ShBA-së ka bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Shtetit në Kosovë.

Gjatë historisë së saj shtatëvjeçare, organizata ‘Infraud’ thuhet se ka shkaktuar rreth 2.2 miliardë dollarë humbje të planifikuara dhe më shumë se 530 milionë dollarë humbje aktuale, në një numër të gjerë të institucioneve financiare, tregtarëve dhe individëve privatë.

Emrat e hakerëve kosovarë në listën e të akuzuarve nga Departamenti i Drejtësisë në ShBA